Koordinimi i veprimeve të komunës së Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë
Koordinimi i veprimeve të komunës së Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë
20.03.2017 | 11:55
Marshi për tërësinë e Kosovës (7)
Marshi i 21 shkurtit i vitit 2000 nga shumë anë të Kosovës drejt Mitrovicës dhe në Mitrovicë është një shfaqje madhështore që flet për energjitë tona të pashtershme në funksion të lirisë. Me marshin e madh të 21 shkurtit 2000 shqiptarët treguan, në mënyrë shumë bindëse dhe energjike, se nuk janë më ata që ishin dhe se, tash e tutje, nuk do të falin më asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës martire / Adem Demaçi, më 22 shkurt 2000
 
Selatin Novosella
 
Ndonëse, tashmë, ishin kryer përgatitjet për manifestimin “Marshi për Kosovën”, ndihej nevoja edhe për një konsultim dhe koordinim përfundimtar, në vigjilje të fillimit të kësaj proteste, me përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës dhe të Vushtrrisë. Për këtë qëllim, më 20 shkurt 2000, do t’i vizitojë këto komuna një delegacion i Këshillit Organizues nga Prishtina, në përbërje: Selatin Novosella dhe Hakif Sheholli. Fillimisht u realizua takimi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Dr. Bajram Rexhepin, ku u shkëmbyen informatat reciproke për përgatitjet që ishin bërë në Prishtinë dhe në Mitrovicë, ku parashihej arritje masovike e qytetarëve, me të cilët do të bashkëngjiteshin dhe minatorët në Mitrovicë, të cilët në shenjë përkujtimi për grevën historike të ’89-s, tashmë, qe sa ditë kishin filluar një grevë tjetër. Në këtë takim u shqyrtua edhe mundësia e ndonjë eskalimi të situatës dhe e konfrontimit, eventual, të protestuesve me forcat e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut. Ishte qëndrim yni se ajo nuk do të guxonte të ndodhte në asnjë mënyrë. Po ashtu, gjatë këtij takimi të fundit para protestës, në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Mitrovicës, bisedohet për takimin që ishte paraparë të zhvillohej me përfaqësuesit më të lartë të subjekteve ndërkombëtare, në urën e Ibrit, më 21 shkurt. Me këtë rast u pajtuan se, përfaqësuesve të Këshillit Organizues, për efekte politike, do t`i bashkohej dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Dr. Bajram Rexhepi.
 Xhemajl Pllana, kryetar i Komunës së Vushtrrisë dhe Bajram Rexhepi, kryetar i Komunës së Mitrovicës
 
Pas Mitrovicës, përfaqësuesit e KO-së, takimin e radhës e zhvilluan në komunën e Vushtrrisë, me kryetarin të komunës së Vushtrrisë, Xhemajl Pllana. Edhe në këtë bisedë, si edhe në atë në Mitrovicë, temë e vetme ishte përgatitja e manifestimit që do të zhvillohej të nesërmen. Kryetari i komunës së Vushtrrisë, gjatë këtij takimi, i njoftoi përfaqësuesit e Këshillit Organizues se ishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pritje të organizuar të marshuesve që do të vinin nga Prishtina dhe e tërë Kosova. Po ashtu, u bë fjalë edhe për përgatitjet e bëra që t`iu dilet në ndihmë marshuesve me çdo gjë të mundshme, siç ishin: uji, lëngjet, gjërat ushqimore, ndihma eventuale shëndetësore, vendosja në shtëpitë dhe banesat e vushtrriasve të marshuesve që nuk do të mundnin ta vazhdonin rrugëtimin për në Mitrovicë dhe kthimin e organizuar për ata marshues që do të ktheheshin për në Prishtinë dhe në vendbanimet e tjera të Kosovës pas përfundimit të protestës. Kryetari i Komunës, Xhemajl Pllana, shprehu bindjen se shumica e qytetarëve të Vushtrrisë do t`u bashkëngjiten marshuesve deri në cakun përfundimtar, në qytetin e Mitrovicës.
 
Pasqyrimi i “Marshit për Kosovën” në shtypin e kohës. Gazetarët, pjesëmarrës aktivë në protestën “Marshi për Kosovën”
 
Vrojtuesit dhe gjykuesit më të drejtpërdrejtë të “Marshit për Kosovën”, gazetarët raportues të shtypit shqip të Kosovës, janë pasqyruesit më të drejtë të këtij aktiviteti politik. Së këndejmi, konsideroj se çdo përpjekje imja për ta pasqyruar këtë manifestim madhështor, prej fillimit deri në mbarimin të tij, do të ishte vetëm një kopje e zbehtë e asaj që e kanë pasqyruar gazetarët. Kësaj duhet t’i shtohet edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm, se këto shkrime, gjegjësisht, këto përshkrime dhe reportazhe, gazetarët nuk i bëjnë nga zyrat e tyre por si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe aktiv në protestë, gjatë tërë kohës. Kjo, gjithsesi, ua shton vlerën, autenticitetin dhe rëndësinë dokumentare historike të dorës së parë.
Përveç arsyes së lartpërmendur, pse nuk do të merrem vet me përshkrimin e rrjedhave të manifestimit “Marshit për Kosovën”, është edhe një arsye tjetër e madhe: shkalla e obligimeve dhe e angazhimeve të mia, si njëri ndër organizatorët e manifestimit, më obligonte me përgjegjësi të madhe gjatë tërë kohës së marshimit të isha në ballë të protestuesve nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, obligimet që dilnin gjatë vet marshimit për takimet me përfaqësuesit e KFOR-it, të policisë së UNMIK-ut, me gazetarët dhe fotoreporterët e panumërt që po e përcillnin marshimin, e bënin të pamundur që ta shihja tërë madhështinë e këtij manifestimi të papërsëritshëm deri sot.
Me qëllim që të mbetem më i dobishëm për ata që do ta shkruajnë historinë e Kosovës që po lindet si shtet, jam përcaktuar që në këtë kapitull të librit t`i prezantoj shkrimet e gazetarëve tanë, pa kurrfarë ndërhyrjeje. Kështu, besoj, libri do të ketë rëndësinë e një kronikë autentike të kohës.
Në këtë mënyrë, me vetë dëshirë gazetarët që do të prezantohen këtu me shkrimet e tyre, i konsideroj bashkë shkrues të librit Marshi për Kosovën”.
 
