Përmbledhja poetike e Enver Hadrit
Përmbledhja poetike e Enver Hadrit
16.12.2016 | 12:00
Vrasja dhe zbardhja e vrasjes së Enver Hadrit (16)
Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi
 
Në bashkëpunim me familjen e Enver Hadrit, veçmas me motrën e tij Nediha Grapci, botuam librin poetik të Enver Hadrit “Emri, varri im” në vitin 2001.
Nediha Grapci kishte grumbulluar poezitë që Enveri i kishte lënë në dorëshkrim. Unë (Reshati) kam zhvilluar bisedime me Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së, për mundësitë që librin ta përkrahte financiarisht. Pas premtimeve të Ramushit, bisedova me Ali Podrimen që ishte mik i Enver Hadrit në kohën e rinisë dhe miku im dhe u vendos ta botonim përmbledhjen me poezi. Poezitë e grumbulluara nga Nedihaja i redaktoi Salih Bashota dhe u botuan nga shtëpia botuese “Rozafa”. Libri hapet me recensionin e Sali Bashotës dhe vazhdon me poezitë e Enver Hadrit për të përfunduar me një shkrim nga Ali Podrimja dhe Reshat Sahitaj. Sponsor i botimit të këtij libri ishte AAK-ja.
Botimin e librit poetik të Enver Hadrit personalisht e ka përkrahur Ramush Haradinaj. Madje Ramushi ka kontribuar shumë në institucionet tona që Enver Hadri të shpallet dëshmor i kombit, që edhe u aprovua nga Presidenca e Kosovës së asaj kohe. Gjatë këtyre viteve në Kosovë, kemi publikuar një mori shkrimesh për veprimtarinë e Enver Hadrit, dhe deri në vitin 2009, kemi organizuar rregullisht çdo vit mbrëmje komemorative për Enver Hadrin. Me rastin e botimit të një libri nga një autor i panjohur, ku jo vetëm se injorohej puna dhe bashkëpunimi ynë dhe i Gani Azemit me Enver Hadrin, nga disa të afërm e të largët, ne kemi pushuar të merremi me mbrëmje përkujtimore dhe shkrime të tjera për punën që ka bërë Enver Hadri dhe ekipi i tij në Bruksel për dekada të tëra.
 
Përfundim
 
Jemi të bindur se as familja, as ndonjë organizatë politike apo kulturore, as ndonjë shokë e joshok, nuk ka bërë, jo sa ne, por gati mund të thuhet asgjë për zbardhjen e vrasjes se Enver Hadrit deri në vitin 1999. Kurse Qeveria e Kosovës në ekzil jo që nuk kanë bërë asgjë, por më shumë kanë penguar.
Ne e kemi kryer detyrën tonë ndaj Enver Hadrit, me të cilin ishim miq dhe bashkëpunëtor ne ditët e vështira. Ne jemi grindur mes veti për opsione të ndryshme politike, por gjithnjë kemi qenë miq deri në vrasjen e tij.
Më këtë që u shkrua, nuk kërkojmë që dikush të na jep mirënjohje, as të na falënderojë, e as të na respektojë, sepse ne nuk varemi nga falënderimet e mirënjohjet e askujt.
Jemi të bindur që kemi kryer një detyrë kombëtare me dinjitet, me sinqeritet, më përkushtim dhe më një profesionalizëm, që as sot nuk mund t’i kryejnë ambasadat tona.
Jemi të bindur, se disa do të thonë: ju paskeni shkruar më shumë për vetën tuaj se sa për Enver Hadrin. Nëse logjikojnë në këtë mënyrë, ata janë ose naivë, ose të paguar nga një forcë e errët antishqiptare që dëshiron t’i njollosi te gjitha figurat shqiptare, qe vepruan për çështjen kombëtare.
Sikur ndonjëri të shkruante dhe të bënte për ne, siç kemi shkruar dhe bërë ne për Enver Hadrin, do të ishim mirënjohës dhe krenar për autorë të tillë.
Shkrimi ynë nuk duhet të konsiderohet si një monografi, që një krijues e shkruan për një hero. Jo. Kur një krijues angazhohet të shkruajë monografi për një dëshmor, ai shërbehet me dokumentet që ia ofrojnë familjaret, shokët, ato që i zbulon në arkiva etj.
