Lutfi Haziri: S’ka sinjale për prishje të koalicionit
Lutfi Haziri: S’ka sinjale për prishje të koalicionit
20.04.2017 | 21:50
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk ka sinjale për prishje të koalicionit pasi PDK-ja po mundohet ta ruajë partneritetin e koalicionit.

“Edhe më tutje ne qëndrojmë në parimin që kryesia e PDK-së jep angazhime politike që të ruhet partneriteti i koalicionit. Ende nuk ka sinjale për prishje të koalicionit. Nëse vijmë në rrethana zgjedhjesh të jashtëzakonshme, ato shkaktohen për 40 ditë. Presidenti është i obliguar ta respektojë kushtetutën. Atëherë duhet shikuar tash nëse zgjedhjet japin zgjidhje”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë që marrëveshja parimore e partnerëve të koalicionit parasheh që zgjedhjet të mbahen në qershor të vitit 2018, por ai ka theksuar se nuk janë kundër zgjedhjeve. “Jemi në një rrethanë politike që dëgjohen zëra individësh, që vijnë nga PDK e që janë deputetë e të cilët e duan prishjen e koalicionit. Në asnjë mënyrë nuk jemi kundër zgjedhjeve. Kuvendi është ngulfatë, por nuk do të thoja edhe Qeveria”, ka thënë Haziri në “Zona B” të “Klan Kosova”.