Për punën e disa kolegëve avokatë dhe vlerat e tyre
Për punën e disa kolegëve avokatë dhe vlerat e tyre
21.04.2017 | 12:54
Me optimizëm, vullnet e guxim në shërbim të çështjes kombëtare
Këndvështrim (3)
 
Dr. sc. Faik Shkodra
 
Hysni Bytyçi, duke ditur se të drejtat e shqiptarëve, si në Beograd, ashtu në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë Lindore, po u kufizohen dhe shkelen çdo ditë pas viteve ’80, i shkruan letër të hapur Raif Dizdareviçit, atëherë kryetar i Kryesisë Shtetërore, për të vazhduar me shkrime të tilla edhe kryetarit të parlamentit Evropian në Strasburg, ambasadorit të ShBA-së në Beograd, kryetarit të Komitetit Krahinor, Rrahman Morinës, Sllobodan Millosheviqit, Ante Markoviqit, Alija Izetbegoviqit, Franjo Tuxhmanit, Branko Horvatit e shumë institucioneve e personaliteteve udhëheqëse në Jugosllavi dhe jashtë saj.
Në dorëshkrimin “Shtigje jete” Hysniu është më i drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve, punëve dhe karaktereve të disa kolegëve të vet avokatë, të cilët vlerë mbi vlera kanë paranë e jo fisnikërinë, si një avokat që përfaqëson arsyeshëm e pa keqpërdorim të profesionit. Këtë çështje Hysniu e ndërlidh jo vetëm me avokatët shqiptarë, por edhe ata serbë, malazez, maqedonas, kroatë etj. Në këtë drejtim Hysniu shkruan se gjatë vitit 1994 gjykoheshin Bajrush Xhemajli, Ahmet Haxhija, Hysmet Mahmuti, Sanije Aliu, Hajredin Hyseni etj. Si avokatë më angazhuan e autorizuan ta mbrojë Sanije Aliun, komuna e Ferizajt. Mirëpo, e keqja më e dhimbshme ndodhi kur në bisedë e sipër rreth përcjelljes së gjykimit, i thashë Fazli Balës: “A mund të llogaris që të dy bashkë të mbrojmë të njëjtin klient?” Fazli Bala m’u përgjigj: “Hiqu Hysni atyre, se ata janë marksistë-leninistë”. Ndërkohë kryetari i Kolegjit të Trupit Gjykues, Zoran Saveliqi, e pyeti Fazliun: “A jemi marrë veshë që gjykimin ta ndiqni bashkë me Hysniun?”, po ky Fazliu i mjerë me një zë si prej pushke i tha: “Jo!”
Ja pra, çfarë avokatësh kanë pasur të burgosurit shqiptarë në vitet më të rënda të jetës së tyre. Turpi dhe pafytyrësia për Fazli Balën nuk përfundojnë me kaq. Në këshillin për të drejtat dhe liritë e njeriut në Prishtinë, pohon Hysniu, avokatë të preferuar dhe të privilegjuar ishin Bajram Kelmendi, Fazli Bala, Destan Rukiqi dhe Xhafer Maliqi.
Gjatë procesit gjyqësor që mbahej për Sanijen, përveç meje ishte i autorizuar edhe Fazli Bala. Sjellja e tij vërtet ishte për çdo gjykim. Sanija ishte e akuzuar për terrorizëm. Fazliu i gjorë, pa ndonjë turp e ndërgjegje shprehet: “Po çfarë terroriste është kjo vajzë, more? Kjo e ka vetëm një qëllim, si të shkojë më shpejt në Zvicër tek i fejuari i saj, ti flladitë veshkat”. Vërtet avokat sharlatan, banal, i paskrupull dhe matrapaz. Herën tjetër e mbrojta Sanijen dhe duke dalë nga salla, pasi dilnin të akuzuarit, Sanija e deshi fati të kalonte pranë meje dhe e pyeta: “Si ke dëshirë të flas nesër, shqip apo të flas siç kam folur në të tjerat gjykime?!” Sanija, duke u larguar, tha: “O baci Hysni, këtë gjuhë të huaj gjithnjë e kam urryer, fol shqip”.
Kjo pjekuri e ky zjarr që e karakterizonte shpirtin e Sanijes patjëter t’i kujtonte vargjet e Fishtës për gjuhën shqipe:
Edhe atij iu thaftë, po goja,
Qi e përbuz këtë gjuhë hyjnore,
Qi n’gjuhë të huej kur s’asht nevoja
Flet e t’veten e le mas dore
Disa avokatë të padinjitetshëm dhe pa vlera kombëtare në mënyrën më të poshtër e kanë shfrytëzuar situatën politike dhe familjeve të klientëve, edhe pse me mërzi e me gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike, u kanë marrë prej 5.000 deri 15.000 e 20.000 marka gjermane. Njeri prej atyre që di të bëjë rrena e përrallëza të Ezopit është Haxhi Millaku, i cili edhe pas çlirimit të Kosovës me paturpësi i rrjep familjet e të burgosurve me para.