Ne jemi në një pozitë krejt tjetër nga krijuesit e tillë, sepse jemi pjesë e aktiviteteve që bashkërisht i kemi bërë. Madje siç keni pasur rastin të lexoni, ne, figurë qendrore e kemi Enver Hadrin deri në momentin kur ai u vra. Pas vrasjes së tij, ne kemi rrëfyer dhe dokumentuar nëpërmjet fakteve, ato aktivitete që ne i kemi bërë për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit.
Pa pjesën e dytë të këtij vëllimi, veprimtaria e Enverit në Bruksel nuk do të ishte komplet. Në pjesën e parë është shkruar për veprimtarinë dhe vlerësimin e aktiviteteve të Enverit, ashtu siç ka ndodhur në jetë. Ai, e as ne, nuk kemi menduar se jemi duke bërë punë të mëdha që po pengohej Jugosllavia.
Në pjesën e dytë, bëhet njëlloj rivlerësimi i tërë aktivitetit të Enver Hadrit dhe vlerësimi i punës së bashkëpunëtorëve të tij që ai kishte lënë pas tij. Ai rivlerësim duket në komunikatat tona, në konferencat internacionale për medie, në takimet tona, në filmin që ia kemi bërë, që në fakt vlerësohet edhe puna e pasardhësve të Enver Hadrit.
Nga këto dokumente duket se Enveri në fushën diplomatike ka lënë pasardhës të denjë, kështu mendojmë ne, por ju mund të gjykoni sipas shkrimeve që i keni lexuar në këtë vëllim dhe shkrimeve në vëllime të tjera.
Është krijuar njëfarë bindje e shumë familjarëve, bijtë e të cilëve janë dëshmorë, se të gjitha aktivitetet i ka bërë biri i tyre, e tjerët asgjë nuk paskan vepruar.
Është krijuar njëfarë auto-besimi, njëfarë superioriteti i bijve e bijave, i prindërve e vëllezërve, grave dhe burrave, që ata si trashëgimtarë i gjakut të një dëshmori, të mendojnë se janë trashëgimtarë edhe të aktiviteteve dhe çështjes kombëtare.
Këta mendojnë të jenë të respektuar pas shpalljes dëshmor të birit, burrit, babait, vëllait... më shumë se çdokush tjetër në Kosovë. Mirëpo nga superioriteti që e kanë, këta nuk e respektojnë askënd, e aq më pak bashkëpunëtorët e familjarit të tyre që u shpallë dëshmor. Këta janë superior thua se është meritë e tyre që familjari ishte patriot. Ky fenomen është prezent në shumicën e familjeve bijtë ose bijat e tyre që ranë dëshmorë.
Duke mos ia respektuar bashkëveprimtarët dëshmorit të familjes së tyre, këta e fshehin inferioritetin e tyre dhe relacionet e brendshme familjare. Në këtë mënyrë të tillët e fshehin pasivitetin e tyre gjatë kohës kur dëshmori kishte vepruar pa lejen e familjarëve. Nëse nuk respektohen bashkëluftëtarët e prindit, vëllait, burrit..., këta e konfirmojnë se as sot nuk e respektojnë familjarin e tyre tanimë të shpallur dëshmor.
Zakonisht kësi bindje kanë familjarët të cilët vetë nuk kanë bërë asgjë për Kosovën, dhe tani nën hije e bijve e bijave te tyre, dëshirojnë të marrin monopolin e çdo gjëje kombëtare.
Kur e kam shkruar monografinë për Musa Hotin, versionin e parë ia dorëzova familjarëve për ta lexuar, dhe shtuar diçka që unë kisha harruar, ata ma kthyen duke më thënë se unë kisha shkruar më shumë për vete se për Musa Hotin. Ata dëshironin që për gjitha aktivitetet në Belgjikë atributin ta kishte Musa Hoti. Musa kishte vrarë trupin diplomatik të ambasadës jugosllave dhe kjo ishte tema kryesore e trajtimit të asaj monografie, si dhe aktivitetet të tjera që ai i kishte bërë në Bruksel. Musa Hoti, do të mbetët në histori për aktin e tij patriotik që e ka kryer, por jo për aktivitete të tjera të cilat nuk i ka kryer e që dikush nga familjaret dëshironte t’ia veshte. Ata duhet të jenë krenar me aktin unik në botën shqiptare që e ka bërë Musa Hoti.
