Qëndrimi i qeverisë shqiptare
Qëndrimi i qeverisë shqiptare
29.12.2016 | 14:26
Shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi sipas dokumenteve diplomatike të Qeverisë shqiptare (II)
Prof. assoc. dr. Sabit Syla*
 
Qëndrimi i udhëheqjes politike shtetërore të Tiranës, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ka qenë që ata të mos shpërnguleshin për Turqi, por të qëndronin në vend si popullsi kompakte. Shpërnguljet kishin shkaktuar një indinjatë të thellë tek qeveria shqiptare. Informimet për shpërngulje bën që qeveria shqiptare ta koordinojë veprimtarinë e saj në planin politik e diplomatik. Natyrisht, alarmi nga Tirana preku qeverinë turke në Ankara dhe krijoi shqetësime në qarqet qeveritare jugosllave. Kjo e fundit vazhdimisht u demaskua për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata ta lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi. Për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, përveç sektorëve të tjerë të shtetit, u ngarkuan edhe Legatat Shqiptare, të cilat do ta konkretizonin interesin përmes vizitave, shtypit, kontakteve të drejtpërdrejta, e duke dalë edhe me propozime konkrete për metodat e realizimit të tyre. Një detyrë e rëndësishme ishte frenimi dhe pengimi i emigrimit të shqiptarëve në Turqi, nëpërmjet vendosjes së kontakteve me shqiptarët e shpërngulur nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Ky objektiv iu ngarkua në veçanti Legatës Shqiptare në Ankara e Beograd.
Për Tiranën, një burim i rëndësishëm informacioni për shqiptarët në Jugosllavi vazhdonin të ishin burimet informative-diplomatike. Legatat shqiptare dërgonin relacione të posaçme për gjendjen e shqiptarëve të atyre viseve dhe për politikën jugosllave të shpërnguljes së tyre në drejtim të Turqisë etj. Madje edhe vetë ministri Bato Karafili, kishte bërë një vizitë në Kosovë e Maqedoni me qëllim që të njihej për së afërmi rreth gjendjes së shqiptarëve, se sa prej tyre largoheshin për në Turqi. Pas vizitës së bërë ia dërgoi një relacion Ministrisë së Punëve të Jashtme (Degës së Dytë) në Tiranë, i cili përmbante një sërë të dhënash për çështjen në fjalë.
Shteti shqiptar edhe në mënyrë zyrtare, bëri përpjekje për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Lidhur me këtë çështje, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Behar Shtylla, udhëzoi përfaqësuesin e Legatës Shqiptare në Ankara që të bisedojë me autoritetet turke për të parandaluar një fenomen të tillë. Më 1959, sipas udhëzimeve përfaqësuesi diplomatik shqiptar ndërhyri pranë autoriteteve turke për të mos pranuar emigrimin e shqiptarëve në Turqi dhe qeveria turke kishte dhënë sigurinë disa herë se, “duke kuptuar drejt ndjenjat kombëtare, do të merrte masa për të ndaluar emigrimin e duke vazhduar një kontroll të fortë mbi kombësinë e personave emigrantë”. Ndërkohë një vit më vonë (me 1960), në Ministrin e Jashtme u nxor një “Plan masash për propagandë lidhur me Kosovën”. Ndër të tjera aty kërkohej, që të nxiteshin shqiptarët në Turqi për të shkuar të njerëzit e tyre në Jugosllavi, me qëllim që të mos shpërngulen për në Turqi.
Përveç ndërhyrjes pranë autoriteteve turke, edhe vet Legata në Ankara kishte kërkuar nga Ministria e Jashtme, që Shqipëria të angazhohej maksimalisht që t’i kundërvihej propagandës jugosllave në forma të ndryshme në mënyrë që popullata shqiptare të mos dekurajohej nga propaganda jugosllave dhe të bënte përpjekjet e veta që ta ruante qenien e vetë kombëtare. Në veçanti i sugjerohej Tiranës që të pengohej shpërngulja e popullatës shqiptare për në Turqi, e ndër të tjera propozonte: a) Të demaskohen edhe më tej veprimet kriminale të jugosllavëve për nxitjen e emigrimeve; b) Me qenë se Radio Tirana këtu në Turqi dëgjohet shumë mirë, do të ishte mirë të krijohej një emision për shqiptarët në Turqi e Kosovë, ku nëpërmjet programeve të demaskohen veprimet kriminale të jugosllavëve, të vihen më tepër këngë popullore të Kosovës e të Malësisë së Veriut. Ky do të ishte një mjet shumë efektiv për tërheqjen e shqiptarëve, për edukimin dhe ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjave kombëtare. Si rrjedhim këto veprime do të pengojnë më shumë masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
Legata shqiptare në Ankara, ushqente edhe dyshime të forta për përdorimin e emigracionit politik shqiptar në Evropën Perëndimore dhe shqiptarëve të shpërngulur me dhunë në Turqi kundër saj. Dyshonte se ata mund të shfrytëzoheshin për qëllime agjenturore nga zbulimet e huaja, për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Lidhur me këtë problem, më 20 dhjetor 1965, i rekomandonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: a) që të mos lejohej përdorimi masiv i njerëzve të influencuar nga imperialistët dhe qeveritë reaksionare të vendeve fqinje, për t’i përdorur ata kundër RPSH.; b) të punohej në mënyrë të gjithanshme për ruajtjen e emigracionit shqiptar në Turqi nga influencat e armiqve dhe nga asimilimi i tij, duke u përpjekur për ta pasur atë si mbështetje për Republikën Popullore të Shqipërisë. Për arritjen e këtyre objektivave rekomandohej të merreshin masa të tilla që kishin të bënin me, shtimin e veprimtarisë propagandistike përmes programeve të radios, të punohej kryesish me personat me influencë të veçantë, të përdoreshin dhe përmirësoheshin shërbimet turistike dhe të vizitorëve të ndryshëm në drejtim të Shqipërisë, pjesëmarrjet e Shqipërisë në aktivitetet sportive, folkloristike dhe pjesëmarrja e saj në panairin e Izmirit, për të propaganduar arritjet e Shqipërisë etj.
 
