Thaçi: Kosova për nëntë vjet ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
Thaçi: Kosova për nëntë vjet ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
16.02.2017 | 19:21
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se Kosova në këta nëntë vjet ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.
Ai ka thënë se Kosova si shtet ka arritur t’i ruajë raportet speciale me ShBA-në dhe duke avancuar raportet me BE-në. Megjithatë, ka kritika për BE-në sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Kosova mbetet vendi më i izoluar padrejtësisht nga Bashkimi Evropian sepse BE-së i mungon qasja strategjike për Kosovën e Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi, duke paralajmëruar se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
Presidenti Thaçi i ka ftuar të gjitha palët, pozitë dhe opozitë, të ngrihen mbi interesat individuale e partiake dhe të jenë në shërbim të interesit të shtetit. Ai ka bërë me dije se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është e saktë, e drejtë, e qartë dhe e mbështetur nga faktori ndërkombëtar. “Refuzimi i demarkacionit është i pajustifikueshëm, i paargumentuar dhe është një refuzim me karakter të qartë të interesit të ngushtë lokal dhe elektoral”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë. “Ata që refuzojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore nuk kanë argumente dhe nuk kanë vizion të qartë evropian për Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Thaçi. Duke folur rreth idesë për zgjedhje të parakohshme, Thaçi ka thënë se në këtë drejtim janë dy mundësi: E para, nëse partnerët e koalicionit e humbin shumicën në Kuvend dhe, e dyta, është nëse ndodh marrëveshje në mes spektrit politik. Sa i përket reformës zgjedhore, thotë se e ka përmbyllur atë dhe shumë shpejt pritet t’i dërgohet Kuvendit. Thaçi thotë se presidenti i Kosovës tani e tutje duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët, në mënyrë që mos të bëhet siç ka thënë ai - “pjesë e makinacioneve të ndryshime politike”. Kurse sa i përket Gjykatës Speciale, Thaçi ka thënë se kjo gjykatë nuk do ta destabilizojë shtetin, por do t’i ndihmojë drejtësisë. Në këtë intervistë presidenti Thaçi ka folur edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës, për shqiptarët në Maqedoni dhe për marrëdhëniet me Shqipërinë. Po ashtu, presidenti Thaçi e ka dhënë si ide emrin e stadiumit nacional të Kosovës.
 
“Epoka e re”: Z. President, nesër (e premte) Kosova mbush nëntë vjet nga shpallja e pavarësisë. Sa jeni i kënaqur me ecurinë e proceseve shtetërore?
Thaçi: Kosova në këta nëntë vjet ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, është njohur nga 113 shtete të botës, si dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare. Në veçanti, viti i fundit ka qenë shumë i suksesshëm në këtë drejtim, pasi Kosova është anëtarësuar në UEFA, FIFA dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në Rio de Janeiro, ku heroina Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë. Si shtet kemi ndërtuar raporte të mira fqinjësore me të gjithë. Raporte vëllazërore dhe shumë të mira bashkëpunimi me Shqipërinë, raporte të mira me Maqedoninë, me Malin e Zi si dhe jemi duke punuar për një fqinjësi të mirë edhe me Serbinë. Kemi ruajtur raportet speciale me ShBA-në dhe kemi avancuar raportet me BE-në. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe populli më proamerikan në Evropë. Synimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Në aspektin ekonomik kemi ruajtur trendin pozitiv të zhvillimit për këta nëntë vjet, rreth 3.5 apo 4 për qind, janë krijuar vende të reja të punës. Pra, kemi bërë reforma të rëndësishme në ekonomi, në legjislacion dhe në politikë. Kemi integruar komunitetet në institucione, në Kuvend, në Qeveri, si dhe e kemi përmirësuar situatën në veri të Mitrovicës. Këto kanë qenë vite të suksesit, por me plot ballafaqime dhe vështirësi, të cilat duhet t’i tejkalojmë dhe të kemi sukses të mëtutjeshëm, në veçanti në procesin integrues euroatlantik.
 
“Epoka e re”: Ju thatë se Kosova ka avancuar në shumë aspekte që i përmendet, megjithatë ka shumë ngecje. Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në rajon, nuk është pjesë e UNESCO-s, si dhe nuk ka rritje të numrit të njohjeve.
Thaçi: Këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO. Kosova mbetet vendi më i izoluar padrejtësisht nga Bashkimi Evropian sepse BE-së i mungon qasja strategjike për Kosovën e Ballkanin Perëndimor dhe merret më tepër me aspekte procedurale dhe burokratike. Kosova ka implementuar të gjitha kriteret demokratike për çështjen e vizave. Në takimin e fundit në Bruksel, presidenti Tusk, Tajan dhe Juncker, folën hapur dhe shumë qartë se janë të impresionuar me suksesin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tanimë ka mbetur edhe një kriter, çështja e demarkacionit. Por, një gjë është e qartë, se pa ratifikimin e demarkacionit Kosovës nuk do t’i njihet lëvizja e lirë.
 
