Philipe Preu e refuzoi ftesën e Millosheviqit
Philipe Preu e refuzoi ftesën e Millosheviqit
14.12.2016 | 12:08
Vrasja dhe zbardhja e vrasjes së Enver Hadrit (14)
Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi
 
Pas intervenimeve të shumta me shkrim të Ambasadës Jugosllave në Bruksel, ata e gjetën mundësinë për ta kontaktuar Philipe Preun nëpërmjet telefonit. Philipe u kishte treguar se Këshilli Organizativ i Festivalit kishte vendosur që filmi të shfaqej dhe nuk kishte mundësi ta ndalonte këtë film. Pavarësisht se Philipe ua tregonte vendimin, ata e kishin ftuar në një takim me ambasadorin. Në takim me ambasadorin Philipet i kishin thënë se personalisht Sllobodan Millosheviqi po e ftonte në vizitë në Beograd. Të ftohej në një takim me Millosheviqin ishte një privilegj për çdo individ, pavarësisht se Millosheviqi ishte kriminel. Philipe Preu dhe gazetari i “De Standarde” Axel Beus, ishin dy personalitete që Millosheviqi i kishte ftuar personalisht dhe u kishte ofruar kushte specifike. Asnjëri prej këtyre dy personaliteteve nuk e pranuan ofertën e Millosheviqit, sepse ishin miqtë tanë dhe nuk i tradhtuan interesat e shqiptarëve. Kur ne shkruajmë se takimi i individëve të Perëndimit me Millosheviqin ishte privilegj, ka disa që mendojnë se nuk ishte ashtu. Mirëpo, Millosheviqi nuk i kishte ftuar vetëm sa për t’i takuar. Në atë takim ai do të kishte ofruar shumë të madhe parash. Mos i kushtonte shumë Millosheviqit t’i paguante disa individë?! Imagjinon ju sikur Atifete Jahjaga (sa jemi duke shkruar këtë libër ajo është kryetare e Kosovës ), ta ftonte cilindo gazetar apo profesorë të Universitetit të Prishtinës në takim, nuk do ta merrte gjumi deri të përfundonte takimin. Brukseli ishte në zemër të Evropës dhe vetë zemra e Evropës. Gazetat dhe ngjarjet kulturore në Bruksel kanë jehonë internacionale. Pikërisht në Bruksel Jugosllavisë po i bëhej presioni më i madhi si në rrafshin mediatik edhe në atë politikë. Shfaqja e filmit për Enver Hadrin në këtë festival ishte ngjarje vitit në rrafshin kulturo-politik në zemër të Evropës, ku po merrnin pjesë regjisorë, aktorë, gazetarë të 54 shteteve.
Philipe në letrën e vet shkruante:
I nderuar,
Ju mund të shkruani në titrat e filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”: në bashkëpunim më Kinema Mesdhetare në Bruksel”
Philippe Preu, nënshkrimi
 
Kush është Philippe Preu?
 
Philipe ka përfunduar studimet e Letërsisë. Në shumë festivale të ndryshme evropiane ishte juri profesionale. Aktualisht është shef i Departamentit Audovizual në Ministrinë e Kulturës së Regjionit Bruksel.
Philipe Preu është një qytetar belg, i vendosur në miqësinë që e kishte krijuar me ne. Mund t’i bëni pyetje cilitdo regjisor, gazetar dhe aktor të Kosovës se kush ishte zoti Philipe Preu. Philipe i ka pranuar të gjithë filmat e regjisorëve tanë dhe u ka ofruar komoditet dhe respekt të barabartë me regjisoret tjerë botëror të njohur. Deri sot, a e ka ftuar ministri i kulturës, apo kryetaret e Kosovës zotin Philipe Preu që t’ia japin një copë letër ku shkruan “Mirënjohje”? Jo. A e ka ftuar ndonjëri nga kryetaret apo ministrat e kulturës, Ministrin e Kulturës së shtetit belg, që t’ia japin një copë letër “Mirënjohje” ? Mos mendoni se kishte shumë ministra në Evropë apo SHBA që e refuzuan ofertën e Millosheviqit. Jo, jo nuk kishte. Këto janë dokumente të arkivuara e të sistemuar dhe fakte të asaj kohe. Kam përshtypjen se edhe disa regjisorë, gazetarë, aktorë të cilët Philipe Preu i ftoi dikur në Festivalin Mesdhetar, tani janë mosmirënjohës, e dikur para se të vinin në Bruksel dhe pasi ktheheshin i mbushnin faqet e gazetave me krenari për sukseset e tyre. E sot? Sot, a nuk munden te gjithë bashkë t’ia bëjnë një letër presidentit apo ministrit të Kulturës, për të kërkuar që këta t’i respektojnë ata që në ditët e vështira na ndihmuan?! Për problemet që Serbia po na i bënte në Festival, u njoftuan edhe personalitetet politike në Kosovë. Gjatë konferencës për shtyp të LDK-së në Prishtinë Ibrahim Rugova, në fjalimin e tij, si argument kundër Serbisë do ta përmendte filmin e Almës “Kosova është gjaku ynë që nuk falët”.
Po të shkruajmë sipas qejfeve të njerëzve dhe sipas politikës ditore, nuk duhet ta përmendim se presidenti Ibrahim Rugova kishte folur për filmin të cilin Serbia tentonte ta ndalonte. Ibrahim Rugovën nuk e kishim thirr në telefon kishte një kohë të gjatë e as që i dërgonim letër për ta njoftuar rreth filmit. Ai e kishte përcjell situatën nga larg dhe vetë fakti se Serbia po tentonte të ndalonte një film në shtet demokratik, ishte argument që lirisht mund ta akuzonte Serbinë dhe e kishte bërë duke e përdorur këtë provë të pakontestueshëm. Për ne personalisht nuk kishte aspak rëndësi deklarata e Ibrahim Rugovës, por po ta shikojmë në interesin e përgjithshëm kombëtar kishte shumë dobi ajo deklaratë për opinionin e huaj.
Disa personalitete tona politike dhe kulturore, nuk dinë t’i përdorin forcën e argumentit e as t’i nderojnë ata që na ndihmuan. Për këtë që po e shkruajmë, nuk jemi në asnjë forcë politike aktuale. Kur ndonjë personalitet ka vepruar mirë dhe që ne kemi pasur bashkëpunim shkruajmë ashtu siç ishte, kur personaliteti ka ndryshuar ne kemi shkruar për ato ndryshime gjithnjë ne bazë të dokumenteve të kohës.
 