Ymer Avdiu dhe Habibe Maliqi: “Marshi për Kosovën” - manifestim madhështor
 
Me parullën kryesore “Mitrovica është Kosovë, Kosova është një”, dje, nga Prishtina për në Mitrovicë marshuan më shumë se 400. 000 qytetarë. Marshuesit treguan kulturë dhe dinjitet të lartë, kurse forcat e KFOR-it dhe të UNMIK-ut kishin marrë me kohë të gjitha masat e sigurisë.
Me moton - “Marshi për Kosovën” - më shumë se 400. 000 shqiptarë nga Prishtina dhe të gjitha anët e Kosovës, dje marshuan për në Mitrovicë në shenjë përkrahjeje Qytetit të Minatorëve që ishte njëkohësisht edhe porosi për të gjithë se Kosova është e pandashme.
Ekipet mjekësore në ballë të marshit
 
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, dje gdhiu shumë e ftohtë. Po, ngricat dhe veriu i mëngjesit nuk ndikuan që qindra-mijëra qytetarë prishtinas, të rrethinës, por edhe të të gjitha mjediseve të tjera të Kosovës t`i mbushnin rrugët, për të arritur te caku i vetëm i tyre, në Sheshin “Adem Jashari”, para Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilin vend, në orën tetë ishte paraparë fillimi i marshimit për në Mitrovicë, me moton “Marshi për Kosovën”, që ishte solidarizim me qytetarët e Mitrovicës dhe shprehje e revoltës për gjendjen e krijuar në këtë qytet.
Pikërisht në orën tetë, me një disiplinë të lartë dhe në mënyrën më dinjitoze qytetarët e tubuar, që tashmë ishin rreshtuar, u nisën për dalje të qytetit në rrugën për Mitrovicë. Kishte të rinj e të reja kryesisht, nxënës e studentë, por kishte edhe burra, gra, pleq e plaka, nga fshati e nga qyteti. Qytetarët mbanin në duar flamuj kombëtarë, pastaj amerikanë, të NATO-s, por edhe të vendeve të tjera mike nga Aleanca Veri atlantike dhe parulla e pankarta që dominonte ajo “Mitrovica është e pandashme!”. Parulla e vetme që brohoritej ishte “Mitrovica –Mitrovica!” dhe këndohej kënga “Besa-besë”. Shumë të rinj marshonin të mbështjellë me flamuj kombëtarë. Kujdestarët mbanin rendin dhe rregullin në mënyrë shumë të përpiktë dhe pa asnjë problem merreshin vesh me marshuesit. Ushtarët e KFOR-it, policia ushtarake e tyre dhe policia e UNMIK-ut kishin ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë, kurse helikopterët e KFOR-it vazhdimisht përcillnin kolonën dhjetë kilometërshe. Ndërsa, autoambulancat, edhe pse ishin vetëm disa sosh, ishin të shpërndara mirë.
Derisa kolona e marshuesve po dilte nga qyteti, asaj vazhdimisht i bashkoheshin njerëz e kolona më të vogla njerëzish. Në dalje të qytetit, te kazermat e ushtrisë, “Adem Jashari”, kolonës iu bashkuan edhe disa mijëra njerëz, sikur që iu bashkuan pastaj edhe në fshatrat Shkabaj, Mazgit, Milloshevë, e tutje. Kudo banorët e këtyre fshatrave, dhe fshatrave rreth tyre, marshuesve u duartrokitnin, u ofronin ujë dhe ushqime dhe shumica e tyre i bashkoheshin kolonës. Kështu, kolona e marshuesve, në të dalë të Prishtinës, ishte e gjatë diku rreth dhjetë kilometra.
Gjatë gjithë marshimit deri në Vushtrri nuk u shënua asnjë ekses i vetëm, që flet për dinjitetin e lartë të pjesëmarrësve të këtij Marshi. Deri në gjysmë të rrugës nuk pati as raste të alivanosjeve, as të kërkimit të ndihmave mjekësore, pos rasteve të lehta që ishin kryesisht, lëndime nga këpucët.
Pas vargut të gjatë të protestuesve shkonte autokolona e veturave private, e auto kombive, e kamionëve dhe e autobusëve që shkonin t`i kthenin protestuesit në Prishtinë dhe në vendbanimet e tjera të Kosovës, por që ishin të gatshëm që në çdo moment t`u ofronin ndihmë.
Parullat dhe pankartat e Marshit të djeshëm ishin: “Mitrovica është Kosovë-Kosova është një!”, “Mitrovicë-jemi me ju!”, “Mitrovicë-Prishtina është me ty!”, “Mitrovicë-Gjilani është me ty!”, “Nuk ka liri-pa lirimin e të burgosurve!”, “Kriminelët në Hagë!”, “Pa Mitrovicë nuk ka Kosovë!”, “Mitrovica është e minatorëve!”, “Trepça-Trepça!”, “Stop dhunës në Mitrovicë!” etj. 38/ gazeta RILINDJA e datës 22 shkurt 2000. (VIJON)
List of videos