Edhe autori i këtyre rreshtave është bindur se avokatët janë soji më i keq, më i prishur e më dallaverxhinj e s’kanë fije të fytyrës e ndërgjegjes. Këtë po e them me plot ndërgjegje dhe etikë të intelektualit e pedagogut të sinqertë. Po t’i paraqes emrat e disa avokatëve me të cilët më ka zënë sherri për një rast të montuar për një të afërm të familjes nga dy policë shqiptarë, policë me nga tre muaj shkollë të pasluftës, atëherë emrat e tyre do të varroseshin për së gjalli. Por, avokatë pa moral e pa ndërgjegje njerëzore, avokatë që janë sinonim i plaçkitjes, mashtrimit dhe qethjes së klientëve, që fatkeqësia i ka sjellë në burgje, ka pasur edhe në komunitetin serb, maqedonas, kroatë e malazez.
 
E vërteta e thënë në një kohë vlen për të gjitha kohët
 
Autori i këtij shkrimi me të dhënat që janë paraqitur në librin e Hysni Bytyqit pajtohet plotësisht si dhe me vlerësimin objektiv që u ka bërë avokatëve, duke sjellë të vërteta të trishta se deri ku mund të shkojë paranoja dhe idiotizmi i avokatëve në mashtrimet që u bëjnë njerëzve që gjenden prapa grilave të burgjeve. Ambiciet e avokatëve për t’i plaçkitur klientët e burgosur janë marramendëse. Se deri ku shkon snobizmi, primitivizmi, sharlatanizmi dhe idiotizmi i disa avokatëve këtë më së miri e përligj rasti që e paraqet Hysniu. Gjatë bombardimeve të NATO-s, pushteti serb e kishte arrestuar dhe burgosur mjeken Flora Brovina.
Përveç avoktatit Zhivojin Jankoviçit nga Prishtina, Ajri Begu, bashkëshorti i mjekes, dëshironte të më angazhonte edhe mua, shkruan Hysniu, meqë në rastet si Flora shërbimet i bëja pa pagesë. Deri ku mund të shkojë mizeria shpirtërore e avokatëve, këtë lexuesi do ta kuptojë nga kjo pjesë e librit të Hysniut. Ndërkohë pasi kishte filluar gjykimi i Flora Brovinës, bashkëshortit të saj i ishin paraqitur avokatët nga Nishi, Brankica Orlloviq dhe Predrag Millanoviq. I kishin thënë, nëse do që ta lirojmë bashkëshorten nga aktakuza për ta shpallur të pafajshme dhe për ta sjellë drejtpërdrejt prej gjyqit në Merdarë, ku duhej ai të priste, le t’u sillte atyre dyve 40.000 marka gjermane. Ajri Begu, në formë të ironisë i pyet: “A jeni ju avokatë, a tregtarë?!” Ajriu mirë e dinte se asgjë nuk kishte të vërtetë në këtë punë, por donte ta vazhdonte bisedën, të shikonte se deri ku mund të shkonte kjo pafytyrësi që e praktikonin atëbotë edhe këta dy avokatë. Ai i pyeti: “Po çfarë garancie kërkoni ju nga unë? Që të jemi të sigurt që kur të arrijë Flora në Merdarë i jepen paratë, ajo tashmë është liruar nga aktakuza”. Ata i kishin thënë: “Nëse ti nuk na jep paratë, ne e kthejmë Florën prapë në burg”.
Avokatët, pra, të vetmin ideal dhe ëndërr kanë paranë, si gjënë kryesore dhe në qenien e tyre nuk duhet kërkuar dritë shpirtërore, ndërgjegje dhe fisnikëri dhe duke qenë të tillë balli i tyre nuk mund të stoliset, siç thotë Bulka: “Prej kurorash dafina si Petrarka, por me kurora gjembash si Danteja e Pushkini”.
Nga njerëzit e ditur është thënë se e vërteta e thënë në një kohë vlen për të gjitha kohët, prandaj të vërtetat që janë thënë për disa kolegë të tij nuk duhet të merren për të keq dhe Hysniun ta pandehin për kundërshtar të tyre apo ta llogarisin si armik të tyre. Përkundrazi, të gjitha ngjarjet që janë shkruar në libër, pra, edhe për të palarat e disa avokatëve, duhet të merren si të vërteta dhe për këto merita kanë të gjithë ata që me veprimet e pakontrolluara dhe shumë herë të paskrupullta me fajet që i kanë bërë ata, thënë figurativisht, kanë bërë që tani ta kemi këtë libër të rëndësishëm të Hysni Bytyçit, pra, me veprime skandaloze të disa avokatëve ndaj klientëve të burgosur ata kanë dëshmuar në mënyrën më të keqe se duke plaçkitur njerëzit e burgosur lehtë mund të jetojnë, por vështirë do ta kenë vdekjen për të cilën askush nuk ndien dhimbje.
