Prurjet leksikore në fushën e kuzhinës*
Prurjet leksikore në fushën e kuzhinës*
10.01.2017 | 11:15
Mr. Melihate Zeqiri
Gjuha shqipe është mjaft e gjerë për ata që e dinë mirë, po ka edhe lehtësinë që bashkon dy fjalë, si vetë-dije, mëmë-dhe etj. Puna e parë e madhe që bënë shkrimtarët e Rilindjes ishte pastrimi i gjuhës nga fjalët e huaja, sidomos nga fjalët turke, që kishin hyrë me shumicë gjatë shekujve të fundit. Ata i flakën jashtë fjalët e huaja pa ngurrim, madje edhe në rastet kur kishin hyrë thellë në shqipe. Për nevojat e shkrimeve të tyre nuk huajtën as fjalët ndërkombëtare, si gramatikë, gjeografi, gjeometri etj. N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, Naimi, Samiu ishin shumë të vendosur në luftën kundër fjalëve të huaja. “Gjuha jonë duhet shkruar thjesht shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë shumë”, shkruan Naimi.
Pasurimi i leksikut të gjuhës shqipe nga autorët e shekullit XIX u bë me dy rrugë: a) Duke u dhënë fjalëve të gurrës popullore një kuptim të ri; p.sh. brez-i m. Mori edhe kuptimin e gjeneratës (brezi i ri, brezi i vjetër...) dhe te Samiu kuptimin e zonave gjeografike (brezi i ftohtë, brezi i vjetër...). b) Duke krijuar fjalë të reja me mjetet e gjuhës amtare, kryesisht me parashtesa, me prapashtesa dhe me përbërje. Kështu, nga N. Vaqilharxhi kemi fjalën fletore; nga K. Kristoforidhi kemi bukëpjekës, kryeqytet, ndërgjegje, udhëheqës; Naimi ka krijuar fjalët cilësi, gjithësi, sasi, vetëdije, nga Samiu kemi disa terma të gjuhësisë: folje, mbiemër, nyjë, presje, rrokje; nga Jani Vretoja kemi disa terma të matematikës e fjalë të tjera: mbledhje, zbritje, mëmëdhe etj.
Gjysma e dytë e shekullit XX e deri në ditët tona përbën një periudhë dinamike zhvillimi, pastrimi të leksikut të gjuhës shqipe gjatë ndryshimeve të mëdha ekonomike, politike, shoqërore e kulturore në vendin tonë, të cilat kërkonin një pasuri leksikore e semantike shumë më të madhe se e periudhave të mëparshme, fjalë e kuptime që të shprehin edhe nuancat më të holla të mendimit, të plotësonin kërkesat e prodhimit, të arsimit, të kulturës, të shkencës, të artit etj.
Në leksikun e gjuhës shqipe dhe në fjalorin që përdor çdo njeri, dallohen dy shtresa: një shtresë fjalësh aktive, që njihen mirë e përdoren shpesh në punët e përditshme e në jetën e zakonshme dhe një shtresë fjalësh që s’njihen prej të gjithëve ose, megjithëse njihen, s’përdoren; në vend të tyre përdoren fjalë të tjera. Kështu, për të gjithë janë të njohura fjalët i bukur, diell, eci, jam, kam, kohë, lart, mirë, nënë, njeri, pemë, punoj, tokë, them, i zi...; ato përdoren shpesh dhe përbëjnë shtresën e përdorimit të përbashkët të leksikut; kurse fjalët si: dac, frezë, krrej, lepitkë, mblodhisem, pishtoll, poronicë, punto, tabare, tyl, uzdajë, vatan, zaman..., nuk janë të përdorimit të përgjithshëm.
Në leksikun e sotëm hyjnë si fjalë shumë të vjetra, edhe krijime të ditëve tona, që janë në përdorim të përditshëm, nga gjithë shoqëria ose nga grupe të veçanta shoqërore. Themi fjalë “të vjetëra” dhe jo “të vjetëruara”. Gjithashtu themi fjalë “të reja” që janë në përdorim të përditshëm nga gjithë shoqëria ose nga grupe të veçanta shoqërore, d.m.th. fjalë që përdoren, sepse i kërkon marrëveshja gjuhësore. Për leksikun e sotëm nuk ka kufizime, nëse fjalët janë të përgjithshme ose të kufizuara sipas të folmeve a sipas profesioneve, mjaft që ato të jenë të gjalla në ditët tona.
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë, i tregtisë, i transportit, i teknikës, i shkencës dhe i fushave të tjera, kërkon dita-ditës nga gjuha plotësimin e fjalorit të saj me fjalë, me kuptime e me shprehje të reja, të domosdoshme për veprimtarinë politike, ekonomike, shoqërore e kulturore.
Studiuesi J. Thomai, me të drejtë thekson se: “E vërteta është se fjalët e huaja e prishin gjuhën kur pranohen e përdoren pa nevojë.” Nuk duhet të merren e të përdoren fjalë të huaja në gjuhë kur kemi fjalët tona, ato duhen marrë veçse në ato raste kur ato sjellin një kuptim të ri, një nuancë të re, një ngjyrim emocionues a stilistik etj., që nuk e japin mjetet e vetë shqipes.
