Berisha: Prioritet i Kosovës, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur
Berisha: Prioritet i Kosovës, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur
26.09.2017 | 17:43
Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha me ftesë të ministres së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka qëndruar të martën për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Ministri Berisha dhe delegacioni i Ministrisë për FSK u prit në Ministrinë e Mbrojtjes me ceremoni ushtarake.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe ministres Xhaçka dhe të delegacioneve të tyre u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe shtetërore si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm në mes dy ministrive.
Fillimisht, ministri Berisha e ka uruar ministren Xhaçka për detyrë e re duke i shprehur edhe besimin e palëkundur se të dy ministritë dhe dy shtetet tona do të vazhdojnë zhvillimin e marrëdhënie të shkëlqyera dhe do të intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre në të ardhmen. “Karakteri i kësaj vizite ishte më tepër njoftues dhe ka për qëllim ta zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo është në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal të të gjitha vendeve të rajonit”, ka thënë ministri i FSK-së Rrustem Berisha.
Ai ka thënë se Kosova synon që të promovojë raportet e mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit.
Ministri Berisha, gjatë vizitës së tij, me theks të veçantë ka folur për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. “E njoftova ministren se Qeveria e Republikës së Kosovës një ndër prioritet e saj ka edhe forcimin e institucioneve të sigurisë. Në kuadër të saj është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës”, është shprehur ai.
Ministri Berisha ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë do të avancohet edhe më tej. “Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer sidomos në fushën e arsimimit dhe trajnimeve, ku janë organizuar kurse të ndryshme, që nga kursi bazik deri në kursin e avancuar. Presim nga Ministria e Mbrojtjes që të kemi përkrahje dhe mbështetje për anëtarësim në iniciativa rajonale dhe integrimin në NATO, dhe besojmë që pas këtij takimi njoftues ministrja Xhaçka në agjendën e saj do të parashohë një vizitë në Kosovë, konkretisht në Ministrinë e Forcës për Sigurinë e Kosovës”, ka thënë Berisha.