Suksesi i filmit në festival
 
Në Bruksel të ftuar të festivalit ishin: Isa Qosja, Alma Sahitaj, Lirije Begeja dhe regjisoret nga Shqipëria Fatmir Koçi etj. Me Isa Qosjën ishte Gani Mehmeti si gazetarë për ta përcjellë festivalin dhe filmat shqiptarë që atë vit kishim arritur t’i plasojmë.
Organizatorët e festivalit kishin shitur tërë biletat për filmin e Almës “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”. Salla ishte mbushur, por problemi ishte se kishte edhe shumë të tjerë të mbetur jashtë.
Organizatorët u detyruan që filmin ta programonin edhe për të dytën herë gjë që kurrë nuk kishte ndodhur ne ketë festival.
Ja pjesërisht se ç’shkruante Gani Mehmetaj me titullin: “Ambasada e ish-Jugosllavisë kërkoi ndalimin e filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”. Philipe Preu: “Ky është një absurd”.
Duke e komentuar presionin serb kundër shfaqjes së këtij filmi, Philipe Preu shprehu habinë me fjalët: “Ky është një absurd. Përfaqësuesit e ambasadës së ish-Jugosllavisë thjeshtë kërkuan që t’i hiqnim afishet dhe ta ndalonim shfaqjen e filmit, i cili sipas tyre qenka film në shërbim të propagandës shqiptare për ta njollosur Jugosllavinë. Ne refuzuam ta ndalonim këtë film, sepse këtë film e ka lejuar komisioni i festivalit në Belgjikë. Philipe Preu ka theksuar se “kjo është hera e parë që një shtet i huaj të intervenojë në një festival për ndalimin e filmit...”, Gani Azemi “Rilindja”, 11 tetor 1994.
Në revistën zyrtare të festivalit ja si u prezantua filmi.
Përkthimi në gjuhën shqipe:
“Kosova është gjaku ynë që nuk falet”
Pranverë. Diku në një rrugë të Brukselit, një njeri vritet në veturën e tij. Vrasja do të dukej banale sikur të mos ishte atentat i përgatitur dhe sikur viktima të mos ishte Enver Hadri. Njeriu ishte në luftë të përhershëm për ta mbrojtur tokën dhe kulturën e Kosovës, vendin ku ai u lind, atdheu ku u lindën gjyshërit e stërgjyshërit e tij - shqiptarët të cilët jetojnë nën okupim diktatorial në një sistem ku prezent është terrori. Aktivitetet e tij dhe besimi i tij për fitoren përfundimtare të shprehura haptas do të pengojnë shërbimin sekret të diktatorit.
Viktimë për shkak të angazhimit të tij politik dhe kulturor, Enver Hadri simbolizon në mënyrë të përsosur luftën e popullit shqiptar në kërkim të të drejtave dhe lirinë e tyre të nëpërkëmbura, e cila luftë përcillet në gjakun e çdo shqiptari në Kosovë, gjeneratë pas gjenerate qoftë ai brenda ose i mërguar.
Nëpërmjet momenteve emocionuese të thella, fragmenteve historike, biografisë, intervistave më dëshmitarë, regjisorja e re kosovare Alma Sahitaj, ka dëshiruar që të na propozojë më shumë se një film dokumentar, një film i cili hapet si një vepër filmike politike me një punim filigrani, të një dritareje të hapur në mes situatës në Kosovë dhe dramës që është duke e përjetuar populli i saj.
Film: belgo-shqiptar
Produksioni & copyright 1994
Kohëzgjatja: 60 minuta
Regjia: Alma Sahitaj
Këshilltar artistik: Isa Qosja
Kamera: Ben Mokaden& Milahim Breznica& Gëzim Bexheti& Sahit Thaçi. (VIJON)
 
(Autorët, të cilët ende janë gjallë, ishin bashkëpunëtorë të Enver Hadrit)
List of videos