Limaj: Qytetarët po bashkohen për ndryshimin në Drenas
Limaj: Qytetarët po bashkohen për ndryshimin në Drenas
18.10.2017 | 23:25
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në tubimin zgjedhor përmbyllës në Drenas, ka thënë se qytetarët e kësaj komune po i bashkohen Nismës dhe kandidatit të tyre, Isa Xhemajlaj, për ndryshim.
“Ne edhe sonte jemi këtu, sikurse tash e një muaj. Ajo që ka filluar më herët në Drenas duhet të përfundojë më 22 tetor. Ky bashkim i njerëzve të fushave të ndryshme tregon konceptin që përfaqësojmë ne. Ne besojmë që vizioni ynë bashkon e afron njerëz. Përderisa në njërën anë të tjerët mashtrojnë dhe shpifin, në anën tjetër e keni grupin tjetër që tenton që gjithçka që është ndërtuar deri më tani ta rrënoi. Në mes të kësaj jemi ne që po tentojmë të bashkojmë”, ka thënë Limaj.
Ndërkaq kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka theksuar se kandidatët që ka propozuar Nisma për kryetarë komune janë personalitete që synim kanë t’u shërbejnë qytetarëve. “Ne nuk do të dalim para qytetarëve për t’i mashtruar sa për t’ua marrë votën Qytetarët e Drenasit duhet ta dinë edhe këtë, ne nuk do t’ua blejmë votën as për dy euro, as për pesë euro dhe as për 50 euro. Ne duam që më 22 tetor, në kutit e votimit të jetë vullneti i qytetarëve të Drenasit dhe jo komisionerëve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se për qeverisjen e Isa Xhemajlajt do të flasin pas katër vjetëve. Krasniqi ka kërkuar nga qytetarët e Drenasit që t’ia japin votën kandidatit të Nismës për kryetar komune. “Ne jemi të bindur se kandidati ynë është më i miri në çdo aspekt. Isa Xhemajlaj ka qenë në shërbim të qytetarëve. Gjithë biografia e tij është dëshmi se ky do ta bëjë ndryshimin në qeverisjen e Drenasit”, ka theksuar Krasniqi.