Gazeta e Athinës kundër filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”
Gazeta e Athinës kundër filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”
15.12.2016 | 12:22
Vrasja dhe zbardhja e vrasjes së Enver Hadrit (15)
Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi
 
Në qytetin e Brukselit pllakatet e filmit dokumentar për Enver Hadrin ishin të vendosura kudo, jo vetëm nga festivali, por edhe ne u ndihmuam atyre që ato afishe të ishin vendosur në shumicën e rrugëve nëpër të cilat kalonin më shumë këmbësorë. Porsa hyje në hollin e gjatë të festivalit kudo dukeshin afishet, jo vetëm të filmit për Enver Hadrin, por edhe të filmave të tjerë shqiptarë që ishin të seleksionuar në festival. Gazetarët serbë dhe miqtë e tyre këto pllakate do t’i pengonin e më së shumti do t’i pengonte filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”. Ja se ç’shkruante gazeta “Elefterotipia”. sipas shkrimit të botuar në “Informatori”:
Në suplementin “E diela - art” të gazetës “Elefterotipia” në Athinë (botuar më 23 10. 1994), botohet shkrimi me titull: “Cine Kosova” dhe nëntitulli “Festivali Mesdhetar i Kinematografisë ishte një koktej islamik me boll Shqipëri e Kosovë”.
Bruksel, nga Al Kalkavura: Në njëmijë plagët që përgjakin fytyrën e Mesdheut, erdhi e u shtua papërgjegjshmëria e organizatorëve të festivalit të tretë të kinematografisë mesdhetare, i cili u zhvillua nga 7-15 tetor, në qendrën kulturore Botanque të Brukselit.
As më pak e as më shumë, ndërmjet 54 shteteve mesdhetare Kosova ishte shkruar në program si shtet i pavarur dhe figuronte pranë nënës Shqipëri, e cila u përpoq të na bindte jo vetëm për ndjenjat artistike, por edhe për ato demokratike të Sali Berishës.
Siaps të thënave të Patrick Mateisit, i Komitetit të Organizatorëve të Festivalit: “Ishte kërkesë e shqiptarëve të Kosovës të paraqiteshin si shtet i pavarur, por e di se i përket ish-Jugosllavisë dhe se ekziston njëfarë problemi.
Pra, ekipi ynë kishte bërë çdo gjë të mundur që Kosova të paraqitej si shtet dhe deri më 1999 ky festival gjithnjë Kosovën e ka prezantuar si shtet të pavarur e jo në kuadër të ish-Jugosllavisë.
Bazuar ne artikujt e gazetave serbe, greke etj si dhe ne letrat protestuese zyrtare të Serbisë, ne po e bënim një punë që po e pengonte dukshëm Serbinë, por për disa shqiptarë atë ditë e sot, ne nuk kemi bërë asgjë.
 
