GJUHA DHE LUFTA E IDEVE
GJUHA DHE LUFTA E IDEVE
11.01.2017 | 12:05
(Recension për veprën “Gjuha dhe lufta e ideve” të autores prof. dr. Lindita Tahiri)
Shkruan: Faton Krasniqi
 
Studimin e veprës së autores prof. dr. Lindita Tahiri po e filloj me një thënie të perandorit Adriano: “Nëse nuk mjaftojnë bisedimet, atëherë e pranoj luftën si mjet për ta arritur paqen”. Në veprën “Gjuha dhe lufta e ideve” nuk kemi vringëllime shpatash, harqesh, shtizash, shigjetash, as gjëmime topash lufte, por kemi gjuhë dhe luftë idesh, të pragmatizuara me bojë lapsi e të zezës mbi të bardhën.
Vepër e pasur me elementë morfo-sintaksorë, leksiko, frazeologjizma, me figuracion simbolik, po aq edhe me fjalës nga stilistika e semantika. Tri fjalë gjuhë, luftë, ide që na japin një seri kuptimesh [polisemantike], 1. Gjuha mjet komunikimi, 2. Gjuha shqipe, 3. Gjuhë mirëkuptimi, 4. Gjuhë e dashurisë. 5. Gjuhë e urrejtjes. Luftë: 1. Lufta e Parë Botërore, 2. Lufta Ballkanike, 3. Lufta për titullin kampion, 4. Luftë idesh, 5. Luftë për paqe. Ide: 1. Ide gjeniale, 2. Ide madhështore, 3. Ide e kotë, 4. Ide përparimtare, 5. Ide studimesh.
Në kuadër të veprës “Gjuha dhe lufta e ideve”, autorja gjuhën, luftën dhe idetë i bënë të bashkëjetojnë, bashkëveprojnë, bashkëpërkojnë, të ndjejnë trysnin e njëra - tjetrës, të kundërshtojnë brenda dy kapitujve dhe 318 faqeve librore. Përmes veprës “Gjuha dhe lufta e ideve”, studiuesja Lindita Tahiri i ofron lexuesit, kritikut të linguistikës pjesë të rëndësishme të krijimtarisë, hulumtimeve, studimeve shkencore të saj.
Përdorimi i ligjërimit bisedor në gjuhën e medieve në Kosovë i takon si temë të tashmes, të shkuarës dhe të ardhmes, autorja me shumë seriozitet i është qasur kësaj teme, si një intelektuale e mbi të gjitha si filologe, për autoren ky është një fenomen dhe me të drejt i referohet me fjalën fenomen. Autorja shkruan për shkaqet e fenomenit, ku i referohet me plotë të drejt sociolinguistëve dhe vërejtjeve të tyre për zhvendosjen e ligjërimeve prej “fuqisë së pushtetit” kah “fuqia e solidarizimit”. Sipas autores të folurit publik përfiton nga populizmi e sidomos në kohët e sotme. Intelekti, dhe përvoja shkencore e autores na drejton kah trajtimi i temave aktuale dhe me shumë rëndësi për linguistikën, linguistët, gazetarinë dhe publicistikën moderne.
Vepra “Gjuha dhe lufta e ideve”, si titull libror është i “ashpër” në leximin e parë, por, autorja tregon për lufta idesh perspektiviste lingustike, temat që janë trajtuar në këtë vepër janë të një rëndësie të veçantë për gjuhësinë e përgjithshme me theks të veçantë për gjuhësinë kritike, ka pak filologë që iu janë futur studimit, hulumtimit dhe trajtimit të këtyre temave, por mbi të gjitha studimet e autores janë shume serioze, profesionale, shkencore, frytdhënëse dhe ambicioze. Kjo vepër për albanistiken është një freski, vlerë por edhe pasuri; duke i lexuar temat e kësaj vepre me shumë vëmendje arrijmë të kuptojmë se autorja është disa hapa apo shumë hapa para linguistëve të sotëm por edhe të djeshëm, atë e thotë ajo në çdo temë me pedantëri hulumtuese shkencore. Këtë vepër e bëjnë të madhe temat që janë trajtuar në të p. sh. Statusi ligjor i shqipes në Kosovë; Gegërishtja letrare; Gjuha e politikës; Ideologjia si gjendje mendore e individit; Klonimi politik i identitet kosovar; Kadareja impersonaliteti dhe libri i gatojcës; Pakuptimësia e lirisë së vonuar; Identiteti: ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit; Heroi i masave: Isa Boletini dhe Harry Poter; Histeria mediale dhe dordolecët kombëtarë. Përmenda disa tema të trajtuara nga autorja, dhe nga kjo kuptojmë që idetë e saj janë tepër shkencore dhe nuk janë të mbyllura në korniza të brishta kërkuese, apo të mbyllura në rrethe vicioze, autorja të gjitha temave u ka vënë pikën mbi i.
