Nurellari: PDK-ja ofron alternativën më të mirë politike për Kosovën
Nurellari: PDK-ja ofron alternativën më të mirë politike për Kosovën
20.03.2017 | 15:33
Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adri Nurellari, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për arsyen e largimit të tij nga Presidenca e Kosovës dhe për vendimin që ka marrë që tash e tutje të jetë pjesë aktive e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ai ka thënë se PDK-ja ofron alternativën më të mirë politike për Kosovën. Nurellari, i cili javën e kaluar është bërë shtetas i Kosovës, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ka bërë me dije se ky bashkëpunim është duke ndikuar pozitivisht tek shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Në këtë intervistë Nurellari ka folur edhe për koalicionin qeverisës PDK - LDK, për të cilin thotë se nuk është një “martesë me dashuri” por një partneritet për hir të proceseve të rëndësishme të mëdha që ka Kosova. Po ashtu, ai ka folur edhe për formimin e ushtrisë, për demarkacionin me Malin e Zi dhe për idenë për zgjedhje të parakohshme.
 
“Epoka e re”: Z. Nurellari, deri para pak ditësh keni qenë këshilltar politik i presidentit Hashim Thaçi. Pse vendoset të largoheni?
Nurellari: Vendimin për t’u larguar e mora për hir të vokacionit tim për t’u marrë me politikë aktive partiake dhe për t’u përfshirë intensivisht në debatet politike të aktualitetit. Përvoja në institucionin e presidencës ishte e re dhe interesante për mua dhe i jam mirënjohës presidentit Thaçi që më dha mundësi të bëhesha pjesë e ekipit të tij, por gjithsesi nuk bënte tamam për mua. Dimensioni i pavarësisë që duhet të mbaj ky institucion ishte disi kufizues për mua dhe presidenti është goxha rigoroz në ruajtjen e paanshmërisë. Prandaj, m’u duk më e arsyeshme të largohem që aty e të angazhohem haptazi politikisht.
 
“Epoka e re”: Në cilën parti do ta vazhdoni aktivitetin tuaj politik tash e tutje?
Nurellari: Në rrjedhën e viteve që kam qëndruar në Kosovë më është konsoliduar gradualisht bindja se PDK-ja ofron alternativën më të mirë politike për Kosovën pasi ka ditur të ecë në hap me kohën duke evoluar sipas nevojave të shoqërisë dhe ka përqafuar një orientim ideologjik të qendrës së djathtë të cilën unë e kam më së shumti përzemërt. Po ashtu, kjo parti jo vetëm që ka udhëhequr proceset më të rëndësishme historike në Kosovë, por ka edhe meritën e madhe se e ka mbajtur gjithmonë derën hapur për aktivistë të rinj politikë, të cilëve u jep gjithmonë hapësirë për të bërë një karrierë të suksesshme personale politike. Ndërkaq unë kam pasur fatin e mirë të punoj gjithashtu pranë kryetarit Veseli, kam ndërtuar një respekt të madh për maturinë dhe durimin me të cilën ka përballuar tensionet ekstreme në parlament duke evituar që të ndodhte më e keqja. Po ashtu, kam parë me admirim se si ia ka dalë që brenda një kohe të shkurtër ta fitojë mbështetjen e plotë të partisë dhe ta mbajë të bashkuar pavarësisht vakumit të madh që krijoi largimi i themeluesit të saj, gjë që lë të kuptohet se është kryetar më i mirë që mund të kishte PDK-ja sot dhe kam besimin e plotë se ai është gati të ballafaqojë me sukses çfarëdo sfide elektorale që del përpara.
 
