Manifestimi me qirinj pranë Këshillit Evropian
Manifestimi me qirinj pranë Këshillit Evropian
12.12.2016 | 12:16
Vrasja dhe zbardhja e vrasjes së Enver Hadrit (12)
Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi
 
Pasi vrasësi i Enver Hadrit gjendej ende në Greqi dhe diskutohej lidhur me ekstradimin, ne vendosëm ta organizonim një manifestim pranë Këshillit Evropian. Qëllimi ynë ishte të sensibilizonim, përveç opinionit belg, edhe atë të Këshillit dhe të Parlamentit Evropian. Manifestimin e organizuam me qirinj të ndezur dhe me pllakate, ku shkruanim se Enver Hadri ishte vrarë gjashtë vjet më parë në qendër të Brukselit me urdhër të Millosheviqit. Ishte një demonstratë statike që duhej të fillonte në orën 16.00-18.00, por si zakonisht shqiptarët erdhën vetëm rreth orës 17.00 ku e vazhduam deri në orën 19:00.
Në Belgjikë gjatë kohës së dimrit ditët janë më të shkurtra dhe errësohet herët, ndërsa verës e kundërta. Kur ne e filluam manifestimin ishte koha e përshtatshme për ndezjen e qirinjve dhe masa e manifestuesve dukej se kishte pamje të dhembshme. Në fakt edhe vetë atmosfera nën flakën e dobët të qirinjve, pastaj kujtimet për njeriun për të cilin ishim grumbulluar vetvetiu njerëzit i bënte me fytyra të pikëlluara.
Ja teksti në shqip i kërkesës që ia drejtuam kryetarit të komunës, ku ne do ta organizonim manifestim me qirinj me rastin e 6-vjetorit të vrasjes së Enver Hadrit.
Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave të Njeriut në Kosovë
Dega Belgjikë
Avenue de Tervuren 95
Bruksel 1040
Bruksel, më 7 shkurt 1996
Zoti Donea, kryetar
Tema: manifestim publik në rrugë
Kërkesë për autorizimin për datën 22 shkurt 1996
Zoti kryetar,
I nderuar kryetar, në ua bëjmë kërkesën për autorizimin e një manifestimi në territorin e Brukselit.
- mënyra e manifestimit: statik, në heshtje dhe me qirinj të ndezur
- për rastin: 6-vjetori i vrasjes së kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë- Enver Hadrit.
- vendi: të Rrethi Chuman (Këshilli Evropian)
- data dhe ora: më 22 shkurt 1996, takimi në orën 16. 00
Ne, ju falënderojmë paraprakisht dhe jemi në dispozicionin tuaj për çdo informatë më të hollësishme për këtë manifestim.
Behare Rexhepi, kryetare
 
Filmi dokumentar për Enverin
 
Film dokumentar belgo-shqiptar për jetën dhe vrasjen e Enver Hadrit
Për ta sensibilizuar opinionin e huaj mbi vrasjen e Enver Hadrit, Behare Rexhepi dhe Reshat Sahitaj vendosën ta bënin një film dokumentar. Konferencat tona internacionale ishin të fuqishme dhe ndikonin si në opinion publik edhe tek personalitetet politike evropiane. Punimi i një vepre filmike dokumentare do ta prekte jo vetëm opinion publik të huaj, jo vetëm personalitetet politike evropiane, por edhe opinionin publik shqiptar. Shtypi lexohej një herë dhe gjuhej ose nga një pakicë ruhej, ndërsa filmi do të hynte në shtëpi ku mund ta shikonin jo një por tërë familja. Ne ishim të vendosur ta bënim një film dokumentar për jetën, veprën dhe vrasjen e Enver Hadrit, duke menduar se t’i shfrytëzonim ngjarjet ende të freskëta që të mos i harronte pluhuri i kohës. U vendos për film dokumentar, por mjete materiale nuk kishim të mjaftueshme. Të kërkonim para për realizimin e filmit, na dukej diçka e turpshme. Ne, nuk ishim mësuar të kërkonim para mërgatës shqiptare e as biznesmenëve tanë. Madje, kujt t’i kërkonim? Të bënim fushatë për grumbullimin e mjeteve për film dokumentar për jetën e Enver Hadrit, mërgata jonë nuk do jepte asgjë ose aq pak sa nuk mund të hanim as një drekë me mysafirët e ftuar për film. Të grumbullonim pak mjete materiale, pastaj do dilnin thashetheme se kemi grumbulluar shumë dhe kemi përfituar për veti. Njerëzit e shërbimit sekret të Serbisë si atëherë edhe tash janë të zhdërvjelltë për përhapjen e dezinformatave. Vendosëm që me pare tona personale të familjes sonë ta xhironim filmin. Ne nuk duhej të paguanim regjisorin, sepse Alma, vajza jonë ishte studente e dalluar e regjisë në Universitetin për Film dhe Teatër IAD në Louvin. Reshati veç se e kishte shkruar sinopsisin dhe skriptin për skenarin e filmit. Pjesa më e kushtueshme ishin regjisori dhe skenaristi që ne nuk duhej të paguanim asgjë. Për realizimin e një filmi dokumentar të mirëfilltë, janë të kushtueshme udhëtimet, takimet dhe drekat me personalitete evropiane. Nuk mund t’i ftoje ato personalitete e mos t’ua ofroje një drekë. Nuk mund t’i ofroje atyre personaliteteve një drekë e tre punëtorëve të teknikës si dhe regjisorit t’i thoshim ju mund të hani se ne nuk kemi uri. Për t’i përdorur sekuencat e lajmeve që u transmetuan gjatë kohës kur Enver Hadri ishte gjallë duhej të merrnim leje speciale nga ato televizione të huaja si RTL, RTBF, BRT, TF 1 etj.
Sqarim: Filmi është i regjistruar dhe i mbrojtur nga shoqata internacionale për të drejtën autoriale. Para disa vitesh RTK-ja kishte marrë sekuenca të plota nga filmi i Almës, duke mos e precizuar se janë sekuenca të huazuara. Madje filmin e kishin deformuar me dezinformata duke i keqpërdorur sekuencat e filmit nga Alma S. Ne, pasi që bëhej fjalë për Enver Hadrin, edhe pse në mënyrë më amatore dhe tendencioze, nuk reaguam në shoqatën për mbrojtjen autoriale. Mirëpo çdokush tjetër që do t’i përdorin në të ardhmen, pa autorizimin tonë, ne do të detyrohemi të reagojmë. Madje në një libër gjoja për jetën e Enver Hadrit, janë marrë deklaratat e Oto Habsburgut, Jack Vendemelebrouckut, Doris Packut dhe të gjithë atyre që deklaruan për film pa na pyetur dhe duke i shkruar se ata personalitete janë intervistuar nga ai. Ne fakt disa prej atyre personaliteteve ishin te vdekur në kohen kur ai libër u shkrue dhe u botua. Ne po ashtu mund të veprojmë duke e denoncuar në Agjencinë për Mbrojtjen e Filmit në Bruksel, por nuk dëshironim të merremi më të vetëm për shkak të emrit të Enver Hadrit, mirëpo ne rast të ribotimit ne do të ndjekim me procedurë gjyqësore sipas ligjeve në Belgjikë.
Përveç që duhej të merrnim takime me personalitete evropiane për të folur si e kanë njohur Enver Hadrin, ne duhej të merrnim deklarata edhe nga personalitetet shqiptare të njohur siç ishte Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Murteza Nura, me familjen e Enver Hadrit në Kosovë etj. Ne, nuk mund të shkonim në Kosovë, por në Prishtinë e angazhuam Haqif Mulliqin, i cili e krijoi ekipin e tij dhe i bëri intervistat për film me Rexhep Qosjen, Murteza Nurën dhe hallën e Enver Hadrit. Ekipi në Kosovë ka qenë i rrezikuar nga policia serbe, mirëpo vullneti i tyre ka bërë që sot të kemi një film me disa personalitete të cilat nuk janë më gjallë për të dëshmuar. Këshilltar artistik të filmit, Alma e mori regjisorin Isa Qosja i cili pranoi pa asnjë problem. Përveç emrave të lartshënuar askush nuk ka guxuar të deklarohet për Enver Hadrin, edhe pse Haqifi u ka kërkuar secilit prej tyre të thonë nga një fjalë. Tani mund të shesin mend se e kanë pasur shok, mik, të afërt...