Është konkluduar se gjinia femërore më së shumti përdorin fjalët deminutative [zvogëluese], të cilat i shprehin me përsëritje të shpeshta dhe hiperbola dhe shumë pak vulgarizma, autorja Lindita Tahiri në mënyrë të përkryer i fillon dhe i mbaron studimet e saj, gjithashtu në mënyrë shkencore të gjitha temave ua vë “kapakun” të gjitha studimeve të saj pa i hiperbolizuar. Nga shtresimi social i gjuhës krijohen dialektet sociale (sociolektet) të cilat pasqyrojnë dallimet midis shtresave strukturore dhe grupeve të posaçme shoqërore. Studimet e Lindita Tahirit janë inovative në linguistikën moderne shqiptare. Studimet kritiko-shkencore të autores do t`i bëjnë mirë mendimeve pozitive persepktiviste për linguistikën në përgjithësi. Po ta lexojmë me kujdes çdo studim të saj do të shohim prurjet tematike dhe një terminologji të pasur leksikore, por edhe morfo-sintaksore, ajo ka guxim të përdor leksik dhe shprehje që nuk është edhe aq lehtë për ta kuptuar. Sikur të merreshim vetëm me studimin e leksikut të autores, do të shihnim se jo vetëm albanistika por në përgjithësi linguistika përfiton nga përdorimi leksikor në çdo studim të saj. Nga gjithë ai leksik apo shprehje unë do t`i dalloj vetëm disa, autorja sjell shumë risi leksikore por edhe morfo-sintaksore, njëherit tregon edhe një aftësi unike të zotërimit linguistik në koherencë të pandërprerë p. sh. edu-argëtim, paralelizëm sintaksor, histeri mediale, impersonalitet, hermeneutika, trefishësisë, desakralizuar, konsumues komercial, ndëraktivitet, agjenci e trajtimit të buzëqeshjes, vizione utopike, dhjetëvjetësha, literaritet, pushtetplota, ndërpersonal, efekt hipnotik, konsumatorë masivetj. Autorja në njëfarë mënyre i jep një leksion kërkimeve linguistike postmoderne, ajo proceset kërkuese-hulumtuese gjuhësore i shtyen edhe më tej. Autorja përmes veprës “Gjuha dhe lufta e ideve”, qartas tregon se nuk trajton apo studion tema stereotipesh, që ndoshta janë “stërholluar” apo “stërtrajtuar”, kjo mund të jetë edhe pjesë e kulturës së saj shkencore. Këto tema sjellin edhe rezultatet dhe jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në fushën e gazetarisë, publicistikës. Temat me motive historike, apo krahasimet mes figurash nga fusha të ndryshme i japin një qasje interesante temës dhe vetë veprës p. sh. Isa Boletini personazh historie dhe Harry Potter personazh artistik, sa shumë larg autorja e “gjuan gurin” e trajtimit-studimit të temave të sotme gjuhësore. Për t`i studiuar temat e autores duhet përgatitur mirë e mirë për t`i “deshifruar”, nuk është aspak e lehtë.
Një vepre me motive gjuhësore ia shton bukurinë kur herë pas herë futen terma apo ngjarje krahasuese p. sh. “Vajza e Agamemnonit”, deri sa lexon për linguistikën dhe në një pjesë të saj merret një shembull i tillë, apo kur krahasimet gjuhësore bëhen me ngjarje historike apo mitologjike të bien ndërmend gjithë ato skena interesante dhe kjo është një zotësi që autorja ka për t`i ofruar lexuesve, qasje krejt moderniste hulumtuese gjuhësore, stilistike apo dhe publicistike. Termat gjuhësorë autorja i zhvillon me kritere shkencore akademike, për të ndriçuar çështje, për të gjetur zgjidhje. Ne nuk duhet krijuar iluzione se mos gabojmë gjëkundi duhet marr shembullin e autores ajo trajton tema të rëndësishme që deri më sot janë trajtuar shumë pak.
