Hoxhaj: Qytetarët gjithnjë e më të interesuar në gjuhën dhe kulturën frënge
Hoxhaj: Qytetarët gjithnjë e më të interesuar në gjuhën dhe kulturën frënge
21.04.2017 | 13:05
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot shefin e misionit për Evropë në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, Jean Paul Wahl dhe delegacionin e tij, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Hoxhaj i ka falënderuar pjesëtarët e delegacionit belg për vizitën në Kosovë, ndërkohë që ka folur për interesimin e të rinjve të Kosovës për të mësuar më shumë nga gjuha dhe kultura frënge. Po ashtu, ai ka shprehur falënderime të veçanta për mbështetjen e madhe që Belgjika i ka dhënë Kosovës për t’u bërë anëtar i Organizatës Botërore të Doganave. Më këtë rast Hoxhaj u ka kërkuar që ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, meqë Kosova planifikohet të aplikojë në disa organizata këtë vit. “Mbështetja e Belgjikës ka qenë shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, gjë për të cilën jemi shumë falënderues. Kam kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e anëtarësimeve në organizata të tjera, meqë do të kemi disa aplikime në organizata të ndryshme këtë vit”, ka thënë Hoxhaj. Kosova është anëtare e Organizatës së Frankofonisë që nga viti 2014.