Nderim meritor për klasikun e fundit të gjuhësisë shqiptare
Nderim meritor për klasikun e fundit të gjuhësisë shqiptare
08.01.2017 | 12:55
(Vlerësim për librin “Rrapi shekullor - akademik Idriz Ajeti” të autorëve Bahtijar Kryeziu - Begzad Baliu)
Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj
 
Sapo të hyjë viti 2017, bota shkencore dhe dashamirësit e gjuhës shqipe e të gjuhësisë shqiptare, do ta kenë rastin ta kremtojnë 100-vjetorin e ditëlindjes së Idriz Ajetit, akademikut tashmë mitik, harushanit të studimeve albanologjike në Kosovë, figurë e dalluar dhe e nderuar e studiuesit të përkushtuar e prodhimtar, të quajtur me të drejtë si Klasiku i fundit i gjuhësisë shqiptare.
Në pritje të këtij jubileu të bukur, së bashku me tubën e luleve dhe me urimet për ditëlindjen, dy ish-studentë të tij, prof. Bahtijar Kryeziu e prof. Begzad Baliu, do t’i dhurojnë prof. Idrizit dhe botës shkencore albanologjike librin e tyre “Rrapi shekullor - akademik Idriz Ajeti”, një vepër nderimi me titullin kuptimplotë, ideuar dhe hartuar në prag të 100-vjetorit të tij.
Hera e mbarë e pruri që këtë libër, para se ta dorëzojnë në shtyp, dy autorët, miqtë e mi të nderuar, prof. Bahtijar Kryeziu e prof. Begzad Baliu, ma dhanë për ta parë, duke më nderuar dhe të shkruaja një recension vlerësues. E quaj privilegj dhe më gëzon pa masë kjo detyrë që më besohet nga autorët, sepse akademik Idriz Ajeti është një nga figurat më të dalluara në lëmin e albanologjisë, penës së të cilit i përkasin ndihmesa të shumta në fushën e albanologjisë: dialektologji, të histori e gjuhës, onomastikë dhe të gramatikë historike e shqipes, po edhe të fushave të tjera me rëndësi, si çështje të drejtshkrimit dhe përgjithësisht të standardizimit të shqipes dhe të kulturës së gjuhës.
Akademik Idriz Ajeti është një nga studiuesit jo vetëm më jetëgjatë, po edhe nga më prodhimtarët, i cili ka veprimtari studimore të shumënduarshme e shumë të rëndësishme në lëmin e albanologjisë dhe, madje, mund ta themi me gojën plot se ai përfaqëson prijatarin e themelvënësin e disa prej fushave madhore të studimeve albanologjike në Kosovë, duke u dalluar edhe si drejtues për shumë dhjetëravjeçarë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në rrethin e gjerë të studimeve të tij shumëvjeçare ai është marrë edhe me dialektologji, duke bërë aty punë prej pionieri; u mor me hetimin dhe paraqitjen e tipareve gjuhësore më kryesore të disa prej të folmeve shqipe, sidomos të Ljarjes dhe të Shestanit, të së folmes së Istries, si dhe të arealit të vendlindjes së tij Preshevës e Bujanovcit. Disa prej studimeve kryesore të Idriz Ajetit qenë botuar në përmbledhjen “Kërkime gjuhësore” (Prishtinë, 1978), pastaj në serinë prej disa vëllimesh me titullin “Studime gjuhësore në fushë të shqipes” (I-IV), “Rilindja”, Prishtinë, 1989.
Disa vite më parë, ndërsa në Kosovë botohej Vepra e plotë e akad. Idriz Ajetit në disa vëllime, në Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të botonte edhe ajo një përmbledhje studimesh të prof. Ajetit me titullin Studime dialektore dhe etimologjike, Tiranë, 2005, 491 faqe, me një parathënie të shkruar nga akademik prof. Shaban Demiraj, i cili, me dijet dhe horizontin e tij të gjerë, po edhe me stilin e tij të dalluar për aftësinë përcaktuese dhe vlerësuese, jepte inkuadrimin e nevojshëm dhe bënte pohimin e vlerave të shumta që nden libri dhe krejt veprimtaria e Idriz Ajetit në lëmin e dialektologjisë shqiptare si dhe në fushën e etimologjisë.