Prof. Shaban Demiraj pohon për këtë se: “në gjuhën shqipe, sidomos në shekullin tonë (shekullin XX), kanë hyrë edhe një numër i konsiderueshëm fjalësh që kanë një përdorim të gjerë edhe në gjuhët e tjera. Këto janë kryesisht fjalë terma, që njihen me emrin ndërkombëtarizma. Këto huazime, pavarësisht nga burimi i tyre, kanë depërtuar në shqipe kryesisht nëpërmjet gjuhëve romane (sidomos nga italishtja) dhe gjermanike (sidomos nga anglishtja). Ato u përkasin sferave të ndryshme të shkencës, teknikës, kulturës, arteve, sporteve etj.”.
Në fushën e leksikut çështjet që mund të trajtohen janë të shumta, por me interes do të ishte edhe trajtimi i emërtimit të sferës së ushqimit, duke përfshirë lëndët ushqimore, gatesat, pijet, si dhe emërimet e orendive të kuzhinës. Arti i kuzhinës është një art sa i lashtë aq edhe i ri në shoqëri. Të gjithë popujt, pa përjashtim, të hershëm a të rinj, të mëdhenj a të vegjël, kanë dhënë e japin ndihmesën e tyre më vlerë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij arti që ndryshe e quajmë arti i të gatuarit. Populli ynë, që u ka qëndruar me vitalitet dyndjeve të të huajve dhe presioneve të pareshtura asimiluese, ka mundur të ruajë traditën origjinale në mënyrën e të gatuarit. Shprehja e njohur popullore bukë, kripë e zemër, që shpreh mikpritjen dhe besën e shqiptarit, shoqërohet me të papritura të këndshme, me gjellë të ndryshme dhe të shijshme. Gjellët e përgatitura në vorbë, në tavë dheu (balte), mishrat e pjekura në hell në natyrë, kanë mbetur në traditën e popullit tonë për të shtruar sofra dhe tavolina me shumëllojshmëri gjellësh të shijshme.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në ruajtjen e shëndetit të njeriut dhe të aftësive të tij për punë është ushqimi. Ushqimi është baza e jetës, burim energjie, pa të cilin ajo nuk do të ishte e mundur. Organizimi i njeriut edhe në gjendje qetësie harxhon energji për punën e organeve dhe për mbajtjen konstante të temperaturës së trupit. Kur njeriu kryen punë fizike ose mendore, sasia e energjisë që harxhon organizmi i tij rritet. Si rrjedhim, një ushqim jo i plotë, i çrregullt, e dobëson organizmin, ul qëndrueshmërinë e tij ndaj sëmundjeve dhe rrezikon shëndetin e njeriut.
Duke qenë se prurjet leksikore në gjuhën shqipe nuk janë të pakta dhe si të tilla ato përditë e më shumë po futen në përdorim, unë kësaj radhe do të bëjë fjalë për prurjet leksikore në fushën e kuzhinës. Gjatë hulumtimit në evidentimin e këtyre prurjeve unë kam shënuar shumë fjalë të huaja të cilat kanë gjetur përdorim në gjuhën tonë. Në mesin e këtyre fjalëve duhet përmendur fjalët: antipasta, alpine, angjinare, burger, borsh, burrito, brokoli, beshamel, bolognez, barbunj, borsilok, balsamiko, biftek, bërxolla, biskota, bajaderë, bambi, çomlek, dollma, doner, desert, dhalle, eskallop, espresso, fungi, friturë, fileto, hamburger, jaffa, kanape, kajgana, kimë, kreni, kopër, kaçkavall, kapreze, pulë krokante, kanellone, kroketa, kallamari, kotoleta, kërnacka, kotlet, komposto, kakao, kek, kanellë, kapuqino, kafe turke, kafe amerikane, levrek, latte makiato, llazanja, mikse, mortadelë, magjerica, marulë, mocarellë, marinadë, melomakarona, mëlçi, margarita, musaka, mashurka, medalion, makiato. napolitana, ngjalë, nesquick, nescaffe vanilla- classic, njoki, ordever, omlet, proshutë, poshe, panxhar, petka, pastiço, pallaqinka, pispili, presh, projë, pica, pomfrit, pançeta, parmezan, presh, pjatancë, pane, plëndësa, piramid, parfe, qofte, qebap, risoto, raviole, rukolë, rosto, rrole, ramstek, revani, Raffaello, rrepa, sufllaqe, sanduiç, sallam, salcë, salsiçe, salmon, samun, sote, stufuara, sardele, skampi, strudel, Snickers, souffle; salep, shope, shpageta, shishqebap, shpretka, shashling, shtrumfeta, tunë, turshi, tortilla, taliateli, tigani, troftë, tasqebap, tostë, tagliatelle, trileqe, tiramisu, tespishte, tartinë, tatli, virshlle, vegetariana, vanilje, xupat, karrote, xhusi, koktell, ananasi, limonat, coca cola light, fanta, schweppes bitter lemon, schweppes tonic, sprite, Red bull, verërat e bardha, verërat e kuqe, verë e zezë Rahoveci, shampanjat, konjak kosovar, verë roze etj...
Sipas studiuesve të kësaj fushe, fjalët e huaja nuk e rrezikojnë korpusin e gjuhës marrëse. Lënda e re gjuhësore, e huaj ose vendëse, në rast se integrohet në sistem ose pranohet si element i vlefshëm që ndihmon të kuptuarit ose komunikimin, në asnjë aspekt nuk mund të jetë i dëmshëm. Përkundrazi, në rast se ndihmon komunikimin gjuhësor dhe në rast se nuk prish veçoritë themelore të sistemit gjuhësor, paraqet element të rëndësishëm të pasurimit të gjuhës, i shërben zhvillimit gjuhësor.
 
*Fragment i shkëputur nga një punim…
List of videos