Kërkimet shkencore janë të pavarura por me ide të qarta, shumë profesionale, korrekte dhe inovative. Shikuar nga aspekti leksikor-historik dygjuhësia ka qenë e pranishme në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe Ballkanin apo edhe shumëgjuhësia; në veprën “Gjuha dhe lufta e ideve”, vërehet qartë se autorja është ndikuar nga studimet progresiste postmoderniste të studimeve gjuhësore, dy a tri detaje na bëjnë të qartë se shkenca është e lidhur ngushtë me vetë autoren, citimet, referencat, literatura i takojnë të gjitha emrave më në zë të shkencëtarëve modernë botërorë, në kuadër të temave kemi fjalë të shkruara në origjinalin e gjuhës së cilës i referohet autorja për studime dhe krahasime shkencore p. sh. “The New York Times”, “The Guardian”, apo edhe “The Man Booker International Prize”, por, pluralizmi kulturor është i njëjtë, mirëpo shikuar nga aspekti historik, linguistik, kulturor i paraprinë multikulturalizmit postmodern linguistik e kulturor. Vepra “Gjuha dhe lufta e ideve”, është edhe një udhëzues praktik për hulumtuesit e fushës së linguistikës, gjithashtu mund të jetë një udhërrëfyes për nisjet dhe përfundimet e punimeve shkencore me sukses të temave të ndryshme. Trajtimi kritik i elementeve gjuhësorë nuk është aspak i lehtë për t`u studiuar nga gjuhëtarët, megjithëse mund të ndodhë që shumë nga kritikët profesionalë të jenë të rezervuar për të vlerësuar studimet kritike gjuhësore, pasi është një fushë delikate për të dhëna vlerësime përfundimtare për të arriturat e studimeve përkatëse. Në këtë vepër trajtohen tema si: Ideologjia dhe gramatika; Metonimia e Perëndimit kundruall vetvetes, duhet qenë i mirëpërgatitur për të dalluar mirë e mirë raportet “kontekst” dhe “kontest”, por një mundësi është që të gjitha konceptet që shërbejnë si kuptime leksikore në gjuhë janë thjesht morfema apo lema; duhet zbërthyer me kujdes për të arritur te kuptueshmëria linguistike.
Studimi i gjuhës në raport me shoqërinë është bërë një fushë e rëndësishme studimore, por dhe rezultative, nga gjuha krijohen ide, në veprën “Gjuha dhe lufta e ideve”, gjejmë shumë elementë nga etnografia e komunikimit dhe etnografia e të folurit, mbase veç kemi gjuhë dhe luftë idesh. Veprimtaria gjuhësore është shumë e rëndësishme për shoqërinë, sa që ne i bëjmë asaj një trajtim të veçantë në kulturën tonë, si një objekt për t`u klasifikuar dhe për të diskutuar mbi të, diskutimin dhe trajtimin më të mirë për të e gjejmë në “Gjuha dhe Lufta e ideve”, mbasi kemi një jetë shoqërore të pandërprerë dhe zinxhirore, kemi dhe aktivitetet të pandërprera gjuhësore, komunikuese, dhe trajtim temash linguistike të një rëndësie të veçantë.
Rregullat gjuhësore janë të gjitha, gjithashtu ka mjaft tema të cilat janë trajtuar, por gjuhësia nuk ka përfunduar me një seri rregullash të vendosura për gjuhën shqipe apo për cilën do gjuhë të botës, standardet gjuhësore janë vendosur në një datë të rëndësishme për historinë, kulturën dhe gjuhën e çdo vendi, çdo shteti apo kombi, por që nuk duhet të ndalemi së studiuari tema të ndryshme gjuhësore, edhe pse ato janë të definuara për probleme të caktuara objektive apo subjektive, kritika gjuhësore duhet t`ua thotë me shumë përgjegjësi për mangësitë, të arriturat apo ngecjet, si në këtë rast ku autorja bënë studime, nxjerr rezultate ofron risi në kërkime shkencore linguistike. Dallimet kulturore-gjuhësore mund të jenë të thella pa gjetur pasqyrimet në strukturën semantike të gjuhës, çdo gjuhë ka strukturën e saj fjalëformuese, leksikore dhe semantike, në këtë vepër problemet e tilla trajtohen veç e veç pa iu qasur me metoda “arkaike” për t`i definuar problemet si të tilla me stilet e vjetruara gjuhësore, autorja gjuhën nuk e sheh vetëm si mjet komunikim, nuk e sheh si mjet ku mund të pohojmë me një Po, apo ku mund të mohojmë me një Jo, ajo gjuhën e sheh si diçka kapitale, si diçka ku rreth saj janë krijuar ide, lufta idesh, koncepte, raporte, kulturë, zhvillim, përparime, mbi të gjitha nuk trajton tema të përditshme gjuhësore monotone, vepra saj është ndërtuar fjalë-fjalë, deri sa ka krijuar “Gjuhë dhe luftë idesh”. Elementët statistikore leksikore zënë një pjesë të rëndësishme të studimeve të saj, për nxjerrjen e sakta të tyre është dashur kohë e mjaftueshme, gjithsesi kjo tregon për angazhim, punë profesionale kërkimore-shkencore, është një shembull i mirë se si duhet të bëjmë kërkime shkencore me shumë përgjegjësi profesionale dhe me shumë kompetencë.
