Nis realizimi i 16 projekteve infrastrukturore
Nis realizimi i 16 projekteve infrastrukturore
20.04.2017 | 17:01
Drejtoria e Infrastrukturës në Ferizaj ka filluar punimet në 16 projekte të ndryshme infrastrukturore.
Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Gafurr Ilazit, deri tash janë iniciuar 14 procedura të tenderimit, 30 kontrata janë nga viti i kaluar, ndërsa po punohet në 16 projekte infrastrukturore. “Po punohet në projektin e sheshit, në fshatin Komogllavë, në asfaltimin e rrugicave në fshatin Lloshkobare, po punohet në rrugicat e fshatit Bibaj, në asfaltimin e rrugicave në Talinovc të Muhaxherëve, në fshatin Gaçke, në lagjen ‘Cakaj’ në Mirosalë, në fshatin Koshare, në asfaltimin i rrugicave në Rahovicë, si dhe në asfaltimi përgjatë rrugës së hekurudhës në Ferizaj”, ka deklaruar Ilazi.
Është bërë me dije se Komuna e Ferizajt tashmë ka përfituar edhe shumë projekte nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Po ashtu është thënë se me mjete të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore, është duke u bërë asfaltimi i rrugicave në fshatin Dubravë, ndërsa me mjete të Ministrisë së Infrastrukturës, po realizohen edhe disa projekte të tjera. “Me mjete të Ministrisë së Infrastrukturës është paraparë që të realizohen edhe këto projekte: asfaltimi i rrugicave në Sazli, Papaz, Prelez i Muhaxherëve, ndërtimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja e rrugës N6 në rrugën ‘Driton Islami’, asfaltimi i rrugës Sojeve-Mirosale-Pojatë-Softaj-Ferizaj, asfaltimi i rrugës Rahovicë-Kishnapole, asfaltimi i rrugës Pleshinë-Kashtanjeve dhe asfaltimi i rrugës Talinovc i Muhaxherëve-Ferizaj, rrugë kjo që shkon në drejtim të rrugës ‘Kadri Zeka’”, ka potencuar drejtori Ilazi.
Buxheti i Drejtorisë së Infrastrukturës për këtë vit është mbi katër milionë euro, si dhe mbi një milion euro mjete të bartura nga viti i kaluar.
List of videos