Kushtëzimi për pagesën e tatimit në pronë, i paligjshëm
Kushtëzimi për pagesën e tatimit në pronë, i paligjshëm
20.03.2017 | 16:47
Avokati i Popullit ka publikuar të hënën raportin me rekomandime lidhur me kushtëzimin nga komunat për pagesën e tatimit në pronë, me rastin e regjistrimit të automjeteve
Raporti është bazuar në ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit lidhur me këto kushtëzime, të cilat zbatohen nga të gjitha komunat në Kosovë, në pajtim me Udhëzimin Administrativ nr. 07/2011 të Ministrisë së Financave (MF). “Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi nga ana komunave, me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, nuk është një metodë e ligjshme për vjelje të tatimit në pronë”, është thënë në këtë raport.
Sipas këtij raporti, Avokati i Popullit ka parasysh se vjelja e tatimit në pronë është jetike për funksionimin e komunave, por që metodat nëpërmjet të cilave kërkohet që të paguhen duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale, në pajtim me ligjin.
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe se janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe si të tilla, nuk mund të aplikohen. Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave ndryshimin e dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 07/2011, që kanë të bëjnë me kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë.