Beqaj: Nuk pres ndryshime në politikëbërje
Beqaj: Nuk pres ndryshime në politikëbërje
21.04.2017 | 17:36
Njohësi i proceseve politike në vend, profesori Belul Beqaj, ka thënë se koalicioni qeverisës PDK - LDK është duke funksionuar me vështirësi dhe se partnerët e tij po përpiqen t’ia lënë ‘kilën’ njëri-tjetrit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se pasojat që po dalin kohët e fundit janë produkt i mënyrës tinëzare të krijimit të këtij koalicioni. “Fundi i këtij koalicioni ka qenë që në fillim. Pasojat që po dalin kohët e fundit janë produkt i mënyrës tinëzare të krijimit të këtij koalicioni. Unë i kuptoj koalicionet që krijojnë unitet të kundërthënieve, por u vërtetua se nuk mund të funksionojë koalicioni i mashtruesve për arsye se çdo veprim që është ndërmarrë, është ndërmarrë me dyshim ose neveri nga pala tjetër, ani pse partnerët e koalicionit janë munduar ta fshehin publikisht këtë”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se paralajmërimet e tij, se një koalicion, me një kryeministër siç është z. Mustafa, mund të krijohet relativisht lehtë, por shumë vështirë mund të funksionojë, dolën kryesisht të sakta.
Ai ka thënë se duhet shkuar në zgjedhje për ta vlerësuar mbështetjen e subjekteve politike nga elektorati, por jo pse do të ndryshojë kualiteti i politikëbërjes. Sipas Beqajt, mashtruesit e vjetër do ta fitojnë mandatin e ri për t’u ballafaquar me problemet e trashëguara. “Mund të ndryshojnë partnerët e koalicionit, mund të shtohet edhe ndonjë subjekt politik në politikëbërje, por problemi është se nuk po shoh realisht se mund të ndryshojnë mënyra dhe përmbajtja e politikëbërjes”, është shprehur ai. Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit Rama dhe presidentit Thaçi për bashkim të shqiptarëve nëse BE-ja mbyll dyert, Beqaj ka thënë se kurrë nuk duhet të kompleksohemi nga ideja e bashkimit kombëtar pasi, sipas tij, arsyet strategjike dhe ideologjike të ndarjes së shqiptarëve po zhduken. Në këtë intervistë Beqaj ka folur edhe për mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptare duke i quajtur modeste rezultatet e deritanishme. “Rezultatet nga mbledhjet e përbashkëta të deritanishme janë modeste nëse këta liderë me të vërtetë mendojnë për bashkim, së paku mund ta hapin kaptinën e funksionimit të unionit doganor apo jo!”, ka theksuar Beqaj.
 
“Epoka e re”: Z. Beqaj, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike në vend?
Beqaj: Paralajmërimet e mia, se një koalicion, me një kryeministër siç është z. Mustafa, mund të krijohet relativisht lehtë, por shumë vështirë mund të funksionojë, dolën kryesisht të sakta. Sot kemi një koalicion të partnerëve të cilët mundohen për t’ia ‘lënë kilën’ njëri-tjetrit. E kemi një kryetar i cili, për shkak të presionit që po i bën aktivizimi i Gjykatës Ndërkombëtare, e ka humbur ‘rrugën në oborr’. E kemi një bashkësi ndërkombëtare e cila shumicën politike në Kosovë e ka kuptuar si shprehje matematikore e cila po del se është diçka më shumë... si dhe i kemi qytetarët e dërrmuar që shpresën e humbur në shtetin e tyre po e projektojnë diku në Perëndim.
 
“Epoka e re”: Përveç opozitës, zgjedhje të parakohshme këto ditë po kërkojnë edhe disa deputetë të partive në koalicion. A nënkupton kjo se koalicionit qeverisës PDK - LDK po i vjen fundi para kohe?
Beqaj: Fundi i këtij koalicioni ka qenë që në fillim. Pasojat që po dalin kohët e fundit janë produkt i mënyrës tinëzare të krijimit të këtij koalicioni. Unë i kuptoj koalicionet që krijojnë unitet të kundërthënieve, por u vërtetua se nuk mund të funksionojë koalicioni i mashtruesve për arsye se çdo veprim që është ndërmarrë, është ndërmarrë me dyshim ose neveri nga pala tjetër, ani pse partnerët e koalicionit janë munduar ta fshehin publikisht këtë.
 