“Epoka e re”: A do të ndërmerrni ndonjë iniciativë që t’i përafroni qëndrimet në mes të pozitës dhe opozitës sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionit të komunave serbe?
Thaçi: Duke folur nga përvoja ime kur kam qenë lider i opozitës, por edhe si kryeministër, mendoj se pozita dhe opozita kanë mundësi të ulen, të diskutojnë dhe të kenë prioritete të përbashkëta, në veçanti euroatlantike. Në këtë drejtim nuk duhet të ketë dallim sa i përket së ardhmes evropiane, raporteve speciale me ShBA-në dhe anëtarësimit në NATO. Për fat të keq, po ndodhin gjëra që me të vërtetë nuk po i bëjnë ndër askujt. Marrëveshja e demarkacionit është e saktë, e drejtë, e qartë dhe e mbështetur nga faktori ndërkombëtar, prandaj refuzimi i demarkacionit është i pajustifikueshëm, i paargumentuar dhe është një refuzim me karakter të qartë të interesit të ngushtë lokal dhe elektoral.
Progresi në veri është i kapshëm, i lexueshëm dhe i prekshëm
 
“Epoka e re”: Përveç demarkacionit, kriter është edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Sa jeni i kënaqur me punën e deritanishme të institucioneve dhe çfarë do të bëni në këtë drejtim?
Thaçi: Kosova ka bërë më tepër se të gjitha vendet e tjera në rajon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo përpjekje vlerësohet lart në Bashkimin Evropian. E ritheksoj se e vetmja çështje që ka mbetur është demarkacioni, prandaj i ftoj të gjithë të ngrihen mbi interesat individuale, grupore, partiake dhe elektorale në shërbim të interesit të shtetit.
 
“Epoka e re”: Kosova është shtet që nëntë vjet, por ende nuk ka arritur ta shtrijë autoritetin shtetëror në veri të vendit.
Thaçi: Jetojmë në demokraci dhe i respektoj opinionet e ndryshme. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, por e vërteta është se në veri të Mitrovicës tani kemi integrimin e të gjithë komunitetit në shoqërinë e Kosovës, e kemi integrimin e strukturave të mëhershme në Policinë e Kosovës, në sistemin e drejtësisë, e kemi Doganën e Kosovës, e kemi kufirin e Kosovës. Po ashtu, sot ka lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave. I kemi organizuar zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme për herë të parë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kështu që, progresi aty është i kapshëm, i lexueshëm, i prekshëm dhe çdo deklarim tjetër është deklarim i paqëlluar dhe me konotacion të interesit politik.
 
“Epoka e re”: Serbia po vazhdon ta provokojë edhe më tutje Kosovën përmes veriut.
Thaçi: Askush mos të presë që Serbia do ta njohë këtë realitet të progresit apo të pranojë botërisht. Serbia ka gabuar në disa raste me Kosovën edhe në muajt e fundit, për çfarë ka marrë përgjigjen e merituar qoftë në çështjen e trenit apo të murit. Por, është mirë që të dyja këto problematika janë tejkaluar me vendosmëri të institucioneve të Kosovës, me urtësi dhe dialog politik.
 
“Epoka e re”: Z. Thaçi, sa i përket dialogut të Brukselit në Kosovë ka qëndrime për dhe kundër. Pozita thotë se jemi duke përfituar nga ky proces, kurse opozita thotë se jemi duke humbur. Ju jeni shprehur vazhdimisht pro dialogut me Serbinë, pavarësisht prej kundërshtimeve, madje keni kërkuar që ky proces të ndryshojë format. Pse insistoni në këtë dialog?
Thaçi: Përmirësimi në veri të Mitrovicës është pikërisht rezultat i dialogut të Brukselit. Nëse nuk ka dialog, çfarë ka tjetër - luftë? Me kënd të luftojmë dhe për çfarë të luftojmë?! Ne e kemi përmbyllur luftën në vitin 1999, e kemi fituar lirinë dhe e kemi çliruar vendin. Jemi vend i pavarur dhe synojmë të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Dialogun e kanë përkrahur të gjitha partitë politike në një formë apo formë tjetër. Edhe partitë opozitare. AAK-ja ka qenë pjesë e dialogut vazhdimisht pranë meje në Bruksel. Edhe dy partitë e tjera që sot janë në opozitë, kur e kanë ndërtuar bllokun politik VLAN, e kanë përkrahur dialogun fuqishëm dhe kanë pasur synime për ta udhëhequr atë. Kështu që, qëndrimi i tyre politik varet nga pozicioni i tyre institucional, pra është lëvizje taktike-politike e jo qëndrim politik refuzues.
 