Konkluzion
 
Si pasojë e diskriminimeve dhe persekutimeve nga qeveritë jugosllave dhe i gjithë aparati shtetëror jugosllav, shqiptarët nga Kosova dhe viseve tjera qenë të detyruar të emigronin për Turqi. Dokumentet arkivore të qeverisë shqiptare flasin për shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi, zbrazjen e zonave të tëra të banuara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi, për gjendjen e vështirë ekonomike të tyre etj. Udhëheqja politike shtetërore e Tiranës, si dëshmohet nga dokumentacioni arkivor ishte në dijeni për gjendjen e shqiptarëve dhe për politikën jugosllave të shpërnguljes së tyre në drejtim të Turqisë, si dhe për shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohej populli shqiptar nën Jugosllavi. Tirana vazhdimisht është njoftuar për zhvillimet e brendshme në Jugosllavi, përmes burimeve diplomatike dhe informative. Në veçanti ishin Legatat shqiptare në Beograd e Ankara, si qendra të rëndësishme informimi për udhëheqjen shtetërore të Tiranës.
Qëndrimi i Shqipërisë, në lidhje me këtë fenomen, ka qenë që ata të mos shpërnguleshin për Turqi, por të qëndronin në vend si popullsi kompakte. Qeveria shqiptare, denonconte qëndrimin antishqiptar të Serbisë, e cila shtypte dhe nëpërkëmbte të drejtat e ligjshme të popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata të lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi. Për të penguar shpërnguljen, Shqipëria edhe në rrugë diplomatike iu kishte drejtuar Turqisë. Udhëheqja shqiptare edhe i është frikësuar aktivizimit e përdorimit të të shpërngulurve shqiptarë në Turqi, duke dyshuar se mund të shfrytëzoheshin për qëllime agjenturore nga zbulimet e huaja. (FUND)
 
*Drejtor i Institutit të Historisë - Prishtinë
List of videos