“Epoka e re”: Opozita ka iniciuar mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë. Sa ka gjasa që përmes këtij mocioni të rrëzohet Qeveria aktuale?
Beqaj: Sikur largimi i Qeverisë të varej nga opozita, kjo Qeveri qysh ditën e dytë do të shkonte në shtëpi për shkak të mënyrës si është krijuar koalicioni pas maratonës gjashtëmujore të taktizimeve mashtruese me bekimin ndërkombëtar!
 
“Epoka e re”: Nëse do të ketë zgjedhje të reja, si e shini rezultatin e tyre? Do të ketë ndryshime të mëdha apo do të jetë përafërsisht kjo përbërje në skenën politike?
Beqaj: Mund të ndryshojnë partnerët e koalicionit, mund të shtohet edhe ndonjë subjekt politik në politikëbërje, por problemi është se nuk po shoh realisht se mund të ndryshojë mënyra dhe përmbajtja e politikëbërjes. Prandaj, kam theksuar se duhet shkuar në zgjedhje për ta vlerësuar mbështetjen e subjekteve politike nga elektorati e jo pse do të ndryshojë kualiteti i politikëbërjes. Kryesisht mashtruesit e vjetër do ta fitojnë mandatin e ri për t’u ballafaquar kryesisht me problemet e trashëguara.
 
“Epoka e re”: Kryeministri Mustafa ka paralajmëruar se do të kërkojë nga BE-ja që ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e demarkacionit dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave. Si e shihni këtë iniciativë dhe a prisni se do të mund të ketë sukses?
Beqaj: Në pamundësi për të ndikuar aty ku do të duhet, ai po bën përpjekje për të ndikuar në Bruksel, ku është shpikur padrejtësisht shkasi pse nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave. Por, mos të harrojmë se z. Mustafa gjatë tërë kohës është sjell si autokrat ndaj bashkëpartiakëve. Më e arsyeshme ka qenë që nga fillimi ta bindë Brukselin për paarsyeshmërinë e shkakut pse nuk e ka lejuar liberalizimin sesa t’i kërcënojë bashkëpartiakët që pse mbesin besnikë ndaj qëndrimeve dhe bindjeve të veta e jo ndaj kërkesave imperative të Mustafës. Nëse eventualisht bindet Brukseli se po bën diskriminim ndaj shqiptarëve, përgjegjësia e tij do të jetë aq më e madhe. Pse atëherë s’e ka bërë këtë ndaj Brukselit por ndaj bashkëpartiakëve dhe atyre që nuk ndajnë mendimet me të?!
 
“Epoka e re”: Me BE-në janë marrë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti Hashim Thaçi, të cilët kanë thënë se, nëse BE-ja i mbyll dyert, atëherë shtetet shqiptarët bashkohen. Si i komentoni këto deklarata. A është ky një presion ndaj BE-së që ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve tona?
Beqaj: Kurrë nuk duhet të kompleksohemi nga ideja e bashkimit kombëtar. Arsyet strategjike dhe ideologjike të ndarjes së shqiptarëve po zhduken. Por, kjo nuk duhet bërë para zgjedhjeve apo para funksionalizimit të Gjykatës Ndërkombëtare Speciale.
 
“Epoka e re”: Më 24 prill do të mbahet mbledhja e radhës e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Cilat janë rezultatet që duhet të dalin nga praktika e mbledhjeve të përbashkëta?
Beqaj: Rezultatet nga mbledhjet e përbashkëta të deritanishme janë modeste. Nëse këta liderë me të vërtetë mendojnë për bashkim, së paku mund ta hapin kaptinën e funksionimit të unionit doganor.
 
(Shqipe HETEMI) 
List of videos