Biblioteka e Mehmet Pashës në Prizren
Biblioteka e Mehmet Pashës në Prizren
05.01.2017 | 12:19
Historik i shkurtër i Bashkësisë Islame të Kosovës (2)
Vehbi Shatri
 
Gazi Mehmet Pasha, një emër i madh për kohën e vet. Ai, në vitin 1573, e ndërtoi xhaminë “Mehmet Pasha”, pra xhaminë e Bajraklisë, dhe në kuadër të kompleksit të saj e ndërtoi: hamamin (banjë publike), medresenë (shkollë e mesme islame), tyrben (mauzoleu), mejtepin (shkollë fillore), ders-hanen (amfiteatër i vogël), si dhe kitabhanen, pra bibliotekën. Edhe kjo bibliotekë ende mbetet pasive dhe jashtë funksionit që e ka pasur.
Librat e bibliotekës së “Mehmet Pashës” janë vendosur në tyrben e “Mehmet Pashasë”, të cilën ai e pati ndërtuar për t’u varrosur aty, e që dëshira e tij nuk u plotësua asnjëherë, pasi në vitin 1596 ra dëshmor në një fushëbetejë në Hungari.
Një pjesë të dorëshkrimeve të kësaj biblioteke, më se 291 sosh, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, më datë 13. 03. 2004, i ka marrë dhe i ka vendosur në Prishtinë, për një strehim më të mirë. Në anën tjetër, fatmirësisht, fondi i librave të kësaj biblioteke përditë vazhdon të plotësohet me dorëshkrime të vjetra.
E ndërsa sa iu përket arkivave që veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës mund të themi se ato nuk janë edhe aq të njohura, por e tërë ajo që ndërlidhet me jetën e myslimanëve të Kosovës mund ta gjejmë në sirtarët e Arkivit të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe disa bibliotekave të tjera. Në to ka dorëshkrime të rralla e të vjetra dhe, si të tilla, janë një pasuri intelektuale, që shënojnë kohën, vendin, ekzistencën e tyre në periudha të hershme.
Një ndër institucionet që ruan këtë thesar është edhe Arkivi i Kosovës, i cili ka një koleksion të dorëshkrimeve islame-orientale në formën e veprave të plota të pabotuara më parë. Ato janë në gjuhën arabe, turqishte, perse dhe shqipe, kryesisht me grafi arabe. Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve islame-orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse ose 100 vepra në dorëshkrim. Këto dorëshkrime janë përshkruar dhe kopjuar jo vetëm nga autorë të njohur arabë, turq, persianë, por edhe nga autorë vendës.
“Vlen të cekim se, me largimin e turqve nga vendi ynë, ata morën me vete edhe lëndën arkivore islame, e cila sot gjendet në arkivat e Stambollit”.
Është me rëndësi se këto dorëshkrime janë ruajtur me një fanatizëm dhe vetëdije të lartë, të trashëguara brez pas brezi dhe padyshim se përbëjnë një nga kontributet e mëdha të popullit shqiptar.
Vlen të theksohet se në arkivin e Kosovës mund të gjenden dokumente që datojnë nga shekulli XIII-të. Ndërsa dorëshkrimi më i vjetër është fjalori persisht-arabisht “Tuhfe-i Sibjân”, i botuar në vitin 1437. Në Kosovë sot ruhen ende një numër i rëndësishëm i dokumenteve dhe i koleksioneve të dorëshkrimeve orientale, shumë të ndryshme për nga përmbajtja, prejardhja dhe vlera shkencore – artistike, të cilat përbëjnë një pjesë të trashëgimisë historike të kombit shqiptar. Kjo për faktin se për më shumë se pesë shekuj, Kosova ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Kosova, në këtë trashëgimi të këtyre dokumenteve dhe dorëshkrimeve që nga shekulli i XV e deri në shek. XX, si nga pikëpamja e sasisë, ashtu edhe nga pikëpamja e përmbajtjes, është një nga vendet më të pasura në rajon. Po ashtu vlen të theksohet se një numër i dokumenteve të vjetra ruhen në biblioteka private, në Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Institutin e mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Prizren, në Kryesinë e Bashkësisë islame të Kosovës.
“Kronologjia e dorëshkrimeve islame-orientale në Arkivin e Kosovës fillon me fjalorin arabisht-persisht “Tuhfe-i Sibjân”, i kopjuar në vitin 1437, kurse më i riu është dorëshkrimi unikat-autograf në gjuhën arabe i ish-myftiut të Prizrenit, Rrustem ef. Shporta, me titull “Risale fi bejani Esmail-lahi te’ala ve esmai nebijjina alejhis-selam ve esmai xhemi’i-lenbijaii-lmedhkureti fi-l-Kur’ani-l’adhim”, i shkruar më 1925. Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve islame-orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse ose në 100 vepra dorëshkrim”.
Të gjitha këto dorëshkrime që ruhen edhe sot në Arkivin e Kosovës apo edhe në Bibliotekën Kombëtare, janë dëshmi për trashëgimin kulturore që nga periudha osmane, të cilat mund të shërbejnë edhe si një bazë e mirë për të ndriçuar probleme të ndryshme të kohës.
 
