Hasani: Po vazhdon tallja e politikanëve me të rinjtë e vendit
Hasani: Po vazhdon tallja e politikanëve me të rinjtë e vendit
11.01.2017 | 15:37
Zyra e Rinisë Evropiane të Kosovës po vazhdon aktivitetet e saj në kuadër të kampanjës “Rinia në administratë fuqi për të ardhmen”, e cila ka për qëllim që ta informojë publikun për reformimin e administratës publike, si dhe pjesëmarrjen e gjeneratës së re në administratën publike në nivel qendror dhe lokal.
Gjatë promovimit të kampanjës me të rinjtë në kryeqytet, drejtuesit e “Evropianëve të rinj” kanë biseduar me të rinj të shumtë edhe për gjendjen aktuale politike si dhe përfshirjen e të rinjve në proceset brenda institucionale. “Është një tallje e vazhdueshme që po i bëhet sektorit rinor të Kosovës, sektor ky ku politikanët po i shfrytëzojnë të rinjtë vetëm si imazh të bukur për t’i mbushur sallat e për t’i mashtruar për vota gjatë fushatave elektorale, duke i harruar fare më pastaj”, ka thënë presidenti i Rinisë Evropiane të Kosovës, Avdullah Hasani.
E gjithë kjo kampanjë po bëhet për ta ndërtuar një imazh të mirë të shërbimeve dhe aktiviteteve tjera të administratës me praninë më të theksuar të të rinjve në të.