Libri i “Rrapi shekullor - akademik Idriz Ajeti”, duke qenë se shkruhet pikërisht në kohën kur ai e ka mbyllur ciklin e vet krijues, u jep studiuesve një pamje shumë të plotë dhe, ndoshta, shteruese të krejt veprimtarisë së realizuar nga prof. Idriz Ajeti në jetën e tij fatlumturisht edhe të gjatë prej plot një shekulli.
Libri është shkruar me dashuri e nderim meritor për Idriz Ajetin, të cilin autori i parë, prof. dr. Bahtijar Kryeziu, e ka pasur profesor dhe udhëheqës shkencor në të gjitha gradimet e titujt shkencorë që ka fituar në rrjedhë të moteve, kurse prof. dr. Begzad Baliu, duke qenë disa vjet më i ri, ka qenë vetëm për pak kohë student i prof. Ajetit, porse kjo nuk e zbeh aspak përkushtimin, dashurinë dhe vlerësimet nderuese që ia blaton Klasikut të madh, sepse në fakt, sikundër e thonë bukur në libër: “Në historinë gati shekullore të punës së tij prej mësimdhënësi ai mund të quhet Mentori i albanologëve dhe albanologjisë përgjithësisht”.
Bashkohem plotësisht më këtë vlerësim të qëlluar e të plotëvlershëm të autorëve, duke shtuar se, për vlerat dhe rëndësinë e madhe që kanë pasur e kanë studimet e akademikut Idriz Ajeti, edhe unë, ndonëse nuk kam qenë student i tij, kam përfituar aq shumë dhe u jam referuar shumë shpesh ndihmesave të tij në lëmin e dialektologjisë, të onomastikes dhe të kulturës së gjuhës, saqë, në një farë mënyre, do ta quaja veten, në mos nxënës, së paku, një ithtar modest të tij. Shumë herë ua kujtoj studentëve e miqve të shqipes shqetësimin e përhershëm të Klasikut tonë të madh që thotë se “gjuha shqipe po derdhet në kallëpe të huaja”.
E kush nuk ka përfituar nga lavdia e tij dhe nga porositë e vyera që na ka lënë, disa prej të cilave, me sa ka qenë e mundshme, i kemi fiksuar edhe në filmin dokumentar “Klasiku i fundit”, të realizuar nga Radio-Televizioni Shqiptar, me rastin e 90-vjetorit të ditëlindjes së Idriz Ajetit, film i transmetuar disa herë në kanalin satelitor të TVSH-së, po edhe i përuruar në Prishtinë e që Jubilari ynë i madh e ka pëlqyer.
Idriz Ajeti ka ndihmesa shumë të rëndësishme në lëmin e dialektologjisë historike, ku do të veçoja punimet: Zhvillimi historik të së folmes gege të Arbëneshëve të Zarës; Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës; Gjuha e “Divanit” të sheh Maliqit, tri nga punimet shumë të vyera të prof. Ajetit, të cilave u janë referuar shpesh shumë prej albanologëve shqiptarë e të huaj.
Me vlerë madhore janë, gjithashtu, studimet e tij për raportet e shqipes me gjuhët sllave dhe studime etimologjike, ku duhen përmendur sidomos studimet: Zhvillime paralele dhe ndikime të ndërsjella të dialekteve shqiptare dhe serbe të Kosovës; Studime të ndërsjella etimologjike albano-sllave; Fjala shqipe në Fjalorin e G. Elezoviqit; Ndikimi i shqipes në të folmet serbe të Kosovës; Emërtime gjeografike në shqipen dhe serbokroatishten; Kontribut për formimin e onomastikës mesjetare në territorin e Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe të Kosovës; Raportet e shqipes me gjuhët ballkanike; Arritjet kryesore të studimeve etimologjike të shqipes; Patologjia e një simetrie; Rreth disa emrave topikë me prejardhje shqiptare në mal të Zi në vështrim gjuhësor. Janë këto, sikundër dihet, një numër studimesh ku prof. Ajeti, me dijet dhe njohjen e tij aq të mirë jo vetëm të lëndës shqipe, po edhe të gjuhëve sllave fqinje, ia del si askush tjetër të zhdavaritë edhe marrëdhëniet e shqipes si gjuhë në takim me sllavishten, duke sjellë edhe një varg ndihmesash vetjake dhe origjinale në zbulimin edhe të rolit dhënës të shqipes në leksikun dhe onomastikën e viseve fqinje.
