Grupet dhe individët shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë
Grupet dhe individët shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë
18.12.2016 | 13:43
“Top sekret”: Dezinformatat e Beogradit kundër grupeve e individëve shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë (1)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
 
Gjatë viteve1980-1990, në mes të udhëheqësve të Serbisë e të Jugosllavisë - Beogradit e udhëheqësve të Prishtinës, qarkullonin dhe lëshoheshin shumë komunikata, informata, shkrime të ndryshme që kryesisht për opinionin e gjerë kishin shenjën “Top sekret”. Më 7 shkurt të vitit 1980, Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Kabineti i kryesuesit, anëtarëve të Kryesisë të KQ të LKJ-së, sipas urdhrit të përfaqësuesit të Kryesisë të KQ të LKJ, i ishte prezantuar një informatë për veprimtarinë armiqësore të grupeve e individëve nga pozitat e nacionalizmit shqiptar dhe irredentës dhe për masat e marra ndaj tyre.
Sipas shkrimit, thuhej se informata (të cilën do ta trajtojmë në vazhdim) ishte formuluar në bazë të vlerësimit dhe përfundimeve të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK-së dhe Kryesisë të KSA të Kosovës. Shifra e informatës ishte 06. Top sekret, me nr. 4/4. E kishte nënshkruar shefi i kabinetit të kryetarit të Jugosllavisë, Sllavko Toshiq, më 7. II. 1980, Beograd.
Në Arkivin e Kosovës, duke hulumtuar për veprimtarinë ilegale patriotike të organizatave, grupeve e individëve, në fondin e Komitetit Krahinor, hasa në këtë dokument-informatë që ishte “Top sekret” (“Rreptësisht e besueshme”) që e posedonin vetëm organet më të larta jugosllave.
INFORMATË
PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË GRUPEVE E INDIVIDËVE NGA POZITAT E NACIONALIZMIT DHE IRREDENTIZMIT SHQIPTAR DHE MASAT E NDËRMARRA NDAJ TYRE
Personat që jepnin këtë informatë për nevoja të brendshme politike i informonin organet më të larta shtetërore se që nga maji i vitit 1979, në shumë vende në KSA të Kosovës, në mënyrë intensive është manifestuar veprimtaria propaganduese armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar.
Format e veprimtarisë propaganduese: Sipas informatës që e jepnin organet e pushtetit, thuhej se kishte dy mënyra të veprimtarisë. Ato jepeshin në formë të shkrimit të parullave dhe në shpërndarjen e pamfleteve. Megjithëse, në Kosovë edhe më herët, theksohet në informatë se “ishin ballafaquar me veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, kështu që mund të thuhet (pohonin informatorët), se edhe kjo është vazhdimësi e kësaj veprimtarie. Megjithatë, në bazë të orientimit ideologjik dhe në kohën në të cilën ajo zhvillonte këtë aktivitet, kjo veprimtari karakterizohej sipas Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës:
- Koha në të cilën ndodhnin këto ndryshime, karakterizohej me periudha të spekulimeve intensive dhe kalkulimeve të forcave armiqësore në Jugosllavi dhe në botë duke pasur parasysh prizmin e ardhmënisë së vendit.
- Pastaj vinin kundërshtitë e ndryshme sociale e ekonomike dhe vështirësitë që e karakterizonin Kosovën (të shqiptarëve në përgjithësi dhe në disa pjesët e tjera të Jugosllavisë). Të cilat rrjedhin nga prapambetja e trashëguar ekonomike si dhe nga zhvillimi i dobët i dinamikës së përparimit, që dukshëm ndikon tek një numër i konsiderueshëm i të rinjve.
- Shtimi i veprimtarisë ideologjike-propagandistike-subversive nga RP e Shqipërisë, e cila kryesisht është e orientuar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, e cila tenton ta zgjojë vetëdijen nacionaliste e irredentiste tek ata, thuhej në dokument.
- Është shtuar aktiviteti i veprimtarisë të forcave armiqësore në perëndim në raport me Kosovën, e veçanërisht organizatat e ndryshme reaksionare të emigracionit shqiptarë, por në vitet e fundit edhe “grupet marksiste-leniniste” nga të cilat disa nën ndikimin ideologjik edhe janë në lidhje të vazhdueshme me PPSh-në.
Kryesia e KK të LKK në mbledhjen e saj të 26, të mbajtur me 21 qershor 1979 dhe në mbledhjen e 28, të mbajtur me 6 shtator 1979, u vlerësua kjo mënyrë e veprimit armiqësor dhe në bazë të saj e miratuar një informatë e gjerë në të cilën u dha vlerësimi i karakterit kontrarrevolucionar e armiqësor i parullave dhe i veprimtarisë. U insistua në shtimin e punës ideologjike dhe politike në përgjithësi, sidomos në mesin e të rinjve, në shtimin e kujdesit dhe organizimit që të pengohet kjo mënyrë dhe organizimet tjera armiqësore dhe të shpejtohet puna ideo-politike dhe aktiviteti në përgjithësi për zbulimin e akterëve të aktiviteteve armiqësore.
 
Debate të shumta lidhur me informatën
 
Informata e lartë përmendur u shpërnda dhe u njoftuan të gjitha Komitetet komunale dhe organizatat bazë të LK në Kosovë, dhe në bazë të saj (informatës), ato bënë vlerësimin e situatës ideo-politike në komunat e tyre. Ndërsa, lidhur me informatën e Komitetit Krahinor të LKK-së, u mbajtën shumë mbledhje dhe u diskutua gjerësisht me një numër të madh të të rinjve në Lidhjen e Rinisë Socialiste. U mbajtën takime e këshillime me punëtorët e arsimit dhe me punëtorë e qytetar anë e kënd Kosovës. Dhe sipas informatës thuhej se “në çdo rast kur paraqiteshin parulla ose pamflete me përmbajtje antishtetërore, në masën më të madhe shqiptarët, por edhe kombet e kombësitë në të gjitha meset ku jetonin, reagonin dhe e dënonin ashpër veprimtarinë armiqësore” të shqiptarëve.
 