“Epoka e re”: Si do ta vlerësonit aktivitetin njëvjeçar të Hashim Thaçit si president?
Nurellari: Mbase do të ishte disi subjektive që si një njeri që ka punuar pranë tij të flas për të, mirëpo mund të them pa kurrfarë mëdyshje se është lideri politik më i suksesshëm anembanë trojeve shqiptare dhe presidenti më i duhur që mund të kishte pasur ndonjëherë Kosova. Mjafton të përmendet angazhimi i tij personal për ndaljen e trenit provokues rus në Kosovë për të ilustruar se me të president Kosova me të vërtetë ka dikë që mbron denjësisht Kushtetutën dhe integritetin territorial të Kosovës, e këtë gjë nuk mund ta mohojnë dot as kundërshtarët më të verbër personalë të tij. Po ashtu, ai vazhdon të jetë në krye të proceseve të vështira sikurse është përfshirja e tij në kapitullin e fundit të dialogut me Serbinë që synon çuarjen drejt nënshkrimit të një marrëveshje të fqinjësisë së mirë. Guximi që po dëshmon me iniciativa që nuk janë popullorë, por goxha fisnike, si ajo e pajtimit apo e përmendjes së viktimave civile serbe të konfliktit, janë karakteristikë e rrallë e burrështetasve të përmasave ndërkombëtare. Prandaj unë jam i bindur se ky vit i tij i parë në presidencë ka qenë i suksesshëm, mirëpo duhet kuptuar se këto procese të ndërlikuara që ai ka nisur e që për momentin duken si të hidhura për masat, duan durim e kohë që të japin tamam fryte të pjekura.
 
“Epoka e re”: Gjithë vëmendja e opinionit tani është koncentruar tek iniciativa e presidentit Thaçi për avancimin ligjor të FSK-së në një forcë mbrojtëse. Si e shihni përmbylljen e këtij procesi?
Nurellari: Ashtu sikurse nuk kam asnjë dyshim se procesi i konsolidimit të shtetit të Kosovës është proces pa kthim e herët a vonë do të bëhet pjesë e OKB-së, nuk kam asnjë dyshim se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj në një të ardhme të afërt dhe do të nisë me hapa të sigurt procesin e integrimit në NATO. Ky është një vullneti i palëkundur i popullit sovran të Kosovës dhe ndërtimi i forcave mbrojtëse është një atribut bazik i pashmangshëm i çdo shteti të pavarur. Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë së Kosovës, e cila parasheh shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, është hartuar dhe miratuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që në fillim të vitit 2014. Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim që aleatët tanë të NATO-s janë dakord që Kosova t’i ketë forcat e veta të armatosura dhe që FSK-ja t’i ndryshojë detyrat, strukturën dhe madhësinë për ta marrë përsipër përgjegjësinë e mbrojtjes së vendit. Në fillim të vitit, në përgjigjet që sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, James Mattis, dha para Senatit, ai e konfirmoi në mënyrë eksplicite nevojën e formimit të një force të re që do të merrej me sigurinë në vend dhe mbrojtjen territoriale të Kosovës.
 
