Bajrami kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Bajrami kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
21.04.2017 | 16:26
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur në takim udhëheqësin e Bioetikës në UNESCO, Amnon Carmi, me të cilin ka biseduar për hapjen dhe funksionalizimin Zyrës së Bioetikës në kuadër të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht në QKUK.
Ministri Bajrami e ka falënderuar Carmin për interesimin dhe angazhimin e tij që në kuadër të Universitetit të Prishtinës, UNESCO të hapë Zyrën e Bioetikës, e cila njëherësh do të përgatisë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve të dalluar për ligjërimin, përkatësisht promovimin e parimeve themelore të etikës. “Do të jemi të angazhuar që të përzgjedhim mësimdhënësit më të mirë, t`i aftësojmë (trajnojmë) për këtë çështje, njëherësh do t`i inkorporojmë Parimet e Etikës edhe në Kurrikulën e re”, ka thënë Bajrami.
Po ashtu, Bajrami ka kërkuar mbështetjen e prof. Amnon Carmi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, pasi sipas tij, nga ky anëtarësim, më së shumti do të përfitonin të rinjtë për të qenë realisht bartës të vlerave të multikulturalitetit.
Ndërsa Amnon Carmi ka njoftuar ministrin Bajrami për rëndësinë e hapjes së kësaj zyre, e cila gradualisht do të aftësojë profesorët për implementimin e projektit që ka të bëjë me promovimin e parimeve themelore të etikës në sistemin edukativo-arsimor. Sipas tij, UNESCO i ka të hapura qendrat e Bioetikës në universitetet e mbi 159 vendeve të botës, anëtare të UNESCO-s.
Republika e Kosovës është anëtare e barabartë në mesin e 124 shteteve të botës që nga gushti i vitit 2015 në UNESCO Chair on Bioethics e cila është një organizatë ndërkombëtare nën ombrellën e UNESCO-s , e themeluar në vitin 2001 e cila merret me edukimin etik në arsimin e ultë,të mesëm dhe në arsimin e lartë. Kjo organizatë gjithashtu ka mbajtur 12 konferenca ndërkombëtare të Biotikës, Etikës Mjekësore dhe Ligji në Shëndetësi, ku janë nxjerrë shumë konventa dhe rezoluta ndërkombëtare mbi respektimin e normave etike dhe ligjore në institucionet shëndetësore dhe arsimore.