Manaj kërkon ndihmë nga ministri Shala
Manaj kërkon ndihmë nga ministri Shala
21.04.2017 | 16:38
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka vizituar të premten Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), ku është pritur nga kryeshefi ekzekutiv i këtij institucionit, Ramë Manaj.
Në takim është biseduar për punën dhe kushtet në të cilat punon Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe mundësinë e rregullimit të statusit ligjor të këtij institucioni.
Fillimisht kryeshefi Manaj është shprehur i lumtur që për herë të parë një ministër i Qeverisë së Kosovës e viziton institucionin që ai udhëheqë. Manaj ka informuar ministrin Shala për bashkëpunimin që ka institucioni që drejton me institucionet e brendshme, vendet e rajonit dhe botës.
Po ashtu, ai e ka njoftuar ministrin për veprimtarinë botuese ku ndër të tjera botojnë edhe vjetarin e institucionit, historikun e tij dhe me vështirësitë që përballet institucioni i arkivit. “Mungesa e hapësirave, kushteve, teknologjisë dhe investimeve janë problemet kryesore me të cilat përballemi”, është shprehur Manaj duke shtuar se “është e nevojshme pajisja me aparaturë të nevojshme të depove ku ruhet materiali arkivor, digjitalizimi i lëndëve arkivore të cilat do të ndikojnë në ruajtjen e këtyre lëndëve”. “Institucioni ka mbi 1800 lëndë arkivore ku mbi 50 për qind e këtij materiali është risistemuar. Është i nevojshëm edhe rregullimi i lëndës së paarkivuar dhe për këtë kemi nevojë për staf profesional dhe kapacitete shtesë”, ka theksuar Manaj.
Ai ka treguar se Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ofron edhe shërbime direkte ndaj kërkesave të qytetarëve për qasje në materialin dhe lëndët arkivore.
Manaj ka theksuar se shpreson që Qeveria e Kosovës do të rrisë interesimin dhe pret nga ministri Shala që ta përkrah këtë institucion.
Ndërkaq ministri Shala ka thënë se do të bëhen përpjekjet e nevojshme që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të marrë tretmanin meritor për shkak të rolit dhe rëndësisë së posaçme që ka. “Ky institucion na shërben në ruajtjen e kujtesës sonë”, ka theksuar Shala.
Arkivi të ketë përkrahje më të madhe për problemet me të cilat ballafaqohet qofshin ato të natyrës juridike apo të çfarëdo natyre tjetër.
List of videos