Haradinaj: Jemi të përkushtuar për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore
Haradinaj: Jemi të përkushtuar për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore
18.10.2017 | 13:43
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konferencën me rastin e Ditës së BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se ky është moment i mirë për të dërguar porosi të qarta, që Qeveria e Kosovës e kupton seriozisht rëndësinë e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, duke potencuar se kjo është edhe në frymën e angazhimeve të përbashkëta me BE-në. “Sa i përket Kosovës, parandalimi i këtij lloj krimi specifik, duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi”, ka theksuar kryeministri, duke shtuar se është me rëndësi të posaçme të identifikohen dhe ndëshkohen bartësit e këtij krimi.
Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për gjetjen e atyre që e ushqejnë këtë krim, Haradinaj ka theksuar nevojën e avancimit të ekspertizës në përputhje me kapacitetin e atyre që janë bartës të këtij krimi. “Ata në raste të caktuara janë të sofistikuar, kanë lidhje rajonale e ndërkombëtare dhe ekspertiza jonë duhet të avancojë. Njëkohësisht, që të mund të trajtohet me efikasitet, duhet të vendoset një bashkëpunim profesional në të gjitha institucionet e përfshira, por edhe akterët tjerë, organizatat joqeveritare dhe të gjithë mekanizmat që e trajtojnë këtë temë”, ka thënë Haradinaj.
Bashkëpunimi rajonal me vendet fqinje dhe po ashtu bashkëpunimi me BE-në, në përputhje me konventat e dakorduara që sot ekzistojnë, sipas kryeministrit, kanë një rëndësi të veçantë.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka thënë se çdo lloj i krimit, e ushqen një lloj tjetër të krimit dhe, siç tha, kjo nuk është diçka e re për t’u ditur. “Nëse ka pasur tolerancë të caktuar në një lloj të caktuar të krimit, atëherë ndihmohen reciprokisht, shërbehen reciprokisht. Trafikimi me qenie njerëzore mund të jetë bazë edhe për lloje tjera të krimit, që janë rrezik i civilizimit sot”, është shprehur shpreh kryeministri Haradinaj.
Për pjesëmarrje në këtë konferencë, ai ka falënderuar shefen e BE-së, Nataliya Aspotolova, duke theksuar se Kosova dhe BE-ja vërtetojnë përkushtimin për luftimin e këtij lloj krimi, pikërisht në ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë, si dhe zyrtarë tjerë të lartë vendor dhe ndërkombëtar.