Bekim Haxhiu ankohet për gjobën prej 200 eurosh
Bekim Haxhiu ankohet për gjobën prej 200 eurosh
21.04.2017 | 16:35
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarit, i cili ka dënuar atë me një gjobë prej 200 euro për mospjesëmarrje si dëshmitar në seancën gjyqësore ndaj deputetit, Albin Kurti, e cila ka pasur të bëjë për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se nuk ka pranuar asnjë ftesë për seancë. Në reagimin e Haxhiut është thënë se sot nëpërmjet medieve është njoftuar se është dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj deputetit, Albin Kurti. “Me përgjegjësi të lartë them se unë nuk kam pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin në fjalë. Po ta pranoja një ftesë të tillë, sigurisht se do t’i përgjigjesha ftesës së gjykatës. Prandaj, kërkoj nga gjykata të dëshmoj pranimin e ftesës nga ana ime dhe datën kur unë paskam marrë këtë ftesë për gjykatë në cilësinë e dëshmitarit. Unë asnjëherë nuk kam pranuar një të tillë dhe si rrjedhojë nuk kam pasur si ta di se jam dëshmitar në rastin e cekur sot nga gjykata. Po e shtroj vetëm një pyetje: Pse gjykatësi Kalludra ka shqiptuar dënimin prej 200 euro, ndaj meje, Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë, por jo edhe ndaj deputetëve tjerë që kanë qenë në atë mbledhje të Kuvendit të Kosovës. Gjykata duhet ta respektoj Ligjin e Procedurës Penale dhe dispozita ligjore për thirrje të dëshmitarëve dhe për neglizhencë të saj mos të tentoj të bëjë balance me vendime gjyqësore, të cila duhet të jenë të drejta, të paanshme dhe transparente”, është thënë në reagimin e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut.