“PDK-ja do të ketë kandidatë të rinj për kryetarë të komunave”
“PDK-ja do të ketë kandidatë të rinj për kryetarë të komunave”
16.08.2017 | 22:07
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur se partia në të cilën ajo bënë pjesë është në fazën finale të përgatitjes për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Sipas Deliut, këtë javë fillon edhe prezantimi i kandidatëve për kryetar të komunave. “Ajo çfarë është e rëndësishme, në këto zgjedhje PDK do të ketë mbi 300 personalitete të reja që do të jenë pjesë e listave zgjedhore nëpër komuna. PDK do të ketë kandidatë të rinj për kryetar të komunave në gati gjysmën e komunave”, ka thënë Deliu për “Indeksonline”. Madje, sipas saj, PDK ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që në përfundim të atyre nacionale. “Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të qershorit, PDK ka filluar përgatitjet e zgjedhjeve lokale dhe ekipet tona të ekspertëve janë marrë me hartimin e programeve specifike për secilën komunë, programe që u përgjigjen më së miri kërkesave të qytetarëve, të cilat do të sigurojnë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës në shumicën e komunave”, ka përfunduar Deliu.