Situata e brendshme dhe Universiteti i Prishtinës
Situata e brendshme dhe Universiteti i Prishtinës
21.04.2017 | 12:14
Demonstratat e vitit 1981 në Arkivin Kombëtar të Londrës (25)
Prof. assoc. dr. Sabit Syla
Drejtor i Institutit të Historisë - Prishtinë
dhe
Prof. dr. Hamit Kaba
Instituti i Historisë - Tiranë
 
Konfidenciale
J C R Gray Esq
Ambasada Britanike
EESD
Beograd
FCO
10 qershor 1981
I nderuar Charles,
 
Kosova: situata e brendshme dhe Universiteti i Prishtinës
 
1. Kjo javë ka kaluar përsëri me diskutime pa rezultat për situatën në Kosovë në një seancë të Kuvendit të Kosovës dhe një nga Konferencat Krahinore të LKJ-së së Prishtinës. Nuk ka shenja se autoritetet po ia dalin “për të diferencuar” më me efektivitet dhe mungesa e progresit në këtë drejtim në Universitetin e Prishtinës në veçanti ka shkaktuar kritika shumë të ashpra nga shtypi. Çdo ditë publikohen më shumë detajeve të incidenteve të mëparshme nacionaliste në Kosovë, duke theksuar në mënyrë dramatike shtrirjen e dallueshme të fshehjes zyrtare që ka ndodhur gjatë një periudhe të gjatë para demonstratave të fundit.
 
Kuvendi i Kosovës dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës
 
2. Megjithëse mbledhja e Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor, mund të mos ketë arritur shumë sukses në propozimin e zgjidhjeve, ajo prodhoi një masë informacionesh mbi aktivitetin e vazhdueshëm nacionalist në Krahinë. Një raport i përgatitur për Kuvendin mbi situatën politike midis 24 prillit dhe fundit të majit dha një përshkrim shqetësues të aktivitetit të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, dhe armiqësor: fletushka dhe parulla që lavdëronin Shqipërinë dhe kërkonin lirinë dhe u shfaqën kërkesat për lirinë e të burgosurve politikë; varret serbe ishin dhunuar dhe një kopsht frutor serb ishte shkatërruar; u raportuan dy greva; bojkotet e shkollave të mesme ishin të shumta; gjithashtu u bënë përpjekje të mëtejshme për të organizuar demonstrata (megjithëse konfiskimi i aparaturave të fotokopjeve dhe makinave të shkrimit kishin ndihmuar për të penguar një lëvizje të tillë). U bënë thirrje për dorëheqje në Universitetin e Prishtinës, ku edhe kishin shpërthyer trazirat kryesore. Një delegat u ankua se spastrimi po kryhet nga vegjëlia në nivelet më të larta dhe jo anasjelltas.
3. Siç raportoi së paku gazeta “Politika”, mbledhja e Konferencës Krahinore të LKJ-së së Prishtinës, më 6 qershor, ishte një çështje shumë më pak interesante, për të cilën u përsëritën ankesat e përbashkëta deri më tani për dobësi në LKJ-së. Asllan Fazlija, kryetar i Konferencës, tërhoqi vëmendjen në “një klasë dhe strukturë të luftës revolucionare të papërshtatshme, organizim të pamjaftueshëm, veçanërisht në zonat më të mëdha ekonomike dhe në Universitet, si dhe nivel të ulët ideologjik dhe mungesë gatishmërie për anëtarësim”. Mospërputhja dhe njëanshmëria në zbatimin praktik nga LKJ-ja të politikave në lidhje me barazinë kombëtare, “veçanërisht në politikën e punësimit dhe kuadrove”, kishte ndihmuar në krijimin e ndjenjës së pasigurisë në mesin e serbëve dhe malazezëve. Tashmë kishte më shumë kërkesa prej tyre për t’u larguar nga Prishtina. “Eksodi i kuadrove të nevojshëm për ekonominë e Prishtinës dhe Kosovës ishte veçanërisht i dëmshëm” (Kemi në plan të raportojmë më vete për problemin e emigrimit të joshqiptarëve). Më 8 qershor, gazeta “Politika” e bëri të qartë se kjo mbledhje ishte e pasuksesshme. Seanca prej tetë orësh ishte marrë me argumente të vjetra dhe jo me paraqitjen e këndvështrimit vetëkritik të përgjegjësive kolektive dhe individuale të anëtarëve, thuhej në këtë artikull. Këto ngjarje kishin rrënjë të thella. Ajo që u përmend mjaft shpesh, por që nuk u shpjegua siç duhet, ishte kalimi në heshtje i propagandës nga Shqipëria dhe politikat e kuadrove para demonstratave.
 