Filmi për Enver Hadrin edhe në një festival tjetër
 
Në festivalin e Hujit u shfaq filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”
Bruksel, 2 tetor 1995
(QIK)
Në Festivalin e Teatrit dhe Filmit, që po mbahet në Qendrën Kulturore
të qytetit Huj (Belgjikë - 27 shtator 4 tetor) u shfaq pardje filmi dokumentar-artistik “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” e regjisores në mërgim Alma Sahitaj.
Në shfaqjen e filmit, kushtuar dëshmorit Enver Hadri të vrarë nga sigurimi serb, morën pjesë shumë bashkatdhetarë dhe kryetarja e komunës së Hujit e senatorja belge An Mari Lize, bashkëpunëtori i saj Zhan Klod Luve dhe një delegacion nga Brukseli, përfaqësuesit e Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës për Beneluks dhe Unionin Evropian Gani Azemi e Ramadan Gashi, kryetari i Degës së LDK-së për Beneluks, Ismail Byty&i, kryetarja e Nënkshillit në Belgjikë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behare Rexhepi, si dhe bashkëshortja e dëshmorit E. Hadri, Ajshe Hadri dhe e motra e dëshmorit, Nediha Grapci-Hadri. Para shfaqjes së filmit, senatorja An Mari Lize, duke folur për figurën e Enver Hadrit, veç tjerash theksoi se njerëzit që flijohen për atdhe, liri e demokraci si Enver Hadri, meritojnë respektin e të gjithëve.
Shpresoj se në zgjidhjen globale të konfliktit në ish-Jugosllavi edhe për popullin e vuajtur të Kosovës do të gjendet një zgjidhje paqësore dhe në këtë mënyrë do të realizohet dëshira e madhe e dëshmorit Enver Hadri, nënvizoi ajo dhe shtoi se Bashkësia shqiptare në komunën e Hujit është me numerikja nga hapësira e ish-Jugosllavisë dhe potencoi faktin se përherë u ka ndihmuar edhe personalisht refugjatëve shqiptarë në rregullimin e statusit të refugjatit.
Për shëmbëlltyrën e Enver Hadrit, foli kryetarja e NMDLN-së, Behare Rexhepi, e cila veç tjerash thekson se Enver Hadri e kishte bërë moto të jetës dhe veprimtarisë së tij, vargun e poetit tonë të njohur Ali Podrimja “Kosova është gjaku im që nuk falet”.
Në emër të kryetarit të Republikës dhe Qeverisë së Kosovës, drejtori i Qendrës për Informim të Republikë së Kosovës për Beneluksin dhe Unionin Evropian, Gani Azemi, e falënderoi senatoren An Mari Lizenë dhe organizatorët tjerë të këtij festivali, që mundësuan shfaqjen e filmit. Ai e cilësoi dëshmorin Enver Hadri, si njërin ndër diplomatët e parë vullnetar të Kosovës në Evropën Perëndimore, i cili me veprimtarinë e tij arriti që çështja e Kosovës të trajtohet edhe në Parlamentin Evropian.
 
Ende vrasësit jetonin të lirë
 
Mendojmë se me konferencat që i organizuam, me takimet që i bënim me personalitete evropiane, me filmin e realizuar, ne vepruam aq sa patëm mundësi. Mund të shtohet pyetja se po të kishim pasur mjete materiale a mund të kishim vepruar më shumë në zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit? Përgjigja jonë do të ishte, se nuk do mundim të bënim më shumë. Askush nuk mund të bënte më tepër edhe sikur miliona të kishte në dispozicion. Ekipi ynë bëri aq sa nuk kishte bërë askush tjetër, për zbardhjen e një vrasje politike shqiptare në diasporë. Pse askush nuk bëri asgjë për zbardhjen e Vehbi Ibrahimit të vrarë në Bruksel më 10 tetor 1981? Pse askush nga shokët e madje organizatat politike në Bruksel dhe diasporë nuk bënë aq sa ne bëmë për Enver Hadrin? Pse askush as sot nuk bënë në Bruksel për zbardhjen e Musa Hotit të vrarë pas çlirimit të Kosovës? Nga kjo nuk duhet të nënkuptohet se ne ishim ata që u identifikuan vrasësit e Enver Hadrit. Jo. Ne vetëm ndikuam dhe bëmë presion në institucionet internacionale që faktojnë të gjitha këto që u shkruan deri më tani. Ne nuk mund të vepronim më shumë se sa ishte bërë. Më rëndësi ishte që tani dihej se kush e kishte vra Enver Hadrin. Vrasësit u identifikuan dhe tani ata strehoheshin në Serbi, por një ditë patjetër do jepnin përgjegjësi për krimin e tyre të bërë në Bruksel. Madje ngjarjet në Kosovë më nuk kufizoheshin vetëm në demonstrata, por kishte filluar një luftë dhe shpartallimi i Jugosllavisë vetëm se kishte filluar. Ishte çështje kohe që Kosova të hynte në luftë me dëshirë apo pa të. Aktivitetet tona nuk u kufizuan vetëm në zbardhjen e vrasjes, por edhe në internacionalizimin e dramës kosovare siç mund të lexoni në “Idealistët 2, 3, 4” dhe ne vëllimet tjera eventuale që mund të publikohen kohë pas kohe.
Me çlirimin e Kosovës ne u kthyem të jetonim në Kosovë që nga 15 qershori 1999, ku jetojmë ende.
Më 2006 policia spanjolle kishte arrestuar Veselin Vukotiqin. Gazetarët e medieve internacionale e kishin gjetur numrin e Reshatit për të dhënë deklaratë se çfarë mendonte lidhur me këtë arrestim. (VIJON)
 
(Autorët, të cilët ende janë gjallë, ishin bashkëpunëtorë të Enver Hadrit)
List of videos