Krasniqi: Kuvendi i paaftë politikisht gjatë vitit 2016
Krasniqi: Kuvendi i paaftë politikisht gjatë vitit 2016
11.01.2017 | 12:28
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës është treguar i paaftë politikisht gjatë vitit 2016.
Përfaqësuesi i këtij instituti, Albert Krasniqi, teksa ka prezantuar vlerësimi i punës së Kuvendit gjatë viti që e lamë pas, ka treguar për vështirësitë që e kanë përcjell këtë institucion. “Gjatë vitit 2016 Kuvendi i Kosovë është ballafaquar me mungesa të shpeshta të kuorumit, si në seanca ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve. Miratimi i ligjeve në sesionin vjeshtor pothuajse në asnjërën seancë nuk ka ndodhur në ditën që është planifikuar, por është dashur të shtyhen për një ditë tjetër. Shumica parlamentare dhe koalicioni qeverisës janë treguar të paafta politikisht për të trajtuar disa prej temave më të rëndësishme, siç është Ratifikimi marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, organi më i lart legjislativ ka treguar tendenca për të ndërhyrë në drejtësi. “Përkundër që ndarja e pushteteve është e garantuar me Kushtetutë, nuk kanë munguar rastet kur pushteti legjislativ ka shfaqur tendenca të hapura për të ndërhyrë në punën e atij gjyqësor. Rasti më i rëndë ka qenë ai i diskutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, që ndër të tjera nuk ka prodhuar as ndonjë debat përmbajtjesor”, është shprehur ai.