Aksion humanitar në Pejë e Mitrovicë
Aksion humanitar në Pejë e Mitrovicë
11.01.2017 | 16:17
Aksionit humanitar dyditor në Prishtinë, nën iniciativën e aktivistes Jeta Berisha për mbledhjen dhe shpërndarjen e të mirave materiale (ushqim, veshmbathje etj.) për t’i ndihmuar familjet në nevojë në këto ditë të ftohta dimri, i janë bashkuar edhe komuna e Pejës dhe ajo e Mitrovicës. Në Pejë aksioni po vazhdon me iniciativën e ambasadores së Vullnetit të Mirë për Kosovën në “International Human Rights Commission (IHRC)” , Elvana Shalës. Ky aksion do të jetë i hapur deri të premten në orën 17:00. “Të gjithë ju njerëz të vullnetit të mirë që dëshironi të kontribuoni sadopak me të mira materiale, tani është koha e duhur që bashkërisht t’i ndihmojmë këta persona që netët e ftohta t’i kalojnë sa më lehtë. Për t’u bërë pjesë e këtij aksioni në Pejë kontaktoni direkt me Elvana Shalën në këtë numër telefoni: 049/479-469”, është thënë në njoftimin e aktivistes Shala. Sipas këtij njoftimi, përveç Pejës, ky aksion do të jetë i hapur deri të premten edhe në Mitrovicë. “Ju mund të kontaktoni me përgjegjësen Sanela Sadikovic në profilin e saj zyrtar në ‘Facebook’”. Shpërndarja e të gjitha ndihmave të mbledhura në të dyja komunat do të bëhet ditën e shtunë bashkë me qytetarët që po kontribuojnë në këtë aksion”, është bërë me dije në këtë njoftim.