Gjyljeta Mushkolaj: Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon bashkimin me Shqipërinë
Me rastin e dhjetëvjetorit të Ditës së Kushtetutës së Kosovës, kolegji AAB dhe Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), kanë mbajtur tryezë tematike me temën “10 vjet Kushtetutë”.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin personalitete të drejtësisë në Kosovë si dhe anëtarët e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Anëtarja e komisionit për hartimin e Kushtetutës, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon që Kosova të bashkohet me Shqipërinë.
“Kushtetuta shumë qartë në të vërtetë e ndalon që Kosova të kërkojë të bashkohet me një shtet tjetër ose pjesë të ndonjë shteti tjetër me të cilën bashkësia ndërkombëtare na ka vendosur një lloj kufiri që ne të mos kemi pretendime territoriale në Maqedoni dhe Serbi. Në anën tjetër, nëse dikush tjetër na bën ftesë, pra nëse një ftesë të tillë na bën Shqipëria, neve na mbetet që të vendosim se a dëshirojmë apo të mos dëshirojmë të bashkohemi”, ka thënë Mushkolaj.
/Epoka e re/