“Epoka e re”: Pse është i nevojshëm vazhdimi i këtij dialogu meqë nuk po zbatohen tërësisht marrëveshjet e arritura?
Thaçi: Shumica e marrëveshjeve janë zbatuar. Kanë mbetur edhe disa marrëveshje të diskutohen dhe të implementohen. Mendoj se dialogu nuk ka alternativë. Ata që refuzojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore nuk kanë argumente dhe nuk kanë vizion të qartë evropian për Ballkanin Perëndimor.
 
“Epoka e re”: Në opinion është perceptimi se nga ky proces po përfiton Serbia për t’u afruar me BE-në e jo Kosova.
Thaçi: Varet kush e thotë dhe çka thotë. Kosova po konsolidohet dhe po e shtrinë autoritetin në gjithë territorin. Edhe opozita në Serbi po thotë se Kosova po përfiton. Kështu që, nëse e vëmë në peshore, dialogu është në favor të Kosovës. Ky dialog është për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, e jo cenim i interesave shtetërore të Kosovës.
 
“Epoka e re”: President, keni filluar konsultimet për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Është koha e duhur të ndodhë themelimi i këtij komisioni?
Thaçi: Gjithmonë është koha e mirë për të vërtetën dhe pajtimin. Ka pyetje që shtrohen se a është herët apo vonë. Por mendoj se kemi reaguar në momentin e përshtatshëm, kur janë krijuar kushtet dhe rrethanat. Jemi të parët në rajon dhe tash rajoni duhet të marrë shembull nga Kosova. Unë dua që e vërteta të dalë në shesh. E vërteta është ilaç për shoqërinë e Kosovës, e pastron dhe i jep shëndet. Ne duhet të kemi një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe në asnjë rrethanë të mos kemi narracione të ndryshme armiqësore dhe të urrejtjes. Jam takuar me shoqatat e personave të zhdukur shqiptarë dhe serbë. Për të gjithë dhimbja është e njëjtë. Dëshiroj të zbulohet e vërteta dhe kryerësit të ndëshkohen për masakrën e Prekazit, të Rezallës, të Obrisë, të Mejës, të Studimes, të Qyshkut, si dhe për të gjitha masakrat e tjera që kanë kryer serbët në Kosovë. Në të njëjtën kohë edhe për veprimet çfarë kanë ndodhur në Grackë të Lipjanit, apo në Gorazhdec, kushdo që t’i ketë kryer, pa prejudikuar të zbulohet e vërteta dhe ta marrin dënimin kryerësit. Në fakt, ky Komision nuk e zëvendëson drejtësinë, përkundrazi i jep kuptim dhe e fuqizon drejtësinë. Arritja tek e vërteta ndihmon në pajtimin e njerëzve. Një pajtim ky që nuk duhet të keqkuptohet, por duhet të mbështetet.
 
“Epoka e re”: Kjo iniciativë nuk ka marrë mbështetje nga një pjesë e politikës dhe shoqërisë.
Thaçi: Për çdo ide ka reagime dhe opinione të ndryshme, por unë them se është një mbështetje e gjerë e shoqërisë civile, e medieve, e personaliteteve me ndikim, e opinionit ndërkombëtar dhe, para së gjithash, e familjeve të viktimave të luftës.
 
“Epoka e re”: Z. Thaçi, çfarë është duke ndodhur me reformën zgjedhore?
Thaçi: Unë e kam përmbyllur reformën dhe ajo do t’i dërgohet shumë shpejt Kuvendit të Kosovës, i cili pastaj do të vendosë.
 
“Epoka e re”: A do të ketë legjitimitet kjo reformë meqë opozita nuk ka qenë pjesë e saj, pasi e ka refuzuar ftesën tuaj për të marrë pjesë në takimet punuese?
Thaçi: Opozita është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Është e përfaqësuar edhe në komisionet parlamentare dhe aty mund të diskutojë, mund të japë propozime dhe ide, pastaj reforma mund të bartet për votim. Kështu që, opozita në një formë apo në një tjetër është pjesëmarrëse e këtij procesi.
 