Në fund të realizimit duhej ta regjistronim filmin në SABAM e drejta e autorit, duhej të merrnim leje speciale për ta improvizuar vrasjen pikërisht në rrugën ku u vra Enver Hadri. Filmi duhej të titullonim në gjuhen frëngjishte aty ku flisnin personalitetet shqiptare si Rexhep Qosja, Ismail Kadare. Duhej ta titullonim në frëngjsiht aty ku flisnin gjermanisht si Doris Packu e Hambsburgu, ose nga holandishtja në frëngjisht aty kur fliste deputeti dhe miku ynë Zhak Vandemelebruku, Lucas De Vos etj. Filmi duhej të realizohej në dy versione: versioni për opinionin e huaj dhe versioni për opinionin shqiptar. Të gjitha ato deklarata te personaliteteve që i përkthyem nga gjuhet e ndryshme në frëngjisht tani për versionin shqiptar duhej t’i përkthenim shqip. Tekstin e filmit për versionin francez e lexoi Alma Sahtiaj (vajza jonë) ndërsa versionin shqiptar Reshati. Po ashtu e kushtueshme për atë kohë (1993-194), ishte edhe kamera dhe kasetat kualitative si dhe më në fund montazhi. Për ta realizuar këtë film na janë dashur dhjetëmijë marka, që ne kemi marr një kredit. Të gjitha këto, përbënin kompleksin e problemeve që ne duhej t’i përballonim, e që shikuesit brenda një ore film e ka përshtypjen se filmi u krye shpejt. Deklaratën e Ismail Kadaresë duhej ta merrnim në Paris, ku takimin na e kishte rregulluar veprimtari i shquar Musa Jupolli. Në Paris atë mbrëmje binte shi, e në veturë ishim: Reshati, Musa Jupolli, Gani Azemi e makinën e voziste Beharja. Nga shiu që binte, Musa Jupolli i tha Behares të merrte një rrugë që na shpinte në pjesën e Parisit ku jetonte Kadare, por pa e parë mirë rruga ishte njëkahëshe. Nga ana e kundërt drejt nesh vinte një kamion dritat e të cilit Behares ia shkurtuan pamjen e rrugës dhe ajo e ndali veturën buzë trotuarit derisa te kalonte kamioni i cili nuk e ndaloi aspak shpejtësinë. Ne fakt shoferi i kamionit kishte të drejt, sepse ne ishim në rrugën njëkahëshe. Fati që Beharja reagoi shpejt dhe e ndaloi veturën.
Pjesën më të madhe të intervistave i kishim përfunduar gjatë vitit 1993, pjesën tjetër e përfunduam në mars të vitit 1994. Alma në konceptin e saj regjisorial kishte vendosur që vrasjen e Enver Hadrit ta xhironte në rrugën “ST Bernard” pikërisht në semaforin që ishte vra Enver Hadri. Alma ishte konsultuar me gjyqin e hetuesisë në Bruksel rreth vrasjes dhe tani dëshironte që të xhironte ashtu siç kishte ndodhur vërtetë vrasja gjë që u realizua ashtu siç kishte planifikuar. Pas kësaj. Pasi nuk kishim filmime të Enver Hadrit gjatë organizimeve te manifestimeve, Alma vendosi ta organizonim një demonstratë për ngjarjet në Kosovë, dhe në atë demonstratë dikush ta luante rolin e Enver Hadrit.
Demonstrata u organizua para Këshillit Evropian ku morën pjesë rreth 700 shqiptarë dhe me këtë skenë përfunduan xhirimet për filmin dokumentar për Enver Hadrin.
Gjatë asaj kohe sa ishte demonstrata, në Bruksel ishte Azem Zogaj, i cili më t’u kthyer në Kosovë e kishte bërë një shkrim në “Bujku”, i cili ishte marrë në “Rilindja” për diasporë dhe në atë të Tiranës.
Ja se çfarë më shkruante Azem Zogaj më 12. 04. 1994: ...Shpresoj se shkrimi për filmin, i botuar në “Rilindje” të Zvicrës, të ka rënë në dorë. Unë ta dërgoj shkrimin që u botua në “Bujku” të Prishtinës i marrë nga “Rilindja” e Evropës. E ky shkrim është botuar edhe në “Rilindja” e Tiranës si dhe është emituar nga Shaqir Foniqi në “Radio Tiranë”.
Shpresojmë se për filmin dhe punën tënde të vlefshme, do të dëgjohet edhe më.
Azem Zogaj 12/04/1994, Prishtinë (VIJON)
 
(Autorët, të cilët ende janë gjallë, ishin bashkëpunëtorë të Enver Hadrit)
List of videos