Universiteti i Prishtinës
 
4. Ankesa për një kohë të gjatë se anëtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës i janë shmangur përgjegjësisë për trazirat e krijuara, e që u përsërit me forcë në Kuvendin e Kosovës, më në fund dha rezultate. Më 1 qershor, u njoftua ofrimi i dorëheqjes i një prej zëvendësrektorëve; ndërkohë më 5 qershor u njoftua se rektori dhe një tjetër zëvendësrektor kishin ofruar dorëheqjen e tyre. Rektori u shpreh se po jepte dorëheqjen “për arsye të ndërgjegjes dhe ndjenjës së përgjegjësisë për situatën e përgjithshme në Universitet dhe në lidhje me të”.
5. Sidoqoftë, këto gjeste vetëdiferencimi nuk mjaftonin për të kënaqur gazetën “Politika”, e cila më 9 qershor publikoi një artikull të gjatë sulmues dhe depërtues mbi mënyrën se si ishte drejtuar Universiteti. Konkluzioni i artikullit ishte se informacionet për Universitetin dhe menaxhimin e tij ishin të paqarta ose të pakuptueshme. Vlerësimet për numrin e studentëve, për shembull, varionin nga 48,000 në 54,000 dhe në një mbledhje të vetë Rektoratit javën e kaluar ishte vënë(në mënyrë të paqartë) në dukje se “asnjë nuk e di me saktësi sa është numri i studentëve, përveç gjatë rekrutimit kur zyra e ushtrisë gjen listat e dyfishta”. Studentët diplomoheshin ndërkohë që nuk dinin asgjë për statusin e Kosovës në Serbi dhe në Federatën Jugosllave, për progresin social në Krahinë, apo për pozitën e Jugosllavisë në botë (kjo ndodhte pasi disa nga studentët kishin më shumë se nëntë vjet në Universitet!). Megjithëse kishte pretendime se doktoratat ishin marrë “menjëherë” dhe se, sado të kushtonte, po krijoheshin kuadro shqiptarë pa formimin e duhur shkencor, askush nuk i kushtoi vëmendje. “Për çfarë ishin duke i përgatitur profesorët studentët e tyre? A ishin duke i ndarë ata gradualisht nga Serbia dhe Jugosllavia duke lartësuar historinë shqiptare, duke evokuar romanticizmin dhe “faktet historike” të sapo zbuluara për historinë e Ballkanit? Vështirë të besohet se këta profesorë vepronin nga injoranca”.
6. Duke i renditur këto defekte në punët e Universitetit, gazeta “Politika”, u shpreh se heshtja ishte gjithashtu faji i institucioneve dhe agjencive krahinore të cilat i kishin bekuar politikat e këtij Universiteti. Kështu për shembull, kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se ata kishin mësuar për krijimin e Universitetit vetëm nga gazetat, duke shtuar se Kuvendi nuk ishte shprehur në zgjedhjen e organeve të Universitetit me gjithë faktin se vetë Kuvendi e kishte miratuar ligjin për rregullimin e tyre. Në Konferencën Krahinore të Prishtinës ishte thënë se dekanët dhe zëvendësdekanët ishin emëruar “përtej dijenisë dhe influencës së fakulteteve”. Por lind pyetja, nga kush u emëruan atëherë? “Komunistët e pranishëm, fëmijët e të cilëve ishin në Universitet, nuk kërkuan asnjë shpjegim dhe as nuk u dha ndonjë i tillë”. Stema e Serbisë ishte hequr nga dëftesat e shkollave fillore dhe simboli që tregonte pozitën e Kosovës brenda Jugosllavisë ishte zhdukur nga dyert e institucioneve krahinore, vendime këto që duhet të jenë miratuar nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës.
7. Është thënë në shumë raste se “procesi i diferencimit” në Universitet kishte ecur veçanërisht ngadalë. Gazeta “Politika” raportoi se takimet e LKJ-së nuk ishin në gjendje të fitonin kuorumin e nevojshëm meqenëse studentët tani ishin në shtëpi. Në të vërtetë, Këshilli i Universitetit ishte vonuar në zhvillimin e mbledhjeve të tij për shkak të pamundësisë për të krijuar kuorumin e duhur, megjithëse takimi i radhës pritej të paraqiste një debat mbi përgjegjësinë dhe mënyrën se si Universiteti ishte bërë “një shtrat i ngrohtë i nacionalizmit”. Punëtorëve dhe njerëzve të tjerë si në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi të cilët kishin investuar shuma të mëdha për qëllime arsimimi u duhej dhënë një përgjigje për këtë pyetje, tha gazeta “Politika”, dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës, anëtarët e së cilës ishin gjithashtu komunistë nga Universiteti, duhej të jepnin një të tillë. “Megjithatë, fjalët e censurës të shprehura me zë të lartë dhe të përditshme, nuk mund të zëvendësojnë veprimin konkret. Shumë komunistë të Universitetit, si nga radhët e profesorëve dhe të studentëve, dështuan në këtë provim”.
8. Megjithatë, një veprim konkret u shënua më 6 qershor. Që prej vitit të ardhshëm akademik e në vazhdim, komunitetet lokale ishin ngarkuar me përgjegjësinë për të vendosur se kush nga studentët duhet të kishte vende në konviktet për studentë, por gjithsesi, asnjë student që banonte 30-40 kilometra larg Prishtinës nuk do të përfitonte vend në konvikt meqenëse transporti në Prishtinë ishte i mirë organizuar. Kështu, 600 vende do të liheshin rezervë për studentët që vinin nga vendet e tjera në Jugosllavi.
 
