Haradinaj: Bjeshkët e Deçanit janë deri në Çakorr
Haradinaj: Bjeshkët e Deçanit janë deri në Çakorr
18.10.2017 | 19:49
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka premtuar se Komuna e Deçanit do të jetë model për komunat e tjera.
Në takimin përmbyllës elektoral në Deçan, Haradinaj është zotuar se do të dyfishohet buxheti për bujqësi, arsim dhe shëndetësi për këtë komunë. “Bjeshkët e Deçanit janë natyrë madhështore dhe janë tonat deri në Çakorr. Parlamenti javën tjetër ka për ta votuar rishikimin e buxhetit dhe kategoritë e luftës pagat kanë për t’i marrë muajin tjetër. Nuk është e vërtetë se paratë e shëndetësisë i kemi bartur për kategoritë e luftës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se autorrugët në Dukagjin do të përfundojnë brenda dy vjetëve të ardhshëm. “Ka për të ardhur dita që në këtë mandat të mos ketë të papunë në Deçan. Buxheti për këtë komunë do të rritet për dy herë brenda këtij mandati”, ka thënë ai. Sipas Haradinajt, liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt dhe se qytetarët do të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së. Kurse kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj, është zotuar se edhe me ndihmën e kryeministrit gjatë mandatit të tij do t’i plotësojë të gjitha kërkesat infrastrukturore të qytetarëve. “Ndryshimi ka filluar për Kosovën dhe i ka ardhur koha Dukagjinit, në këtë rast edhe Deçanit, për zhvillim, investim dhe trajtim të dinjitetshëm për qytetarët. Qyteti do të ketë investime për rrugë moderne, rritje të shërbimeve shëndetësore dhe investime në arsim, si dhe përkushtim për kategoritë e lirisë. Do të ketë kujdes i veçantë për investime për bujqësi dhe turizëm”, ka thënë Ramosaj, duke shtuar se me Qeverinë Haradinaj, Deçanin e Dukagjinin do ta kthejnë në hartën e investimeve. “Kosova po e merr kuptimin si shtet dhe vetëm në këto pak javë të qeverisjes Haradinaj, qytetarët kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e shtetit”, ka thënë Ramosaj.