“Epoka e re”: Është bërë kjo reformë që presidenti të ketë më shumë kompetenca, meqë përmes saj parashihet që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët?
Thaçi: Dua të besoj se në zgjedhjet e ardhshme presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe të mos bëhet pjesë e makinacioneve të ndryshime politike. Synim imi nuk është reforma elektorale për rritjen e kompetencave të presidentit, por që të kemi një demokraci të përfaqësimit të drejtpërdrejtë sa i përket të parit të vendit. Nuk do të ketë rritje të kompetencave. Do të mbesin këto që janë aktualisht.
 
“Epoka e re”: Si po e shihni kërkesën për zgjedhje të reja? A ka nevojë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Thaçi: Janë dy mundësi për zgjedhje të parakohshme. E para, nëse partnerët e koalicionit e humbin shumicën në Kuvend dhe, e dyta, është marrëveshja në mes të spektrit politik. Sa i përket së parës, një realitet i tillë nuk është krijuar në Kuvendin e Kosovës, kurse sa i përket së dytës, nuk kam kërkesë të tillë nga subjektet politike. Kështu që, unë e respektoj afatin ligjor dhe kushtetues 2017-2018. Në 2017-n janë zgjedhjet lokale dhe në 2018-n zgjedhjet e përgjithshme.
 
“Epoka e re”: President, përveç problemeve të tjera, këtë vit Kosova do të ballafaqohet edhe me Gjykatën Speciale. A do të sjellë destabilizim të Kosovës funksionalizimi i kësaj gjykate?
Thaçi: Drejtësia e ndihmon shtetin dhe nuk e destabilizon. Drejtësia u jep kuptim proceseve për të cilat ka pikëpyetje. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur. Ne i kemi dhënë mbështetje të fuqishme si institucione themelimit të kësaj gjykate. Është e interpretueshme a është e drejtë apo jo? A është një-etnike apo nuk është? I kuptoj të gjitha ato opinione dhe reagime që po vijnë, por mendoj se për hir të ruajtjes së bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, duhet të lëvizim përpara.
 
“Epoka e re”: Si e vlerësoni gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni?
Thaçi: Shqiptarët në përgjithësi në rajon nuk kanë jetuar kurrë më mirë. Kosova është vend i lirë, sovran dhe i njohur prej shumicës së vendeve të botës. Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe me perspektivë të sigurt evropiane. Në Maqedoni shqiptarët janë mbi 30 për qind dhe përfaqësohen në institucione. A do të duhej të ishin më unikë? Po. Në kuadër të kësaj ka qenë edhe takimi që kam zhvilluar në Prishtinë me liderët e partive politike shqiptare, për t’i mbështetur në përpjekjet për unifikimin e platformës së tyre të përfaqësimit në institucione. Në Maqedoni duhet të respektohet marrëveshja e Ohrit, por ne si liderë politikë të gjithë duhet ta respektojmë identitetin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Atje ka liderë politikë me përvojë dhe me angazhim të madh në kauzën kombëtare, si z. Ahmeti, z. Thaçi dhe të tjerët. E jona është t’i mbështesim dhe ta ruajmë bashkëpunimin e mirë me shtetin e Maqedonisë. Ndërsa shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të përfaqësuar në institucionet lokale e qendrore dhe çdo vendim për të ardhmen e tyre dhe për afirmimin e të drejtave kombëtare dhe demokratike do t’i mbështesin institucionet e Kosovës.
 
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin me Shqipërinë dhe vendet e tjera në rajon?
Thaçi: Bashkëpunimi Kosovë - Shqipëri është i shkëlqyer, është vëllazëror, miqësor dhe shtetëror. Ky bashkëpunim duhet edhe të rritet dhe të jetë rezultativ jo vetëm në kuptimin e respektit vëllazëror, por edhe të interesit shtetëror.
 
“Epoka e re”: A duhet të bëjnë më shumë Kosova dhe Shqipëria për Luginën e Preshevës?
Thaçi: Kosova është e kufizuar që të bëjë më tepër për Luginën e Preshevës, ndërsa Shqipëria duhet të bëjë më tepër. Edhe ne duhet të përpiqemi maksimalisht. Serbia i pranon abetaret nga Shqipëria për shqiptarët në Preshevë, ndërsa abetaret e Kosovës i duken më të rënda, më të rrezikshme dhe më armiqësore.
 
“Epoka e re”: Z. Thaçi, aktualisht temë debati është edhe emërtimi i stadiumit nacional të Kosovës. Janë përfolur dy emërtime, “Dardania” dhe “Fadil Vokrri”. Sipas mendimit tuaj, si do të duhej të quhej ky stadium?
Thaçi: Po të pyetesha unë, stadiumi nacional i Kosovës do të duhej ta mbante emrin e simbolit të bashkimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, z. Adem Demaçi.
 
(Shqipe HETEMI) 
List of videos