Qysh në hulumtimet e tij më të hershme, të kryera kur ishte ende i ri, Idriz Ajeti lakmoi t’u jepte përparësi ndjekjes, përqasjeve dhe shqyrtimeve të holla dialektologjike rreth disa tipareve të moçme që ndejnë hapësirat ruajtëse të diasporave historike shqiptare dhe të folmet anësore të shqipes, me bindjen e patundur se fjalët, kuptimet dhe onomastika e trevave anësore të shqipes do t’i sillnin fryte të shumta në përqasjen e kundrimet krahasuese të atyre dukurive me dokumentet sado të pakta të shqipes së shkruar. Me atë ideim të mbarë ai do të ndërmerrte një punë përqasëse e krahasimtare frymëgjatë, duke kërkuar e gjetur aty prurje të reja me vlerë që mbështetnin e përforconin pohimet e tij rreth hershmërisë së shqipes dhe të shqiptarëve në trojet e veta të hapësirës ballkanike. Në të folmet dhe dialektet anësore të shqipes, prof. Ajeti shikonte lëndë shumë të vyer për përthekimin e shqyrtimeve të tij të hapëta e të shumënduarshme rreth vlerave të mëdha të gjuhës së “Mesharit” të Gjon Bdek Buzukut, prandaj qysh herët, hulumtoi enkas e me ngulm të pashoq në atë areal, u pykëzua në të folmet shqipe të Ljarjes dhe të Shestanit, si dialektolog dhe si gjurmues i onomastikës historike dhe si etimolog nga më dorëmbarët.
Libri “Rrapi shekullor - akademik Idriz Ajeti” i autorëve Bahtijar Kryeziu e Begzad Baliu është nyjëtuar në mënyrë mjaft origjinale e duke gërshetuar këndshëm detyrën e detyrimin për rreptësi shkencore e plotëri trajtimi me një metaforikë edhe festive e që i përshtatet plotësisht tipit të “Festschrift”, që përkon me 100-vjetorin e ditëlindjes së Idriz Ajetit, të cilit, e ritheksojmë, i shkon krejt përshtat edhe metafora “Rrapi shekullor”. Besojmë se ky libër, i shkruar me dije të sigurta e me dashuri të çiltër prej dy gjuhëtarëve të mirënjohur, me përmbajtjen dhe nyjëtimin e tij dorëmbarë, do ta gëzojë Profesorin flokë-e zemërbardhë, po edhe do të mbetet një libër shumë i vyer e me rëndësi për të përthekuar në mënyrë sa më jetëgjatë gjerësinë dhe thellësinë e trajtesave shkencore të Idriz Ajetit në lëmin e albanologjisë. Në fakt, libri është, ndoshta, një trajtesë e plotë dhe e atillë që mund të përfshihet në Zërin “Ajeti” në Historinë e Albanologjisë.
Në mbyllje, po them shkurt: “Rrapi shekullor” është një libër me shumë vlera, duke shtuar me gjithë zemër edhe urimin: Pastë jetë e shëndet edhe më tej profesori ynë i nderuar që t’i shijojë miradijen e mirënjohjen që i blatojnë në mënyrë meritore ish-studentët e ithtarët e tij të mirë, prof. dr. Bahtijar Kryeziu dhe prof. dr. Begzad Baliu, duke ia rreshtuar, pohuar e vlerësuar krejt ndihmesat e tij të vyera për gjuhësinë shqiptare dhe për albanologjinë.
Përgëzime të dy autorëve dhe urime për pleqëri të bardhë Klasikut tonë të madh të albanologjisë, akademikut Idriz Ajeti.
List of videos