“Epoka e re”: Në këtë proces, ajo që e shqetëson opinionin dhe një pjesë të spektrit politik është kundërshtimi i partnerëve ndërkombëtarë i kësaj mënyre të transferimit të FSK-së. Rrezikon Kosova partneritetin me NATO-n dhe ShBA-në me këtë proces?
Nurellari: Unë besoj se lidhja e Kosovës me ShBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë është shumë e fortë dhe do ta tejkalojë këtë sfidë. Është e vërtetë që për momentin aleatët kanë rezerva për procesin, por nuk kanë asnjë pikëpyetje për rezultatin. Pra, janë dakord për Forcat e Armatosura, por ende jo për mënyrën se si shkohet aty. Mirëpo është absurde që pas gjithë atyre sakrificave për ta arritur pavarësinë, Kosova të mbahet peng nga vullneti i Beogradit që përdor si instrument të saj Listën Serbe dhe unë jam krenar me presidentin Thaçi që me këmbënguljen e tij po tregon edhe një herë se Kosova ka zot shtëpie. Në këtë aspekt unë mendoj se ka nevojë për një vetëdijesim dhe ndryshim të qasjes nga ana e aleatëve tanë perëndimorë sepse e drejta në këtë rast është pa dyshim në anën e Kosovës. Jo vetëm sepse parimet demokratike bëjnë që vullneti i popullit të jetë i panegociushëm dhe për nevojën e ushtrisë vetë aleatët janë pajtuar prej kohësh, por edhe sepse në periudhën e fundit po vihen re nuanca të forta të standardeve të dyfishta përkundrejt Kosovës. Konkretisht Kosova po mbahet peng për një kusht periferik në procesin e liberalizimit, ndërkohë që vizat u janë hequr vendeve më të varfra e më pak demokratike si Gjeorgjisë, Ukrainës e Moldavisë që nuk kanë kaluar në këtë procesin sfilitës tonin plot kushte të liberalizimit. Po ashtu, Kosova për hir të partneritetit me ndërkombëtarët ka kapërdirë një pilulë të hidhur sikurse është Gjykata Speciale dhe sot vazhdon të jetë nën presion për formimin e asociacionit, ndërkohë që Serbisë nuk i bëhet aspak presion për përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes sikurse është çështja e energjisë ku Serbia ende na e mban të bllokuar linjën e interkonjeksionit të financuar nga Gjermania. Po ashtu, Serbia nuk po e zbaton, siç i takon, marrëveshjen për diplomat, me të cilën po bllokon integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucione shtetërore, e po paraqet pengesa edhe për serbët në Kosovë. Kjo sjellje me standarde të dyfishta të aleatëve të Perëndimit ndaj Kosovës është shumë e rrezikshme për Kosovën sepse dëmton imazhin e tyre publik dhe delegjitimon në sytë e publikut miqësinë që kemi me ta si dhe vlerat që këta aleatë përfaqësojnë. Ky delegjitimim, pra kjo humbje e reputacionit të Perëndimit në sytë e shoqërisë sonë, mund ta çojë shtimin e mbështetjes për qarqet antiperëndimore, qofshin këta nacionalistë ekstremë të majtë e qofshin mbështetës të radikalizmit të dhunshëm.
 
“Epoka e re”: Një tjetër çështje që vazhdon ta preokupojë opinionin dhe spektrin politik është demarkacioni me Malin e Zi. Qeveria ka paralajmëruar se shumë shpejt këtë çështje do ta sjellë në Kuvend. Mendoni se koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme që ta ratifikojë këtë marrëveshje?
Nurellari: Përderisa kjo mazhorancë i ka pasur votat për të kaluar vendime më të rënda si Gjykata Speciale, nuk shoh arsye logjike përse mos t’i sigurojë për demarkacionin i cili është një proces teknik i realizuar në mirëkuptim me një vend mik. Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është një detyrim kushtetues dhe obligim ndërkombëtar që kontribuon drejtpërdrejt në konsolidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo marrëveshje bën të mundur që Kosova të ketë 3 nga 4 kufijtë e saj të pakontestuar dhe të pranuar me mirëkuptim nga pala tjetër fqinje. Kufijtë e kontestuar janë burim konfliktesh dhe pasigurish, prandaj demarkimi ndikon në konsolidimin e sigurisë së vendit tonë. Pra, demarkacioni duhet të ratifikohet në interes të Kosovës, të fqinjësisë së mirë me Malin e Zi dhe të stabilitetit të rajonit. Nëpërmjet marrëveshjes së demarkimit Kosova konfirmon në sytë e aleatëve se është shtet dinjitoz, i aftë për të hyrë në marrëdhënie miqësore me shtete të tjera dhe që di t’u përmbahet obligimeve dhe zotimeve të dhëna para aleatëve. Kjo sjellje e përgjegjshme e shtetit tonë na garanton aleancën me partnerët tanë, si dhe rrugën e sigurt drejt integrimit euroatlantik. Saktësia e demarkacionit në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974 është verifikuar disa herë nga ekspertë të paanshëm, ndërkohë që pretendimet historike për kufirin deri në Zhlep e Çakorr janë pretendime ndaj territorit të një shteti mik dhe na e dëmtojnë rëndë reputacionin tonë si shtet paqedashës që kultivon fqinjësi të mirë në rajon.
 
