KDI-ja: Partitë parlamentare t’i kthehen punës në Kuvend
KDI-ja: Partitë parlamentare t’i kthehen punës në Kuvend
26.09.2017 | 10:58
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga partitë politike parlamentare që sa më parë t`i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.
“Pas gati katër muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, institucioni më i lartë ligjvënës në vend ende nuk është tërësisht funksional. Grupet parlamentare përveç ndarjes së komisioneve, nuk kanë marrë mundin të propozojnë emrat e kryetarëve të komisioneve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të tyre. Formimi i komisioneve parlamentare si trupa punuese të Kuvendit, është parakusht për funksionalizimin e këtij institucioni. Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit nuk është angazhuar në përshpejtimin e këtij procesi të rëndësishëm”, është thënë në komunikatën e KDI-së.
Sipas kësaj komunikate, fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale ka bërë që partitë politike të orientohen në fushatë duke anashkaluar tërësisht punën në Kuvend. “Shumë nga deputetët e Kuvendit janë edhe kandidatë për kryetar të komunave, ndërsa të tjerë kanë marrë role të caktuara në shtabet zgjedhore të partive politike. Gjendja ekzistuese po u përshtatet të gjitha partive politike parlamentare, prandaj po neglizhohet qëllimshëm. Nga mungesa e ushtrimit të rolit të Kuvendit tashmë janë shkaktuar shumë dëme, disa prej të cilave mund të sanohen vetëm me një Kuvend tërësisht funksional dhe dinamik”, është thënë në këtë komunikatë.