Manifestimet nacionaliste
 
9. Vlen të përmenden disa nga incidentet që shtypi i ka raportuar kohët e fundit për të treguar se çfarë lloj sjelljesh janë llogaritur për të shkaktuar shqetësime ose pakënaqësi. Kështu, dy vjet më parë në një turne ballkanik volejbolli në Prishtinë, ekipi i femrave jugosllave, me sa duket “shpërtheu në lot për shkak të fishkëllimave dhe vërshëllimave të ashpra të spektatorëve ndërkohë që shqiptarët i gëzoheshin këtyre ‘pritjeve miqësore’ ”. Profesorët ishin duartrokitur sepse kishin lavdëruar Enver Hoxhën dhe denigruar Jugosllavinë në leksionet e tyre. Për disa punë jepej pagesë ekstra për njohjen e gjuhës shqipe, por jo për njohjen e gjuhës serbe. Fotoja e Titos ishte hequr nga faqja e zakonshme në disa libra leximi për klasën e parë në shkollat për të vegjlit. Shenjat e rrugëve me emrat e heronjve kombëtarë si dhe bustet dhe statujat e tyre ishin vjedhur. Qeleshe të bardha shqiptare ishin vënë më parë dhe vazhdonin të viheshin “në mënyrë provokative” (me sa duket nga të rinj të cilit nuk do pranonin t’i mbanin veshur). Nga ana tjetër, dyqanet shqiptare gjetkë në Jugosllavi u bojkotuan nga publiku gjatë javëve të fundit. Shumë prej këtyre rasteve dhe të tjera si këto kanë shijen e veprave të këqija spontane dhe jo të “aktivitetit armiqësor” të bashkërenduar, megjithëse është e rëndësishme të kuptohet pikërisht se sa dëshpërues ka qenë dështimi i nxitjeve standarde për “vëllazëri dhe unitet” në Kosovë krahasuar me bashkekzistencën në dukje të suksesshme të nacionaliteteve të ndryshme (megjithëse në mënyrë të konsiderueshme më të sofistikuar) në Vojvodinë.
 
Komente
 
10. Tabloja mbetet e zymtë, me gjithë kërkesën e Azem Vllasit në një konferencë për shtyp që ai mbajti për gazetarët jugosllavë sipas të cilit shtypi “injekton njëfarë optimizmi” në raportimin e tyre. “Me të vërtetë, në disa zona njeriu fiton përshtypjen se situata është e pashpresë, por duke e parë përballë në tërësinë e vet, tabloja është optimiste”. Përshkrimi i problemeve të kësaj jave në Universitetin e bujshëm zor se nxit një këndvështrim të tillë. Përshtypja e krijuar flet për një institucion të zvarritur, i cili prodhon çdo vit një numër të madh të diplomuarish të kualifikuar jo siç duhet (në mos injorantë) dhe i administruar në mënyrë joefikase në shkallë të gjerë nga shqiptarë të vrazhdë dhe evazivë. Përpjekjet e bëra deri më sot për t’u ndeshur me këtë monstër jashtëzakonisht të shtrenjtë “të ngritur përtej kërkesave të punës që lidhet me të, gjigante në madhësinë e saj, por të varfëruar në potencialin e kuadrove të vet” (siç e quajti gazeta “Politika”) ka dështuar qartazi. Në Kosovë në përgjithësi dhe në Universitet në veçanti, pulat e vetmenaxhimit janë kthyer në kotecet e tyre të decentralizuara.
Charles Crawford
Oficer Informacioni
Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO. (VIJON)
List of videos