“Epoka e re”: Çfarë nëse nuk kalon kjo çështje në Kuvend? Duhet të shkojë vendi në zgjedhje?
Nurellari: Ky koalicion i gjerë, i bërë mes dy partive që garojnë kundër njëra-tjetrës, mes PDK-së dhe LDK-së, nuk është një “martesë me dashuri” nëse mund të themi, por një partneritet për hir të proceseve të rëndësishme dhe nevojave të mëdha që ka Kosova sot, të cilat kërkojnë një konsensus të gjerë. Bllokimi i demarkacionit ka privuar qytetarët e Kosovës për vite me radhë tanimë nga një e drejtë e merituar për të qenë pjesë e liberalizimit të vizave duke i shndërruar në popullin më të izoluar të Evropës. Të gjitha faktet shkencore tregojnë se demarkacioni është proces i saktë dhe i ligjshëm, ndërsa kundërshtimet kanë ardhur me gjuhën e dhunës e jo të arsyes. Deputetët e Kosovës nuk duhet të heqin dorë nga e drejta dhe e vërteta prej frikës apo kërcënimit të sulmeve fizike, gazit lotsjellës, molotovit apo zollave. Kosova ka vuajtur shumë që të largohet nga politika e dhunës, e shantazhit dhe e kanosjes së kohës së okupimit serb dhe kurrsesi nuk duhet të lejojë që ato metoda politike të kthehen e të legjitimohen. Prandaj, deputetët e mazhorancës mendoj se duhet të tregojnë së pari respekt ndaj vetes për trysninë që kanë pësuar, mandej respekt ndaj popullit që i ka votuar dhe të vërtetës dhe të tregohen në lartësi të detyrës duke e votuar demarkacionin.
 
“Epoka e re”: Ju jeni edhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i politikës së jashtme. A po bashkëveprojnë sa duhet Kosova dhe Shqipëria në fushën e politikës së jashtme?
Nurellari: Mendoj se Republika e Kosovës bashkëpunon shumë ngushtë me Republikën e Shqipërisë në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i kanë shumë mirë të dakorduara qoftë orientimet gjeopolitike, qoftë veprimet diplomatike. Prej konsullatave të përbashkëta po flitet tanimë edhe për ambasada të përbashkëta, ndërkohë që përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë janë zëdhënës të qëndrimeve të Prishtinës në të gjitha forumet multilaterale ku Kosova ende nuk bën pjesë. Në aspektin rajonal të dy shtetet luajnë rol shumë pozitiv në stabilitetin e rajonit duke u përpjekur të kultivojë një fqinjësi sa më të mirë. Po ashtu, janë duke ndikuar pozitivisht tek shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës të tregohen sa më shumë konstruktivë, të matur, t’i përmbahen agjendës së integrimit euroatlantik dhe të veprojnë në përputhje me ligjet dhe procedurat demokratike të shteteve respektive, duke parandaluar e shmangur me çdo kusht tensionet ndëretnike apo përshkallëzimin e dhunës dhe duke u konsultuar për çdo veprim me partnerët perëndimorë. Kuptohet se në çdo rast ka hapësirë për përmirësim të mëtutjeshëm, por aktualisht jam i bindur se bashkëpunimi është shumë mirë i harmonizuar.
 
“Epoka e re”: Cili është mendimi juaj për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni? Në zgjedhjet e fundit ata morën më pak deputetë, por mbetën determinues në formimin e qeverisë së re?
Nurellari: Unë e shoh gjendjen e tyre me shqetësim sepse pesha e tyre specifike e përfaqësimit parlamentar, në vend se të rritet e t’u përafrohet përmasave reale të popullsisë shqiptare, ajo ka rënë në nivelin më të ulët duke bërë që nga 28, numri i mandateve të partive shqiptare të shkonte në 20. Së pari, kjo rënie erdhi si pasojë e përçarjes sepse në këto zgjedhje partitë shqiptare i ndanë votat si rrallëherë më parë, duke garuar me disa lista zgjedhore rivale dhe duke minimizuar numrin e mandateve. Përveç përçarjes, zgjedhjet e fundit u karakterizuan edhe nga një zvogëlim i ndjeshëm i votave shqiptare të dhëna për partitë shqiptare dhe një transferim i votave shqiptare drejt partisë LSDM. Është e vërtetë se mbeten determinues në formimin e qeverisë së re, por kjo nuk është për meritën e tyre, por është rastësi fatlume që erdhi si pasojë e konjukturës së re të ndarjes së votave në komunitetin maqedonas. Ky pësim i partive shqiptare duhet bërë mësim për partitë shqiptare që të nisin një proces të qarkullimit të elitave, që të riformatizohen dhe t’i ripërtërinin kuadrot me gjak të ri të pakomprometuar që ta rifitojnë besimin e shqiptarëve që kanë votuar për LSDM-në.
 
