FSK shpenzon 3.8 milionë euro për 7 autoblinda
FSK shpenzon 3.8 milionë euro për 7 autoblinda
16.08.2017 | 21:39
3.8 milionë euro të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të shpenzohen për blerjen e 7 veturave të blinduara të njohura si Humvee.
Ato do të sillen nga SHBA-ja, por blerja e tyre nuk do të bëhet me procedura të rregullta të prokurimit. Ministria e FSK-së ka vendosur që ato t’i blejë me procedura të negociuara të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë, raporton KTV. Ideja e tyre u kundërshtua nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, të cilët kërkuan sqarime dhe arsye se përse është vendosur të shkohet me këtë formë prokurimi. Ministria e Forcës së Sigurisë ka renditur 10 arsye pse mendon që këto miliona po të shkonin në kompaninë AM General do të ndikonin pozitivisht në krijimin e Forcës.
Ata thonë se kjo do të ndikonte në mirëmbajtjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës dhe do të krijohej mundësia që Forca të fitonte Humvee të tjera, donacion nga Ushtria Amerikane, e cila është në procesin e zëvendësimit të këtyre automjeteve. Tutje Ministria përmend faktin se automjetet janë të përshtatshme për terrenin malor të Kosovës dhe thotë se mundësia e mirëmbajtjes dhe pjesëve rezervë të tyre do të mund të bëhej nga kontingjenti amerikan në Bondsteel. FSK-ja shpreson po ashtu që ushtria amerikane do të mund të trajnonte edhe mekanikët e saj. Por, këto fakte nuk kanë qenë bindëse për zyrtarët e KRPP-së. Tutje, Autoriteti Kontraktues i FSK-së thotë se arsyetimin e dhënë e kishte mbështetur edhe në rekomandimin e Komandantit të FSK-së, Rrahman Rama, Drejtorit të Departamentit të Logjistikes, Zijadin Bajçinca, dhe në vendimin e ministrit Haki Demolli, të cilët kanë kërkuar përfshirjen e automjeteve taktike të këtij tipi në kuadër të automjeteve të standardizuara të FSK-së. Por as kjo nuk ishte bindëse për KRPP-në, që ka kërkuar rishqyrtimin e kësaj blerjeje. KTV-ja ka pyetur MFSK-në nëse i ka marrë për bazë këto rekomandime, e cila ka thënë se ia ka dhënë arsyetimet plotësuese KRPP-së dhe është ri-proceduar njoftimi për ketë lloj procedure të shpenzimit të këtyre mjeteve për vetura të tilla. Ministria e Forcës ka bërë të ditur se për këtë prokurim ka planifikuar 3 milionë e 850 mijë euro dhe sasia e planifikuar për blerje është 7 automjete, por që kjo mund të ndryshojë pas negocimit përfundimtar të ofertës financiare. Automjetet pritet të vijnë në Kosovë brenda këtij viti fiskal.