Shkrimet Islame në Arkivat dhe Bibliotekat e Bashkësisë Islame të Kosovës
 
Shkrimet Islame të cilat sot gjendën në Arkivat dhe Bibliotekat e Bashkësisë Islame të Kosovës janë të shumta. Ato janë të shumta si për nga llojllojshmëria e tyre, si për nga numri i tyre por po ashtu edhe për nga gjuha e tyre. Këto shkrime janë të shkruara në Gjuhën Shqipe, Arabe, Osmane, Perse, Turke dhe Boshnjake. Disa prej tyre janë të botuara ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë ende dorëshkrime të shkruara nga shkrimtarë dhe dijetarë vendas por edhe të huaj.
Prej këtyre shkrimeve do të cekim disa siç janë: Salnamet. Fjala salname e ka prejardhjen nga gjuha persiane, sal do të thotë vit, dhe name që do të thotë letër, libër, e kur të bashkohen këto dy fjalë në salname do të thotë më së përafërti në gjuhën shqipe vjetar. Salname në gjuhën frenge dotë thotë Annuaire, në gjuhën angleze Year book, ndërsa në gjuhën gjermane Almanak.
Në periudhën fundit të Perandorisë Osmane janë botuar salnamet-vjetarët, ku për një vit është përshkruar gjendja ekonomike, politike, sociale, kulturore, shoqërore e një vendi të caktuar të Perandorisë Osmane. Salnamet - vjetarët janë botuar brenda një periudhe 75 vjeçare të ekzistimit të Perandorisë Osmane, prej vitit 1847 e gjer më vitin 1922.
Në këto salnamet-vjetarët janë përshkruar me një stil të posaqshëm dhe janë prezantuar një varg njohurish nga fushat të ndryshme, si nga historia, shkenca, politika, ushtria, kultura, shoqëria e fusha tjera. Salnamet - vjetarët janë ndarë në katër grupe: salnamet - vjetarët shtetëror, salnamet- vjetarët e Vilajeteve, salnamet - vjetarët Nazaret si dhe salnamet - vjetarët personal.
Ndërsa ajo që neve na intereson janë Salnamet e Vilajetit të Kosovës të cilat gjithsejtë ishin tetë salname. Koleksioni (përmbledhja) e 8 salnameve - vjetarëve të Vilajetit të Kosovës gjendet vetëm në bibliotekën popullore të Fatihut në Stamboll, ndërsa veç e veç gjenden të shpërndara nëpër biblioteka të ndryshme, si për shembull: në Bibliotekën e Muzeut Arkeologjik, gjenden salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1883 dhe 1887, në Bibliotekën Ataturk në Taksim gjenden salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1883, 1885, 1887, 1888, 1896 dhe 1900, në Bibliotekën e Arkivit të kryeministrisë osmane gjenden salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1887, 1888, 1893, 1896, në Bibliotekën shtetërore të Bejazit gjenden salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1887, në bibliotekën e Hakkë Tarëk Us gjenden salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896, në bibliotekën e Universitetit të Stambollit gjenden salnamet- vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1888 dhe 1896, në bibliotekën e degës së historisë të fakultetit të letërsisë të Universitetit të Stambollit gjenden salnamet - vjetarët e viteve 1879 dhe 1883. Të gjitha këto 8 salnamet - vjetarët e Vilajetit të Kosovës janë të botuara në gjuhën osmane të shkruara me alfabet arab.
 
