Rogova: PDK-ja po fuqizohet në Gjakovë
Rogova: PDK-ja po fuqizohet në Gjakovë
21.04.2017 | 11:42
Shefi i grupit i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Gjakovës, Arben Rogova, ka bërë me dije se ky subjekt politik në Gjakovë ka një strukturë të mirë të shtrirjes.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rogova ka theksuar se në dy palë zgjedhjet e fundit, PDK-ja ka rritur numrin e votave në Gjakovë. Ai ka thënë se PDK-ja është përgatitur për zgjedhjet lokale në këtë komunë dhe beson se rritja e saj në vota do të jetë e madhe.
 
“Epoka e re”: Z. Rogova, si është duke funksionuar koalicioni qeverisës në Komunën e Gjakovës?
Rogova: Koalicioni qeverisës në Komunën e Gjakovës është duke funksionuar mirë. Në këtë koalicion, përpos PDK-së, është LDK-ja dhe tani Alternativa si parti e re, sepse asamblistët nën emrin e AKR-së kanë kaluar në këtë subjekt. Gjithmonë ka hapësirë dhe mundësi për më shumë ndërmarrësi dhe kreativitet. Fërkime të lehta kemi pasur, por janë tejkaluar. Besoj se mandatin do ta përfundojmë pa ndonjë problem.
 
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me bashkëqeverisjen me partinë e Mimoza Kusari-Lilës?
Rogova: Në kuadër të bashkëqeverisjes fillimisht ishte AKR-ja. Tani pas daljes në skenë të Alternativës mbetet i njëjti disponim i mirë. Kryesisht ish-asamblistët nga AKR-ja kaluan në Alternativë. Si koalicion gjithmonë kemi pasur raporte të kënaqshme dhe ky nivel vazhdon. Përqindja në pjesëmarrje për bashkëqeverisje në të gjitha nivelet e ekzekutivit, kryesisht është respektuar dhe nuk kemi pasur ndonjë pakënaqësi.

“Epoka e re”: PDK-ja udhëheq disa drejtori si dhe ka edhe nënkryetarin e komunës. Sa jeni i kënaqur me punën e tyre?
Rogova: Në kuadër të bashkëqeverisjes PDK-ja ka pozicionin e nënkryetarit të komunës si dhe tri drejtori. Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë për Arsim dhe Drejtorinë për Inspektorat. Këto drejtori që i përkasin PDK-së janë drejtoritë me më shumë përgjegjësi dhe volum të madh të punës. PDK-ja është munduar t’i zgjedhë më të mirët apo më të përgatiturit për pozicionet përkatëse në komunë. Secili nga të zgjedhurit me përgjegjësi i kryejnë obligimet dhe detyrat e dala nga pozicionet e tyre dhe përfaqësojnë denjësisht PDK-në. Nënkryetari Ramadan Hoti e kryen detyrën me devotshmëri dhe gjithmonë kur ka qenë në pozicion që ta zëvendësojë kryetaren, atë e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, të cilën e udhëheq Shkumbin Kastrati, ka ndërmarrësi të veçantë dhe korrektësi për kryerjen e punimeve dhe prani në terren. Dijana Qarkagjia e udhëheq Drejtorinë e Arsimit. Numri i madh i punonjësve dhe volumi i punës janë karakteristika të kësaj drejtorie. Karakteristikë tjetër është zbatimi i plotë i rregulloreve të ndryshme të arsimit dhe ligjit për arsimin. Për rreth tre vjet Mentor Sylmeta ishte në Drejtorinë për Inspektorat. Në këtë drejtori volumi i punës dhe karakteristikat e Komunës së Gjakovës të sfidojnë në çdo moment. Sfidat janë nga më të ndryshmet, por Mentor Sylmeta me qetësi dhe urti i kishte menaxhuar për mrekulli. Karakteristikë është edhe vendosja e ligjërisë në shumë fusha që përfshinë këtë drejtori. Për arsye objektive, nga janari i 2017-s në këtë drejtori ka ardhur drejtor Gani Veseli si zëvendësim i Mentor Sylmetës. Edhe nga drejtori i ri pres ta vazhdojë punën me po atë ritëm dhe sukses.

“Epoka e re”: A ka pasur bashkëpunim në mes të nivelit lokal dhe atij qendror? Është përkrahur sa duhet komuna e juaja nga Qeveria?
Rogova: Bashkëpunimi i nivelit lokal me atë qendror nuk ka qenë i kënaqshëm për arsye të ndryshme. Përkrahja nga Qeveria nuk ka qenë sa duhet. Kjo përkrahje ka ardhur varësisht nga dikasteret qeveritare. Qeveria qendrore ka participuar në disa projekte të komunës, por ka dështuar në ndërtimin e tri hyrje-daljeve të qytetit, që ishin planifikuar të fillonin punimet në vitet 2015-2016. Konkretisht në hyrje-daljet Gjakovë-Prishtinë, Gjakovë-Prizren dhe Gjakovë-Bajram Curr.
 
“Epoka e re”: Në vjeshtën e këtij viti do të mbahen zgjedhjet lokale. Sa është e përgatitur PDK-ja në krye të së cilës është z. Hajdar Beqa për këtë proces zgjedhor?
Rogova: PDK-ja në Gjakovë është e strukturuar shumë mirë, pra ka shtrirje në tërë territorin e komunës. Në dy palë zgjedhjet e fundit PDK-ja ka bërë rritje të madhe për rritjen e numrit të votave. Edhe për procesin e zgjedhjeve lokale jemi të përgatitur të dalim fuqishëm. Strukturat e PDK-së, me kryetarin Beqa, jemi në procesin e analizës për karakteristikat që ka elektorati i komunës. Gjithashtu, jemi në analizim të kërkesave që ka popullata e komunës për rritjen e kualitetit të jetës. Dhe në Gjakovë po shihet një fuqizim i madh i PDK-së.
 
“Epoka e re”: Çfarë rezultati prisni nga këto zgjedhje? Do të ketë rënie apo ngritje të PDK-së në këtë komunë?
Rogova: Nga këto zgjedhje presim rezultate më të mira se në zgjedhjet e vitit 2013. Sigurisht se do të kemi ngritje. Emancipimi i elektoratit nga komuna jonë po shkon në ngritje, prandaj presim të kemi ngritje në rezultatin përfundimtar.
 
“Epoka e re”: Gjakova asnjëherë nuk është udhëhequr nga PDK-ja. Prisni që këto zgjedhje t’i fitoni dhe t’ia ktheni Gjakovës krenarinë?
Rogova: Komuna e Gjakovës ka ngelur prapa në zhvillim nga komunat e tjera. Gjakova asnjëherë nuk është udhëhequr nga PDK-ja. Është mirë që elektorati nga Komuna e Gjakovës ta shijojë udhëheqjen e PDK-së. Kemi mjaft shembuj ku PDK-ja ka udhëhequr nëpër komunat e Kosovës dhe ka treguar sukses. Karakteristikë në përzgjedhje, që po bën shumica e elektoratit në tërë Kosovën, është se po bën lidhjen vertikale të pushtetit qendror me atë lokal. Nga zgjedhjet e para e deri më tani kjo formulë po funksionon mirë. Personalisht i besoj kësaj lidhje dhe pres shumë që me PDK-në, Gjakova ta kthejë krenarinë.
 
(Arbisa SHEFKIU) 
List of videos