Haradinaj dënon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës
Haradinaj dënon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës
19.10.2017 | 11:54
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka reaguar Beogradit, pas thirrjeve të këtyre të fundit që serbët në Kosovë ta votojnë Listën Serbe.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të dalin në zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe të votojnë për Listën Serbe. Vetëm në këtë mënyrë siç u shpreh ai, mund të ketë ndikim në Kosovë. Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ai personalisht si kryeministër i Kosovës e dënojnë fuqishëm aktin e ndërhyrjes së institucioneve të Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë. “Aktet e tilla, bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë, dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mirëintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.