Haliti: LDK-ja të mos bëjë fushatë për vrasjet e aktivistëve të saj
Haliti: LDK-ja të mos bëjë fushatë për vrasjet e aktivistëve të saj
20.03.2017 | 12:55
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, konsideron se kërkesa e drejtuesve të LDK-së në 27-vjetorin e kësaj partie për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës është e drejtë, por që sipas tij, nuk duhet të përdorët për fushatë elektorale nga ana e tyre.
Haliti, në një prononcim për “Gazeta Blic” ka numëruar 4 arsye për të cilat vlerëson se duhet të ndodh zbardhja e vrasjeve politike që kanë ndodhur pasluftës në Kosovë.
“Së pari ne kemi ndërtuar institucione të specializuara në të gjitha fushat. Së dyti Ministrinë e Brendshme e drejton LDK-ja. Së treti prokuroria është krejtësisht e pavarur për të vepruar për çështjet në fjalë. Së katërti mendoj që është e domosdoshme që këto vrasje të zbulohen por jo të përdorën për fushata elektorale, por organet e specializuara të veprojnë me intensitetin më të madh të mundshëm duke mos e kursyer askënd që të zbulohen çdo vrasje që ka ndodh në Kosovë dhe çdo krim që ka ndodh në Kosovë“, ka deklaruar Haliti.
Më tutje, Haliti ka thënë se përveç vrasjeve politike, duhet të ndodh edhe zbardhja e vrasjeve të gazetarëve dhe çdo vrasje tjetër që ka ndodhur përfshirë edhe krimet e Serbisë në vend. “Unë nuk e di në çfarë konteksti e kanë thënë ata, por unë mendoj që duhet të zbardhën, ata s’i parti njerëzit e LDK-së kanë kërkuar çdo herë që të zbardhën dhe është e drejtë e tyre. Unë mendoj që duhet të zbardhen edhe vrasjet e gazetarëve, qytetarëve dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur këtu, përfshirë edhe krimet e Serbisë”, ka thënë ai. Ndryshe nga LDK-ja i kanë hedhur poshtë deklarimet se kërkesa për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës po bëhet për fushata elektorale. Është Bajram Gecaj, anëtar i LDK-së dhe këshilltar aktual i kryeministrit Isa Mustafa, ai i cili i quajti të pavërteta deklarimet se “LDK përmend vrasjet politike vetëm para zgjedhjeve”.