“Epoka e re”: Pikërisht platforma e shqiptarëve atje është bërë pengesë që presidenti Ivanov të mos ia japë mandatin Zajevit për formimin e qeverisë së re. Çfarë do të thotë kjo?
Nurellari: Ivanovi nuk ka ndonjë problem me platformën shqiptare, por me rënien nga pushteti i VMRO DPMNE-së dhe këtë gjë e vërteton fakti se Ivanovi nuk e kundërshtoi këtë platformë në periudhën që Gruevski ishte mandatar dhe po negocionte me partitë shqiptare për ta formuar mazhorancën. Pra, platforma shqiptare nuk është pengesa në këtë rast sepse në të nuk ka asnjë kërkesë që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë. Kërkesat e atyshme janë kërkesat e përhershme të shqiptarëve dhe bëjnë pjesë në programet e të gjitha partive politike shqiptare të Maqedonisë. Platforma është një mesele ose një justifikim i dëshpëruar i Ivanovit për ta mbajtur partinë e tij me çdo kusht në pushtet dhe për ta penguar rotacionin. Po ashtu, është një përpjekje nga ana e tij për ta transferuar krizën e brendshme politike në një përplasje ndëretnike duke dashur që ta alarmojë popullin maqedonas me, kinse, një “kërcënim” që po vjen nga shqiptarët. Ky është momenti kur shqiptarët nuk duhet të bien pre e provokimeve të urrejtjes ndëretnike të cilat janë pjesë e skenarit të klikës së VMRO DPMNE-s për të qëndruar në pushtet, por të veprojnë me maturi duke u koordinuar në çdo hap me partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, kjo situatë duhet parë me një sy kritik e analitik si një ndryshim i mirëfilltë regjimi i cili ka rreziqe të mëdha specifike, sepse frika e ndëshkimit mund të bëjë që elitat që po përmbysen, kur shohin se nuk kanë se çfarë tjetër të humbin, të jenë të gatshme të bëjnë gjithçka për të qëndruar në pushtet. Në këtë rast po tregohen të gatshëm që të ndezin një konflikt etnik vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet. Aq më tepër që rezultati i zgjedhjeve të fundit ishte goxha i favorshëm për ta duke iu ushqyer bindjen se me të vërtetë mund t’ia dalin që të qëndrojnë në pushtet pavarësisht prej shkeljeve flagrante që kanë bërë e që u nxorën prej bombave. Në këtë rast, për ta shmangur rrezikun e përshkallëzimit dhe duke qenë se mbështetja për klikën aktuale ngelet ende e lartë mes votuesve, një alternativë për një tranzicion të qetë mund të ishte skenari spanjoll i tranzicionit. Në rastin e Spanjës, pas shembjes së regjimit të Frankos, nuk pati fare drejtësi të tranzicionit, të gjitha palët vendosën ta mbyllin kapitullin e së kaluarës pa vënë para përgjegjësisë ligjore apo pa u hakmarrë ndaj ndokujt. Në rastin e Maqedonisë kjo do të thotë që për ta lëshuar pushtetin, udhëheqësve të VMRO DPMNE-së t’u jepen garanci amnistie se nuk do t’u ndodhë gjë pas rotacionit. Kuptohet se nuk po them se ky veprim do të ishte i moralshëm apo i pëlqyeshëm, por përpara një të keqe të madhe, si konflikti civil, amnistia për klikën e vjetër duket një e keqe e kapërdishme.
 
(Muhamet KOCI) 
List of videos