Arkivat dhe bibliotekat islame të Kosovës
Arkivat dhe bibliotekat islame të Kosovës
04.01.2017 | 12:28
Historik i shkurtër i Bashkësisë Islame të Kosovës (1)
Vehbi Shatri
 
Bashkësia Islame e Kosovës është institucion i pavarur i myslimanëve të Kosovës. Kjo bashkësi ka për qëllim organizimin e jetës së myslimanëve në Kosovë në bazë të ligjeve islame, ku nën përgjegjësi të vet ka xhamitë e Kosovës dhe imamët e këtyre xhamive si dhe medresetë dhe Fakultetin e Shkencave Islame në Kosovë.
Bashkësia Islame e Kosovës është marrë me organizimin e jetës fetare të myslimanëve të Kosovës qysh nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane. Ndërsa më vonë, pas rënies së kësaj Perandorie, edhe Bashkësia Islame e Kosovës, detyrimisht, u nënshtrohet rrjedhave të historisë dhe ndikimeve politike që ndodhnin në vend. Ajo kishte ndërruar qendrën e saj disa herë duke e zhvendosur atë fillimisht në Shkup, pastaj në Tiranë dhe, së fundmi, në Prishtinë. Mëvetësinë e saj nga ish-Jugosllavia e shpall në dhjetor të vitit 1993.
Bashkësia Islame e Kosovës në kuadër të saj numëron një mori institucionesh dhe organesh të tjera që merren me organizimin e jetës fetare të myslimanëve të këtij vendi. E në kuadër të këtyre institucioneve dhe organeve të tjera janë edhe këshillat e xhemateve në nivel të xhamive, këshillat e Bashkësisë Islame nëpër qytete dhe rajone të ndryshme, xhamitë, mesxhidet, mektebet, medresetë, bibliotekat, Fakulteti i Bashkësisë Islame etj.
Në kuadër të këtyre institucioneve ka edhe biblioteka dhe arkiva të ndryshëm të cilët merren me ruajtjen dhe me përpunimin e librave, revistave dhe dorëshkrimeve të ndryshme fetare dhe jofetare. Po ashtu, këto materiale janë në gjuhë të ndryshme siç janë ajo arabe, osmane, turke, boshnjake dhe shqipe.
Një vit më pas (1971) doli në qarkullim revista “Edukata Islame”, organ i Këshillit të Ulemave të Prishtinës e drejtuar nga Hajrullah Hoxha. Në qershorin e vitit 1986 doli në qarkullim revista fetare informative - tremujore “Dituria Islame”, botues: Kryesia e Bashkësisë Islame për RSS në Prishtinë, kryeredaktor Jetish Bajrami.
Në janar të vitit 1993 qarkulloi edhe një gazetë në 8 faqe me titull “Kompaktësia-Ittifak”, organ i Shoqatës Edukativo-Arsimore-Kulturore “Bashkimi” me qendër në Prishtinë. Gazeta doli në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe serbisht. Ajo ka karakter kryesisht informativ.
Më 1921 I. M. Qafëzezi bën botimin e parë të përkthimit të tekstit të “Kur’an”-it në shqip, ku përfshihet afërsisht 1/3 e tij. Edhe pse pa komentim, ky përkthim ka vlera të veçanta nga ana historike. Botimi u bë në Ploesht të Rumanisë.
Ndër bibliotekat më të vjetra islame në Kosovë është ajo e themeluar nga poeti dhe dijetari i njohur prizrenas, Suziu, e themeluar në vitin 1513, pastaj biblioteka Mehmet Pasha në Prizren, e themeluar në vitin 1573, po ashtu ajo e Mehmet Hajrudin-Kuklibegut e themeluar në vitin 1535, pastaj ajo e Atik Medresesë në Pejë e themeluar në vitin 1516, po ashtu edhe biblioteka e Medresesë së Madhe në Gjakovë e themeluar në vitin 1733.
Përveç këtyre bibliotekave, ka pasur edhe disa të tjera private që kanë shërbyer në Kosovë, e që prej tyre do të mund ta ceknim atë të pinjollëve dhe dinjitarëve të familjes Gjinolli: Maliq Pasha, Jashar Pashës, dhe e Bahtijar Pashës, po ashtu edhe ajo e Hysejn ef. Haxhi Sadikut, Myftiut të Prishtinës, pastaj biblioteka e familjes Junusi nga Prishtina, ajo e Hafiz Abdullah ef. Hizrit nga Prizreni, si dhe shumë bibliotekave të tjera.
 
