Prishtina bëhet me zyre informative për fermerët
Prishtina bëhet me zyre informative për fermerët
21.04.2017 | 16:52
Komuna e Prishtinës do të funksionalizojë Zyrën informative për fermerët.
Kjo është bërë me dije të premten gjatë një konferencë për medie të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtorit të Bujqësisë, Ferat Makolli dhe zyrtarëve nga Ministria e Bujqësisë. Drejtori për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Ferat Makolli, ka thënë se Zyra informative për bujqësi do të jetë në dispozicion për të gjithë fermerët dhe bujqit e Komunës së Prishtinës.
Ndërsa, kryetari i Prishtinë, Shpend Ahmeti, ka thënë se kjo komunë e ka 90 për qind të territorit të saj zonë rurale, ku bëjnë pjesë 550 hektarë tokë bujqësore të klasit të parë.
Ai ka deklaruar se këtë vit ka filluar një projekt i përbashkët me Qeverinë e Austrisë në vlerë 3 milionë euro. Ky projekt ka për qëllim avancimin e fermerëve dhe në përgjithësi të bujqësisë në Komunë të Prishtinës.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Hysni Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për zhvillimin ekonomik. Ai ka thënë se Qeveria ndihmon edhe shërbimet këshillimore e cila iu ndihmon fermerëve për zhvillim të mëtutjeshëm për të hyrat dhe të dalat e tij si biznes.
List of videos