Limaj: Nisma do ta zhvillojë kulturën në Ferizaj
Limaj: Nisma do ta zhvillojë kulturën në Ferizaj
18.10.2017 | 18:44
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, dhe kandidati për kryetar të Ferizaj nga kjo parti, Besnik Berisha, kanë shpalosur të mërkurën programin qeverisës para artistëve ferizajas.
 Fillimisht Berisha ka premtuar se do të fokusohet në zhvillimin e kulturës në Ferizaj. Ai ka thënë se do të kujdeset që artistët e Ferizajt të mos bëjnë punë teknike për të mbijetuar, por të merren vetëm me art. “Zotohem që artisti do të ketë vendin e merituar. Jo që aktori të punojë punë teknike”, ka theksuar Berisha.
Ndërsa kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se është koha që njerëzit të bashkohen dhe të punojnë. “Besoj fort se kultura, ekonomia dhe mirëqenia janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Pa ekonomi nuk ka zhvillim të kulturës, nuk ka mirëqenie”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se do të angazhohen për ofrimin e njerëzve. “Për djemtë dhe vajzat e reja, vendi ynë i ka shumë borxh për mbajtjen e gjallë të shpirtit. Njerëzit në Ferizaj janë njerëz me vetiniciativë dhe jo rastësisht, Ferizaj është kthyer në një qendër ekonomike në Kosovë. Ajo çka ne po mundohemi të bëjmë është për t’i ofruar njerëzit. Më shumë se kurrë kemi nevojë për ta kthyer optimizmin tek qytetarët. Koha e tranzicionit e emergjencës ka kaluar dhe është stërzgjatur. Është koha kur çdonjëri duhet ta ndjejë se ky shtet ka filluar të sheh prosperitetin në këtë vend”, ka deklaruar Limaj, duke i ftuar qytetarët e Ferizajt që ta votojnë numrin 31.