Aktivitetet që kishte marrë pushteti për ndalimin e veprimeve ilegale
 
Për ndalimin e kësaj mënyre të veprimit, organet përgjegjëse kishin ndërmarr një mori aktivitetesh dhe kishin angazhuar të gjitha “komitetet e MPMSh-në në krahinë. Me një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim me organet e Punëve të Brendshme, të cilët intensivisht ishin të angazhuara në zbulimin e aktorëve të aksioneve armiqësore”, thuhej në informatë.
Komiteti Krahinor i LKK-së informonte nëpër mes organeve kompetente se “Në bazë të vlerësimit në Komitet për MPMSh-në në KSA të Kosovës, organet e Punëve të Brendshme të krahinës morën masa që të ndërpresin veprimtarin armiqësore dhe arrestimin e personave për të cilët kishin argumente ose kishin dyshime për veprimtarin e tyre ose vepronin nga pozitat e nacionalizmit”. Siç është e ditur, UDB-a, fillimisht me një numër të caktuar veprimesh ndërmori që punëtorët e saj (operatoret) të zhvillonin bisedime informative ose biseda politike me të rinjtë ose me prindërit e tyre, por që mos të ndermirët asnjë masë administrative”.
 
Arrestimet e policisë
 
Gjatë kësaj periudhe, (sipas të dhënave statistikore), policia kishte deklaruar se kishte arrestuar një numër të caktuar (32 persona), dhe i kishte dënuar penalisht, ndërsa ndaj 56 vetave kishte ngrit aktakuzë penale (nga të cilët 52 veta vetëm ndodheshin në burgun hetues)”, thuhej në dokument.
 
Mbledhja Kryesisë së KK LKK dhe e Kryesia e KSA e Kosovës (22 dhjetorit 1979)
 
Kryesia e KK të LKK-së dhe Kryesia e KSA e Kosovës në mbledhjen e përbashkët të 22 dhjetorit 1979, e njoftonin KQ të LKJ-së dhe Kryesinë e RSFJ-së, se “përsëri bënë vlerësimin e veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë. I njoftonin me masat që kishin ndërmarr organet e Punëve të Brendshme për ndalimin e kësaj veprimtarie, dhe, edhe një herë verifikuan vazhdimësinë e detyrave ideo-politike si dhe masat e përhershme për ndalimin e këtyre veprimtarive armiqësore.
Me vlerësimin dhe konkluzionet e dy kryesive, në vazhdim u zhvilluan debatet në të gjitha OTH të LK, si dhe në të gjitha organizatat bazë të LK, që për qëllim kishin që edhe një herë ta shqyrtonin gjendjen ideo-politike në terrenet e veta. Procesi i diferencimit ndaj shqiptarëve të punësuar, kaherë kishte filluar në Kosovë (diferencimet ndaj shqiptarëve ishin bërë që nga viti 1945 dhe nuk ishin ndalur asnjëherë, Vërejtje S. K-B). Por, për këtë më së miri dëshmon e dhëna që e jepnin organet kompetente kur informonin se “që të bënin vlerësimin e situatës ideo-politike, që edhe më tej të thellonin procesin e diferencimit në LK, në bazë të ashpërsimit të luftës kundër nacionalizmit dhe të gjitha mënyrave të shprehjes së aktivitetit armiqësor, si dhe në mënyrë të organizuar kundër këtyre çështjeve, të ndikojnë në masat e gjera të klasës punëtore, qytetarëve dhe rinisë”, mbyllet citati.
Me urdhër nga lartë u mor iniciativa që mos të kursehet askush si në aspektin horizontal po ashtu edhe në atë vertikal. “Lidhur me këtë, u zhvilluan bisedime me drejtoret, kryeredaktoret, redaktoret dhe sekretaret e organizatave të LK-së të të gjitha mjeteve informimit, që edhe më tej të jenë të kujdesshëm dhe të thellojnë e ashpërsojnë luftën kundër nacionalizmit dhe çdo lloji të veprimtarisë armiqësore”. Bile “udhëheqja dhe organizatat e LK në bashkëpunim me udhëheqjen e Lidhjes së Rinisë Socialiste kishin përgatitur një planë të veçantë për veprimin ideo-politik për student dhe nxënës të shkollave të mesme. Veçanërisht lidhur me të u bënin bisedime të vazhdueshme në aspektin informativ, politik dhe të sigurisë me punëtorët tanë që punonin përkohësisht në botën e jashtme, të cilët për festa vinin në familje. Nga organet e UDB-es punohej edhe në drejtimin, që organet e caktuara të dërgojnë një numër të konsideruar personash (bashkëpunëtorë të UDB-së) nga Kosova (kryesisht shqiptarë) në përfaqësitë tona konsullore e diplomatike; në qendrat kulturo-informative; për punëtorët tanë social e kuadrit arsimor në vendet ku ata janë të punësuar përkohësisht, sidomos me ata që ishin kryesisht nga Kosova. Gjithashtu u shtuan kontaktet dhe vepronin më tepër në klubet e punëtorëve shqiptarë, që punonin në këto vende”, thuhej në informatë. (VIJON)
List of videos