Shënohet Dita Botërore e Librit dhe të të Drejtës së Autorit
Shënohet Dita Botërore e Librit dhe të të Drejtës së Autorit
21.04.2017 | 17:25
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, më 21 prill, ka organizuar veprimtari kulturore për Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, ditë kjo e cila festohet më 23 prill.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, shkrimtari Adem Gashi, Agim Vatovci, presidenti i Shoqatës së Personave me Nevoja të Veçanta, përfaqësues të kulturës, shkrimtarë, mësues, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe të shkollave fillore.Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari, në fjalën e saj për Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, theksoi nevojën e hartimit dhe të implementimit të politikave të qarta dhe afatgjata për librin nga qeverisja lokale e qendrore si dhe nga institucionet që merren me arsim, shkencë, dhe kulturë. Në këtë aktivitet kulturor, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka kërkuar angazhimin e institucioneve dhe medieve në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e librit. Duke iu drejtuar të pranishmëve, sidomos nxënësve dhe të rinjve, Demaku ka folur për vlerën e librit, motivimin e leximit, si dhe për letërsinë. Në emër të shkrimtarëve, Adem Gashi, ka folur për lidhjen e librit me qytetërimin, duke përmendur diturinë, artin, kulturën, moralin dhe religjionin, si përbërës të librit. Në këtë veprimtari, Ajete Zogaj, Rudina Tahiraj, Rozafa Tahiraj dhe Gresë Maliqi, kanë interpretuat disa pjesë nga krijimtaria letrare shqipe e Arif Demollit dhe e Dritëro Agollit, si dhe nga letërsia e huaj - nga vepra letrare e Uilliam Shekspirit dhe e Miguel de Servantesit.
List of videos