Libri “Gjuha dhe lufta e ideve”, mbi të gjitha është libër njerëzor, i kushtohet gjuhës dhe ideve njerëzore, problemeve të përditshme linguistike, që mbi të gjitha janë interes për folësin apo ligjëruesin. Ky libër dhe vetë lexuesin e saj e bën të mendoj ndryshe për gjuhën dhe gjuhësinë, apo ndoshta edhe për tërë sistemin gjuhësor, hipoteza, abstraksion, inovacion dhe shkencë mirëfilli; autorja ka vënë themele të një fushe studimore që të ne ka filluar vonë, por që edhe të tjerë linguistë duhet ndjekur studimin dhe kritikën gjuhësore mbi bazën e këtyre studimeve të kësaj vepre dhe kësaj natyre. Terminologjia e mediumeve dhe politikës, shqyrtimi i karakterit gjuhësor-kritik dhe socio-gjuhësor zënë vend të rëndësishëm në këtë vepër por, që ky nuk është as fillim as fundi i trajtimit të temave me karakter linguistik. Nuk ka dyshim se gjuha shqipe, sikundër edhe gjuhët tjera, qofshin edhe të ashtuquajtura “të vogla”, po trajtojnë tema të rëndësishme linguistike, detyrat albanistikës janë të shumta e të ndryshme, duke zënë vend meritor në gjuhësinë botërore, zhvillimi i standardit të saj nuk është krejt i përmbyllur, standardin e saj po e rrumbullakojnë çdo ditë e më shumë, hulumtimet, studimet, kritikat, veprat ashtu siç është edhe vepra “Gjuha dhe lufta e ideve”.
Në kohët e sotme në hapësirat shqiptare në Ballkan, standardizimi i dialekteve dhe i idiomave vendore po krijon një konfuzion të madh që nuk do të ishte në interes të askujt, dy pole: gegërishtja letrare-toskërishtja letrare, por në veprën “Gjuha dhe lufta e ideve”, shqipja ka një standard të stabilizuar dhe në funksion të plot të gjuhësisë, purizmin jo të gjithë e kuptojnë njësoj. Norma gjuhësore ka dy aspekte me rëndësi: duhet të jetë e saktë, por njëherësh edhe mjaft elastike që të dyja këto elemente janë të pranishme në veprën “Gjuha dhe lufta e ideve”, tjetër element thelbësor i kulturës dhe gjuhës është respekti për mënyrën e të shprehurit të tjetrit, që shkon bashkë me kulturën e të kuptuarit nga kjo vepër çdokush mund të kuptoj e mësoj më shumë. Mundësitë tona të arsyetimit nuk janë asgjë veçse mundësi të argumentit kritik, në këtë vepër gjejmë edhe funksione të rëndësishme linguistike, përshkruese, argumentuese, shkencore. Gjuha çdo ditë zhvillohet me fjalët dhe shprehjet që hyjnë apo dalin nga ajo, por edhe krijohen fjalë të reja brendapërbrenda gjuhës [neologjizmat]. Gjuha dhe elementet e saj duhet të studiohen dhe të trajtohen në vazhdimësi, më shumë se gjithçka tjetër. Linguistika si disiplinë që merret me strukturën, funksionet dhe fenomenet gjuhësore, ka shpalosur gjëra të mrekullueshme e mahnitëse lidhur me natyrën e aftësisë për ta përdorur gjuhën. Porse, këto gjetje shpeshherë prezantohen të ngjeshura me terminologji që është futur rishtas në gjuhë. Vepra “Gjuha dhe lufta e ideve” në vetvete përmban gati të gjithë elementët e studimeve kritike gjuhësore, ajo se e tillë të qëndrojë dhe do t`u bëj ballë risive kërkimore dhe studimore linguistike, si një vepër me tema të trajtuara në mënyrë shkencore-akademike, që ia shtojnë edhe më tepër bukurinë dhe imazhin kompakt shkencor. Vepra “Gjuha dhe lufta e ideve” është dhe do të jetë model për studiuesit e rinj.
List of videos