Pse Jugosllavia i prishi relacionet diplomatike me Belgjikën?
Pse Jugosllavia i prishi relacionet diplomatike me Belgjikën?
13.12.2016 | 12:12
Vrasja dhe zbardhja e vrasjes së Enver Hadrit (13)
Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi
 
Pas përfundimit të xhirimeve dhe montazhit të filmit, pasi ishim një kohë të gjatë në relacione shumë të mira me organizatorët e Festivalit të Filmit Mesdhetar në Bruksel, ku edhe i ndihmonim këshillit organizativ t’i seleksionim filmat shqiptarë për këtë festival, kërkuam që filmi për Enverin të bëhej në bashkëpunim me festivalin. “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” - kjo ishte fjalia që Enveri e shkruante në çdo revistë të tij. Me këtë titull të poezisë së Ali Podrimjes, Alma vendosi ta titullonte filmin e saj për Enver Hadrin. Ishte hera e parë që një film po realizohej në bashkëpunim me një shtet perëndimor film belgo-shqiptar. Në fakt, Ministria e Kulturës së Belgjikës nuk ndihmoi asgjë materialisht, por vetë bashkëpunimi që filmi të ishte në koproduksion me Belgjikën zgjonte interesim të madh dhe më vonë, siç do të lexoni, Jugosllavia, respektivisht Serbia, do të tmerrohej jo vetëm nga ky bashkëpunim, por edhe nga prezantimi i filmit në festival. Në këtë bashkëpunim rol të rëndësishëm luajti Philipe Preu, që ishte organizator i festivalit (dhe është ende). Philipe Preu ishte miku ynë që nga viti 1988, kur Reshati dhe Enveri i ndihmuan gjatë festivalit me rastin e shfaqjes së filmit “Flutura në kabinën time” të regjisorit Vladimir Prifti. Që nga ajo kohë e ende tash miqësia me Philipe Preun dhe relacionet tona vazhdojnë të jenë shumë të mira. Preu në çdo Festival na ndihmonte që t’i shfaqim filmat e prodhimit të Kosovës ku i ftonim edhe regjisorët tanë nga Prishtina. Filmat që u shfaqnin në këtë festival, në gazetën zyrtare të festivalit, shkruante se janë nga Kosova pa e cekur askund Jugosllavinë. Lidhur me këtë, zoti Philipe Preu gjithnjë do të kishte probleme, por kurrë deri sot nuk u përkulë t’u nënshtrohej presioneve diplomatike që e shantazhonte Jugosllavia nëpërmjet ambasadës së saj në Belgjikë.
 