E njëjta gjë duhet të vlejë për familjen e Enver Hadrit, të cilëve librin në dorëshkrim nuk ua kemi dhënë ta lexojnë, e as të shtojnë asgjë, me shpresë se ata duhet ta kuptojnë, se ne kemi shkruar në piedestal për punën e Enver Hadrit. Atë veprimtari që ai e kishte bërë gjatë kohës sa vepruam bashkë dhe gjithnjë duke u bazuar në dokumente të asaj periudhe.
Familja e tij duhet të jenë krenar që Enver Hadri do të mbetët diplomati i parë kosovar, njeri i parë që i hapi dyert e Parlamentit Evropian.
Familjarët e dëshmorëve duhet ta mbrojnë imazhin e birit të tyre, nëse dikush i shtrembëron faktet, nëse dikush dëshiron t’ia përvetësojë punën e dëshmorit, nëse dikush shpif të pavërteta për jetën e tij, por kur një bashkëpunëtor i tyre shkruan duke e respektuar aktivitetin e tyre të përbashkët ai i meriton të gjithë respektin.
As Skënderbeu nuk ka vepruar vetë, as Hasan Prishtina e askush në botë nuk ka vepruar vetë në një organizim. Vetë mund të shkruhet një libër. Vetë mund të vritet një apo disa individë, siç bëri Musa Hoti. Vetë mund të dashurohesh, por vetë nuk mund të lindë fëmijë, e as të punosh për çështjen kombëtare. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për familjen e Gani Azemit, për të cilin ende nuk kemi shkruar, por do të shkruajmë, pasi një muaj para se Ganiu të vdiste më gojë, por edhe më shkrim e la amanet që të shkruaj për të. Ne mund të shkruajmë vetëm për kohën qe ne kemi vepruar bashkë me Gani Azemin, qe nga viti 1979-1999. Deri më vitin 1990, me Gani Azemin vepruam bashkë, ndërsa me themelimin e partive politike, ai u angazhua ne LDK, ndërsa ne, në asnjë parti politike, por vepruam me Byronë Informative të Republikës së Kosovës. Pavarësisht se ai ishte në LDK, ne bashkëpunonim me Gani Azemin dhe kryesinë e LDK-së sa herë që paraqitej nevoja. Në ndonjë shkrim eventual për veprimtarinë e Gani Azemit, ne mund të shkruajmë vetëm për kohën sa vepruam bashkë dhe për aktivitetet tona të përbashkëta, ndërsa për kontributin e tij në kuadër të LDK-së mund ta shkruajnë të gjitha ata që kanë vepruar në ato korniza partiake.
Nëse krijohet bindja se në Bruksel ishte vetëm një njeri, është gabim. Para se ne të shkonim në Belgjikë kishte të tjerë që vepruan për Kosovën. Hamëz Deveteku mbante gjallë frymën patriotike me organizatën e tij Lidhja e Dytë e Prizrenit.
Ishte Vehbi Ibrahimi që ka shumë tendenca që të harrohet veprimtaria e tij patriotike. Vehbi Ibrahimi duhet të jetë në piramidën e dëshmorëve bashkë më Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sepse ishte i pari që UDB-a e vrau në qendër të Brukselit. Ishte Musa Hoti i cili më krismën e tij futi tmerrin Serbisë.
Ishte Hysen Karaliu e shumë të tjerë që e vazhduan rrugën e Musës. Secili e ka rëndësinë e tij. Enver Hadri i hapi dyert e Parlamentit Evropian, ne tjerët e vazhduam që këto dyer të hapeshin edhe më shumë dhe të rrinin të hapura deri më 1999.
Ne i kemi shpalosur për publikun dhe studiuesit tanë, vetëm ato dokumente qe i kemi ruajtur nga aktivitetet e asaj kohe. Në qoftë se familja ka ruajtur dokumente të tjera të pa publikuara ne këtë vëllim, ata me siguri që do t’i botojnë. Nëse ndonjëri posedon dokumente që ne nuk i kemi pasur ne dispozicion, do të ishte mirë t’i publikojnë, sepse në këtë mënyrë pasurohet edhe më shumë veprimtaria e Enver Hadrit.
Në arkivin tonë i kemi ruajtur edhe disa dokumente të aktiviteteve tona për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit, por ato mund të publikohen më vonë.
Shpresojmë që lexuesit dhe studiuesit të kenë material të mjaftueshëm për t’i vlerësuar këto aktivitete e veçmas arsyen e vrasjes së Enver Hadrit nga shërbimi sekret serb. (FUND)
 
(Autorët, të cilët ende janë gjallë, ishin bashkëpunëtorë të Enver Hadrit)
List of videos