Ferizaj, shënohet Dita botërore e shëndetit oral
Ferizaj, shënohet Dita botërore e shëndetit oral
20.03.2017 | 17:25
Të hënë në Ferizaj, është shënuar Dita botërore e shëndetit oral. Në këtë manifestim kanë marrë pjesë drejtues të qeverisë lokale, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Në këtë manifestim kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, u ka thënë të pranishmeve se kjo ditë është shumë e veçantë. “Hulumtimet që janë bërë pas luftës në Ferizaj për shëndetin oral, kanë treguar se një numër mjaft i madh fëmijësh, vuajnë nga dëmtimi i dhëmbëve, për shkak të sëmundjeve të rëndomta dhe për shkak të mungesës së kujdesit të mjaftueshëm. Prandaj, shtrohet nevoja që mjekësia familjare t’i shtojë aktivitete në terren për kontrollimin më të shpeshtë edhe parandalimin e sëmundjeve të gojës. Besoj se me një mobilizim dhe organizmin të duhur, mund të bëhen kontrolla të rregullta nëpër shkolla, të mbahen ligjërata nga ekspertët e shëndetit oral, si dhe të bëhen ndërhyrje të nevojshme tek fëmijët që kanë probleme me dhëmbët”, ka thënë Svarqa.
Ai ka deklaruar se vitin e kaluar Komuna e Ferizajt në bashkëpunim edhe me QKMF-në kanë vendosur edhe karrige stomatologjike nëpër disa shkolla, vetëm e vetëm që të tregohet një kujdes më i madh sa i përket shëndetit oral.
Ndërsa, shefi i sektorit të stomatologjisë, Muhamet Ramadani, ka folur për sukseset e këtij sektori, me ç’rast ka falënderuar edhe Muharrem Svarqën për përkrahjen e pa rezervë të këtij sektori.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Burim Karameta, profesor dr. Adil Raka si dhe mysafirë të tjerë të pranishëm.
Në fund të këtij manifestimi, stomatologë të ndryshëm janë nderuar edhe me mirënjohje në shenje falënderimi për kontributin e dhënë.
 
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)
List of videos