Abetarja e Daut Boriçit
 
Abetarja e Daut Boriçit e shtypur në Stamboll më 1861 e më pas edhe në vitin 1869, është një abetare shqip-turqisht, me shkronja arabo-turke dhe me krijime origjinale të autorit, pa asnjë shënim në frontespic, pa vit e vend botimi. Me këtë abetare, sipas studiuesve, ai zuri në Veri këndin e trinomit që kishin plotësuar më parë Naumi në Jug dhe Kristoforidhi në kërthizë të Shqipërisë. 15 “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”. Këtë deklaronte Daut Boriçi si kredo politike, në librin e tij, më 1869. Abetareja në fjalë ka gjithsej 37 shkronja, nga të cilat 28 janë të alfabetit arab; 2 i ka marë osmanishtja dhe për të plotësuar nevojat e gjuhës sonë, 7 shkronja Daut Boriçi i hartoi vetë, nga ato fonema që i korrespondonin gjuhës shqipe.
 
Abetarja e Hafëz Ali Ulqinakut (1853-1913)
 
Abetarja e Hafiz Aliut, e cila, ndonëse brenda logjikës së kohës është hartuar me alfabet arab, ajo ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike. Sipas studiuesve të jetës dhe veprës së Hafiz Aliut, të cilët i kanë bërë një analizë të shkëlqyer kësaj abetareje: “Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjen e lartë atdhetare të autorit”. Abetarja në fjalë ka gjithsej 15 fletë dhe 26 faqe. Kjo abetare për shumë vite me radhë mbeti në dorëshkrim në dosjen nr. 3 të fondit personal të Hafiz Ali Ulqinakut në Arkivin Qendror të Shtetit.
 
Për fund
 
Nga tërë ajo që u cek më lart mund të vijmë në përfundim se Bashkësia Islame e Kosovës, si organ i vetëm kompetent për organizimin e jetës fetare është një organ dhe një institucion me një histori mjaftë të lashtë. Historiku i saj ka rrënjët që nga vetë Perandoria Osmane andaj edhe trashëgimia e saj kulturore, arsimore, artistike, fetare dhe kombëtare daton që atëherë.
Po ashtu, Bashkësia Islame e Kosovës, ka edhe arkivat dhe bibliotekat e saja që veprojnë në kuadër të saj dhe të objekteve përcjellëse të vetë Bashkësisë Islame të Kosovës. Këto arkiva dhe biblioteka në vete mbajnë shumë dorëshkrime, shumë libra, shumë dokumente dhe shumë botime të ndryshme të cilat kanë vlerë, rëndësi dhe karakter kombëtarë dhe fetar.
Nisur nga tërë kjo, mund të vijmë në përfundim se Bashkësia Islame e Kosovës me gjithë organet dhe institucionet e saja përcjellëse, është një Institucion që assesi nuk guxon të anashkalohet dhe assesi nuk guxon që të nënvlerësohet por përkundrazi Bashkësia Islame e Kosovës duhet që të gëzojë një kujdes dhe një vëmendje shumë më të madhe nga organet kompetente vendore, nga studiues, nga hulumtues dhe nga shkencëtarët vendore dhe të jashtë. E tërë kjo duhet të bëhet për vetë faktin se Bashkësia Islame e Kosovës posedon shumë dokumente që janë mjaftë të rëndësishme për vendin tonë e sidomos në këtë kohë kur vendi ynë po kalon nëpër situata jo edhe aq të lakmueshme sa i përket sipërfaqes së saj territoriale, autoktonisë tonë në vend dhe shumë çështje tjera që janë ende diskutabile në nivele shumë të larta vendore dhe jovendore. (FUND: Fusnotat i ka hequr redaksia)
List of videos