Nga konferenca e shtypit të Festivalit Mesdhetar
 
Këtë vit ne kishim arritur t’i fusnim në Festivalin Mesdhetar shtatë filma shqiptarë në mesin e 54 filmave ndërkombëtarë. Seleksionimi i shtatë filmave nuk ishte rastësi, por angazhim dhe punë intensive. Në mesin e filmave shqiptarë të seleksionuar ishin pesë filma nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. “Prilli i thyer” nga Lirije Begeja, “Qind për qind” nga Artan Minaroli dhe Petrit Ruka, “Zemra e detit” nga Besnik Bisha”, “Nekrologji” nga Fatmir Koçi, “Proka” nga Isa Qosja” dhe “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” nga Alma Sahitaj.
Në artikullin e “Rilindje” përveç tjerash shkruante: “Duke e pasur parasysh se filmi ‘Kosova është gjaku ynë që nuk falet’ është realizuar nga regjisorja më e re e festivalit, zoti Philipe Preu bëri veçmas një vështrim special për regjisoren dhe filmin e saj... Alma është një regjisore e re përplot talent, për të cilën festivali ynë hapi perdet... Filmi ‘Kosova është gjaku ynë që nuk falet’ i kalon suazat e një filmi të thjeshtë dokumentar, andaj ky është një film politiko-artistik, mbi jetën, kushtet dhe tragjedinë e një populli. Filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet’ u bë në bashkëpunim me ne, me Festivalin Mesdhetar, dhe më sa di unë, ky është filmi i parë nga Kosova në kooproduksion më një shtet evropian”. / “Rilindja”, 10 shtator 1994
Pasi filmi ishte seleksionuar në Festivalin Mesdhetar, Ambasada e Jugosllavisë, i dërgon notë proteste drejtorit të Festivalit, Ministrisë së Kulturës Belge, ministrit të Punëve të Jashtme të Belgjikës dhe bënte presion që filmi të hiqej nga pjesëmarrja në festival. Në notat proteste diplomatike Serbia shkruante se filmi i Almës “Kosova është gjaku ynë që nuk falët” të hiqet nga festivali, sepse, sipas tyre, filmi nuk paraqet realitetin për vrasjen e Enver Hadrit dhe se është kundër popullit serb.
Përgjigjet e Ministrisë belge, ishin precize dhe të prera: “Belgjika është shtet demokratik, në Beograd mund t’i ndaloni filmat e tillë, por jo në Belgjikë”.
Janë rreth 20 faqe tekst të këtyre letërkëmbimeve, të cilat pjesërisht po i botojmë.
Sqarim: Ambasadori i Jugosllavisë në Bruksel, kishte kërkuar disa herë nëpërmjet telefonit që të bisedonte me Philipe Preun, por ai kishte porositur sekretaren e tij që të thoshte se ai nuk gjendej në zyrë. Në pamundësi për t’u takuar me Philipe Preun, ata ia dërgojnë notë protestuese diplomatike, siç keni mundur ta lexoni në përkthimin shqip.
Të njëjtën ditë dhe të njëjtën letër, por me një shtojcë, Ambasada e Jugosllavisë ia shkruan edhe ministrit të Kulturës, duke u ankuar për filmin që do të shfaqej ne Festival.
Ja kopje nga letra e protokolluar në kabinetin e ministrit të Belgjikës që ka vulën e datës 30 shtator 1994.
Përkthimi i kësaj letre në shqip:
Ministrit - presidentes dhe Bashkësisë
Laurette Onkelinx
Zonja Ministre,
Bashkangjitur po ua dërgoj kopjen e letrës së kësaj dite zonjës Pulings, drejtoreshë e Përgjithshme e Komisionit.
Dëshiroj t’ua tërheq vëmendjen për problemin që është krijuar me prezantimin e (9 tetor 1994) të një filmi antijugosllav “Kosova, gjaku im që nuk falët”+, në Festivalin e Filmit Mesdhetar në Bruksel.
Do të dëshironim që ju ta tregoni vullnetin tuaj duke e përdorur influencën tuaj, që filmin e cituar më lartë ta tërhiqni nga programi.
Ju falënderoj shumë, për vazhdimin e juaj që do ia bëni ankesës sime.
Zonja ministre, pranoni përshëndetjet e mia më të larta.
Dragan Momçilloviq
I ngarkuari me punë a. i.
Në dy ministritë e Belgjikës në atë të shtetërore dhe regjionale si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës ishte krijuar problem, Jugosllavia kërcënohej për prishje të relacioneve diplomatike ku shkaku ishte filmi i Almës për Enver Hadrin e në qendër të problemet ishte Philipe Preu. Philipe Preu ishte i vendosur që filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”, të shfaqej në emër të kooproduksionit belgo-shqiptar dhe atë si film nga Kosova. Philipe Preu nuk ua kishte frikën as superiorëve të tij, të cilët mund ta kërcënonin me humbje te vendit të punës. Kurrë Philipe Preu nuk na ka treguar kishte pasur kërcënime për ta larguar nga puna, por as nuk e kemi pyetur kurrë. Nga vetë letrat që vinin nga ambasada nënkuptohej se ishte kërcënim.
Lorrette Onkelinxi letrën e Ambasadës ia bartë ministrit Charle Pique dhe ja se çfarë i shkruan:
Përkthim i letrës së Lorette Onkelinxit
Ministër- President
Nos REF 94/C2/FR/LD/221
(Ky nr. të tregohet në çdo letërkëmbim)
Laurette Onkelinx
MINISTRIT- CHARLES PICQUE
Ministrit të regjionit Bruksel
Rue Ducale, 7-9 Bruxelles 1000
Zoti Ministër,
I dashur Charles,
Ti do ta gjesh bashkangjitur, kopjen e një letre që ma ka dërguar zoti Dragan Milutinoviqi për shfaqjen e filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falët”, në Festivalin Mesdhetar të Filmit në Bruksel.
Të interesuarit i është treguar se transferimin e letrës ta kam dërguar.
Të dëshiroj lexim të këndshëm,
Lorette Onkelinx
Pasi ministri belg e merr letrën e ambasadës ja se ç’përgjigje jep:
Pasi përgjigja është e gjatë ne po e përkthejmë vetëm pjesët më interesante të përgjigjes së ministrit Charles Picque.
VIII/YVDV/5422/133495
...E lexova reagimin e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Federative Jugosllave.
...Seleksionimi i filmave ngreh shumë parametra, mirëpo do të ishte e pamundur të imagjinonim që festivali të shfaqë filma sipas koncepteve të qeverive, të cilat u përkasin. Për shembull, produksioni algjerian dhe shumë filma të realizuar nga këta regjisorë, të cilët sot kritikohen kur madje edhe jeta e tyre është në rrezik brenda shtetit të tyre dhe nganjëherë nga qeveria zyrtare.
Pra, ti do ta kuptosh se në këto kushte të paraqitura në letrën e Dragan Milutinoviqit, është relativizuar, dhe si do që të jetë, përjashtohet mundësia madje të imagjinohet që festivali ynë nesër të bëhet sipas dëshirave dhe interesave të paraqitura nga Ambasada.
Në anën tjetër, gjatë tërë kohëzgjatjes së festivalit, janë organizuar tryeza të rrumbullakëta me debate, dhe do të ishte mirë që secili të shpreh opinionin që ai i referohet...”. (VIJON)
 
(Autorët, të cilët ende janë gjallë, ishin bashkëpunëtorë të Enver Hadrit)
List of videos