IKD-ja dënon sulmin fizik ndaj Parim Olluri
IKD-ja dënon sulmin fizik ndaj Parim Olluri
17.08.2017 | 12:14
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Parim Olluri, i cili ka ndodhur nga persona deri tash të panjohur, të mërkurën në orët e mbrëmjes në Prishtinë.
IKD-ja kërkon nga organet e sigurisë dhe ndjekjes reagim urgjent për zbardhjen e sulmit ndaj gazetarit Olluri, i cili ishte i shoqëruar edhe me të fejuarën e tij. “Sulmi ndaj Ollurit është sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, të drejta dhe liri themelore të patjetërsueshme, të cilat garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. IKD konsideron se sulmi ndaj ushtruesit të detyrës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj dhe gazetarit Parim Olluri në të njëjtën ditë janë alarm për institucionet e sigurisë dhe ndjekjes që të zbardhin rastet dhe të sjellin para gjykatës kryesit e këtyre akteve kriminale. IKD edhe njëherë shpreh zhgënjim me organet e drejtësisë dhe sigurisë, të cilat kanë neglizhuar trajtimin me prioritet absolut të rasteve të sulmeve dhe vrasjeve ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një klime të pafavorshme për ushtrimin e profesionit të gazetarisë. IKD inkurajon të gjithë gazetarët, pavarësisht ambientit jo të përshtatshëm për shkak të funksionimit të brishtë dhe të politizuar të sistemit të drejtësisë, të ushtrojnë profesionin e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm për të realizuar misionin e shenjtë të informimit të publikut për të vërtetën. Në një vend demokratik, siç synon të jetë Republika e Kosovës, gazetarët nuk mund të ndalohen, kufizohen dhe censurohen apo që të informohen dhe të informojnë për të vërtetën”, është thënë në reagimin e IKD-së.