Në libër bëhet fjalë për demonstratat e studentëve të vitit 1981 dhe masat represive që i mori pushteti i Serbisë dhe Jugosllavisë. Pasojnë torturat më të egra ndaj studentëve, mësimdhënësve dhe shqiptarëve, në përgjithësi, duke i burgosur, keqtrajtuar e vrarë në mënyrat më të paimagjinueshme. Burgoset Albin Kurti, të cilin pas hyrjes së NATO-s në Kosovë e transferojnë nga burgu i Lipjanit në atë të Pozharevcit. Hysniu me porosinë e disa dashamirëve të Albinit, të cilët e lusin që t’i bëjë një vizitë, këtë porosi me shpirt filantropisti e kulturë njerëzore e kryen. Në burgun e Pozharevcit Albini e tregon patriotizmin e tij të lartë dhe me qëndrim e guxim heroik i thotë avokatit: “Nuk do të angazhoj kurrfarë avokati për të më mbrojtur, sepse nuk e pranoj shtetin e Serbisë”.
Në kohën kur mbaheshin gjykime të shumta kundër shqiptarëve nëpër qytetet e Serbisë, Ibrahim Rugova nuk bënte ndonjë politikë aktive. Hysniu në libër i paraqet pasojat e politikës së Rugovës, politikë që e përgjumi popullin me konferenca që i mbante çdo të premte duke menduar se liria vjen vetë. Sidomos i zihet për të madhe Rugovës për disa qëndrime të dëmshme për çështjen kombëtare, duke i quajtur djemtë e luftës si grupe të frustruara e duke deklaruar se me politikën paqësore do të lirohet Kosova. Hysniu brengoset dhe i vjen shumë rëndë kur ato ditë Kosova ndodhej në një gjendje të rëndë të luftës dhe, siç pohon, Kosova digjej e disa mendjelehtë i thurnin këngë Rugovës, si udhëheqës i mrekullueshëm. Hysniu thotë: “Si është e mundshme që Rugova të bëhet alfa e omega në Kosovë, duke u quajtur edhe shpëtimtar i shqiptarëve të Kosovës?” Vite me radhë ai përsëriti fjalinë që ishte bërë dogmë për shumë mendimtarë të tij: “Ne do t’ia ndryshkim Serbisë plumbin në tytë të pushkës. Ajo mezi po pret që ne t’ia fillojmë luftës, por ne nuk do të luftojmë. Ne jemi përcaktuar për paqe e do ta ruajmë paqen në Ballkan”.
Po vlerësime të arsyeshme e të drejta Hysniu i jep për shumicën e udhëheqësve të Kosovës për të cilët thekson se kanë bërë atë që ka qenë në mundësitë e tyre. Këto pikëpamje Hysniu i mbështet në kontekst me kohën e jo me kërkesa të ditëve të sotme. Pikëpamjet e Hysniut për Fadil Hoxhën, Ilaz Kurteshin, Mahmut Bakallin janë pikëpamje që dalin nga veprat e angazhimet e këtyre njerëzve në një kohë të vështirë për Kosovën. Se për Fadil Hoxhën, nuk bën të flitet me tendencë e kuturu, këtë e ka thënë Rexhep Hoxha në shkrimin “Fadil Hoxha dhe Hysen Terpeza”. Mjaftojnë këto fjali për të parë se kush dhe sa dha për Kosovën Fadili. “Fadil Hoxha ishte vizionar i madh. Ai diti kur duhet frikuar e kur duhet vepruar me guxim. Me ato eskivime të tij politike, me atë fuqi që pati dhe i erdhi për doresh, bëri të lulëzojë arsimi në Kosovë, të hapen shkolla profilesh të ndryshme, deri në universitet, të krijohen institucione kulturore, letrare, shkencore, të nxirren revista e gazeta si Rilindja, Jeta e Re, Përparimi, Enti i botimeve të Teksteve, Pionieri, Thumbi, Kosovarja, të funksionojë Teatri Krahinor, Kosovafilmi, Biblioteka në çdo qytet e shkollë, të dalin shkrimtarë, artistë, shkencëtare, mësues, profesorë, inxhinierë, njerëz me tituj akademikë etj. (R. Hoxha, Kujtime, Prishtinë, 2003, f. 16). (Përfundon në numrin e ardhshëm)
List of videos