“Bardhësitë e atdheut”, përmendore gjithëkombëtare!
“Bardhësitë e atdheut”, përmendore gjithëkombëtare!
06.01.2017 | 11:27
“Bardhësitë e atdheut”, e publicistit Afrim Mustafa, është vepër e kujtimit, e nderimit dhe e dokumentimit për gjithë shqiptarinë. Para kësaj përmendoreje, brezi i sotëm duhet të qëndrojë gatitu dhe në këtë mënyrë t’i kujtojë me epitet të posaçëm dhe me nderim të përjetshëm të gjithë këta dëshmorë të lirisë…
Shkruan: Akademik Pajazit Nushi
 
Monografia “Bardhësitë e atdheut” e autorit Afrim Mustafa është përmendorja më e shenjtë e luftës për liri të shqiptarëve në fundin e shekullit njëzetë dhe në fillimin e shekullit njëzetenjë. Veprën e përpiluar në formë monografie e bën përmendore përmbajtja e saj, e cila është dëshmi e gjakut të derdhur për mbrojtje të lirisë së popullit shqiptar nga 2 225 djem e vajza, të rinj e pleq, foshnja e fëmijë që ishin më të përkushtuarit për lirinë e popullit shqiptar. Këta kanë ngrenë dhe kanë skalitur “përmendoren e lirisë” para së cilës secili duhet të qëndrojë gatitu në shenjë nderimi e respektimi të dy mijë e dyqindenjëzetepesë dëshmorëve të atdheut të hapësirës shqiptare të Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë. E quaj këtë vepër monografike “përmendore”, sepse u rreshtuan në ushtrinë vetëmbrojtëse, sepse bënë luftën çlirimtare të popullit të nëpërkëmbur në çdo fushë jete e aktiviteti, sepse bënë luftë heroike në kushte dhe raporte socialo-ushtarake jashtëzakonisht të vështira, sepse kjo vepër kapitale dhe e veçantë ngjall kujtimet.
 
Vepër që tregon qytetërimin e vërtetë të kulturës sonë për liri…
 
Për nderim të shumë dëshmorëve që kanë rënë në luftë për lirinë e atdheut prej atëherë kur këto toka arbërore e shqiptare e kishin humbur lirinë, posaçërisht prej kohës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nga e cila kohë më shumë se gjysma e tokave shqiptare me popullsi autoktone ngelën jashtë shtetit shqiptar, duke u bërë popullsi shqiptare rrethore e shtetit shqiptar të vitit 1912. Gjaku i derdhur për liri dhe zhvillim kombëtar të përbashkët tregon qytetërimin e vërtetë të kulturës për liri njerëzore dhe kombëtare. Përmendorja e dëshmorëve të luftërave të fundit në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni që u paraqit në formë monografie, është njëkohësisht përmendore e të gjithë të tjerëve, të rënë në altarin e lirisë, të ditur e të paditur në histori, të përmendur dhe të ngelur jashtë kujtesës historike, që e kanë ose nuk e kanë së paku bustin e tyre. Për këto shkaqe para kësaj përmendoreje, brezi i sotëm duhet të qëndrojë gatitu dhe në këtë mënyrë t’i kujtojë me epitet të posaçëm dhe me nderim të përjetshëm të gjithë këta dëshmorë të lirisë.
 
Libri, forcë e shpirtit kombëtar, lartësim i vlerave dhe dinjitetit të kombit tonë
 
Gati një shekull të tërë shqiptarët e Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë përjetuan më të keqen nën thundrën pushtuese serbe e maqedonase; shumë gjenerata kanë kaluar dhe janë shuar në errësirën e sunduesit të pamëshirshëm. Kemi pikëllimin e dhembjen tonë që nuk shuhet kurrë për të gjithë dëshmorët dhe veprat madhore të tyre, siç është teksti përmbajtjesor “Bardhësitë e atdheut” me fytyra të bukura të lules rinore të qëndisura me gjakun e foshnjave, të vajzave e grave, të të rinjve, të burrave e pleqve që lëngështuan tokën e thatë të pushtuar të tyre, vulosën dashurinë kombëtare – dashurinë e përhershme për atdheun e shqiptarëve. Dëshmorët e atdheut zbardhën sentimentin e atdhedashurisë me betimin e tyre “...Do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut...” dhe i ngelën besnikë këtij betimi duke dhënë për mbrojtje të lirisë dhe të atdheut edhe të fundmen që patën - jetën e shtrenjtë të tyre. Jehona e këtij betimi dhe gjaku i derdhur në emër të përmbajtjes kuptimplote të besës së dhënë në betim janë dëshmitarët më të fuqishëm se të gjithë këta dëshmorë me vetëdije të plotë sakrifikuan jetën e tyre duke argumentuar forcën e shpirtit kombëtar, vlerat dhe dinjitetin e kombit tonë. Të gjithë ne jemi në nderim të tyre, këta janë në ballë të historisë liridashëse dhe trimëria e gjaku i tyre i betonuar në kujtesën historike do të jetë ushqim i pafundmë i karakterit të të gjithë shqiptarëve. Bukurinë e kësaj përmendoreje, betonimin dhe skalitjen e saj, arriti ta bëjë në formën më të mirë Afrim Mustafa - protagonist i rrjedhave politike dhe ushtarake, i luftërave të viteve të fundit të qindvjetëshit njëzet dhe i viteve të para të dekadës së parë të qindvjetëshit njëzetenjë. Autori Afrim Mustafa me këtë vepër ka treguar se zhvillimet historike të shqiptarëve nuk janë zhvillime rrethore të mbyllura, por zhvillime spirale të kualiteteve nivelesh gjithnjë e më të larta. Vështirë mund të gjenden fjalë miradije për të bëma kaq të madhe të Afrim Mustafës. Të lumtë!
(Marrë nga enciklopedia gjithëkombëtare “Bardhësitë e atdheut”)
List of videos