Delawie, deputetëve: Gjeni zgjidhje, mos u fjalosni kot!
Delawie, deputetëve: Gjeni zgjidhje, mos u fjalosni kot!
17.08.2017 | 18:29
Ambasadori amerikan në Kosovës, Greg Delawie, ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së re që fuqitë e tyre t’i koncentrojnë në gjetjen e rrugëdaljes dhe zhbllokimit të situatës, dhe jo në fjalosjet mes vete.
Duke folur për situatën politike në një intervistë në “Info Magazine” të “Klan Kosova”, Greg Delawie, ka theksuar se e deputetët asnjëherë nuk duhet të harrojnë se u zgjodhën nga populli për të punuar për popullin. “Vonesa i kushton Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin ndërkombëtar. Më duhet t’ua përkujtoj deputetëve se janë zgjedhur për të punuar për popullin. Dhe ata duhet të gjejnë kompromis. Deputetët nuk janë zgjedhur që të rrinë në Prishtinë dhe të fjalosen kot, apo të mos dalin fare në punë. Është thelbësore që Kuvendi të formohet, që Qeveria të formohet, dhe këta zyrtarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Kosova”, ka thënë ambasadori amerikan.
Delawie ka shtuar se politikanët në Kosovë duhet të marrin vendime të vështira dhe të rëndësishme, si dhe t’i marrin përgjegjësitë për ato vendime.
Delawie ka refuzuar t’ia drejtojë gishtin një personi apo ndonjë grupi politik si fajtor për gjendjen politike, por ka thënë se u takon deputetëve të ofrojnë zgjidhje dhe t’i formojnë institucionet sa më parë.
“Nuk më takon mua që ta fajësoj dikë. Por, qytetarët e Kosovës po dëmtohen nga ky vendnumërim. U takon 120 deputetëve që të gjejnë mënyrën se si të bëjnë përparim dhe ta kuptojnë se interesi i vendit është në rend të parë. U takon atyre që të marrin vendime në të mirë të këtij vendi”, ka deklaruar Delawie.