Arkivat dhe Bibliotekat e Bashkësisë Islame të Kosovës
 
Bashkësia Islame e Kosovës në vete ka një mori të shumtë të arkivave dhe bibliotekave që merren me mbajtjen e dorëshkrimeve, të librave, të dokumenteve, të revistave dhe të botimeve të ndryshme të bëra nga Bashkësia Islame, por edhe të trashëguara nga persona apo institucione të ndryshme. Bashkësia Islame e Kosovës posedon arkivin e vet, me lëndë arkivore, dorëshkrime të vjetra që i përballuan luftës së fundit si dhe lëndës së krijuar pas luftës. Po ashtu, edhe Medreseja e Mesme “Alaudin” në Prishtinë posedon arkivin që prej themelimit të kësaj Medreseje që nga viti 1951 e deri më sot. Prej bibliotekave që janë/ishin në pronësi të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe prej atyre që ende veprojnë në kuadër të këtij institucioni do të veçonim:
 
Biblioteka Qendrore e Vakëfit në Prishtinë
 
Njëra ndër biblioteka më të reja islame në Kosovë është edhe “Biblioteka Qendrore e Vakëfit”, e cila gjendët në Prishtinë. Kjo bibliotekë është themeluar në Shtatorë të vitit 1951 dhe është themeluar nga Myftiu i asaj kohe dhe udhëheqësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Hfz. Bajram ef. Agani. Kjo bibliotekë, si dhe shumë institucione të tjera të Kosovës, është djegur në luftën e fundit të Kosovës, gjegjësisht në vitin 1999.
Dorëshkrimet dhe librat e vjetër që janë në gjuhën arabe, osmane apo edhe në atë perse, të cilat kanë arritur t’u shpëtojnë shkatërrimeve serbe, sot ruhen në Bibliotekën Qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovës. Në këtë bibliotekë ka mbi 1 000 dorëshkrime dhe vepra të ndryshme. Këto dorëshkrime janë të shkruara nga dijetarë vendorë, por edhe të huaj dhe paraqesin një thesar të çmuar të kulturës islamo-shqiptare. Po ashtu, këto dorëshkrime karakterizohen për nga vlerat e tyre që kanë si në aspektin kulturor, historik, artistik dhe të atij fetar.
 
Biblioteka e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë
 
Fakulteti i Studimeve Islame të Kosovës është themeluar në Dhjetorë të vitit 1992. Ky fakultet është themeluar si nevojë e kërkesës së shumë nxënësve të dalë nga Medreseja e Mesme “Alaud-din” në Prishtinë. Fillimisht ky fakultet ishte fakultet privat ndërsa së fundmi është akredituar.
Fakulteti i Studimeve Islame në Kosovë ka edhe një bibliotekë të begatë e cila është në shërbim të studentëve, të pedagogëve, por edhe të studiuesve dhe hulumtuesve nga jashtë. Kjo bibliotekë në vete mban me disa qindra dorëshkrime të vjetra dhe disa mija tituj fetarë, të cilat vazhdimisht janë në shërbim të ngritjes intelektuale të studentëve.
Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës ka një bibliotekë mjaft të pasur - me 10 000 (dhjetë mijë) libra me 7 000 (shtatë mijë) tituj të ndryshëm dhe disa qindra punime diplomash, që tërë kohën janë në dispozicion të studentëve. Gjithashtu, ekziston edhe një projekt ndërkombëtar bashkëpunimi në mes të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës dhe një nga bibliotekat më të mëdha botërore, si p.sh.: Bibliotekës Aleksandria të Egjiptit etj. Në bibliotekën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë (FSI) gjenden koleksione të librave orientalë apo libra të veçantë. Për këta libra tani kujdeset prof. Mahmud Abdulkader Arnaudi.
 
Biblioteka e Suzi Zerrinit në Prizren
 
Biblioteka e Suzi Zerrinit në Prizren është më e vjetra në trojet shqiptare dhe më gjerë. Suzi Zerrini, një shkrimtar, poet dhe myderriz i madh, në vitin 1513 e ndërtoi xhaminë dhe në kuadër të saj e ndërtoi edhe bibliotekën. Kjo bibliotekë është e para në trojet shqiptare dhe më gjerë, e cila qytetarëve të Prizrenit i atribuon kulturën e librit, arsimimit, shkencës dhe, si e tillë, pa dyshim është një krenari kombëtare. Aktualisht objektin e bibliotekës e mban të uzurpuar dhe në shfrytëzim arbitrar një familje prizrenase. Kjo gjë ka ndodhur që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar. (VIJON: Fusnotat i ka hequr redaksia)
List of videos