Mëditjet e deputetëve në seancën e djeshme, rreth 10 mijë euro
Mëditjet e deputetëve në seancën e djeshme, rreth 10 mijë euro
11.01.2017 | 12:20
Afër 10 mijë euro i kushtoi buxhetit të Kosovës seanca e djeshme e jashtëzakonshme për Ramush Haradinajn.
Këto para do të paguhen si mëditje për deputetët, të cilët kanë marrë pjesë në këtë seancë, në të cilën pritej të nxirrej një rezolutë të përbashkët pas arrestimit të liderit të AAK-së në Francë në bazë të një fletarrestimi serb. Edhe pse seanca ishte maratonike deputetët e koalicionit qeveritar dhe të opozitës dështuan në miratimin e kësaj rezolute. Deputetët dështuan ta votojnë, por jo edhe ta përmbushin një mision tjetër - atë të përfitimit nga seancat, në të cilat marrin pjesë. Veç pagës bazë që arrin rreth 1 500 euro, secili nga deputetët pjesëmarrës në seancë do ta marrë edhe mëditjen “e jashtëzakonshme”.Një deputet merr 120 euro mëditje për një seancë. E për 83 të tillë, aq sa ishin prezentë në momentin e votimit të rezolutave për Haradinajn, i kushtuan arkës së shtetit 9 960 euro. Kjo është mëditja e parë e deputetëve për vitin 2017, e të tjera i presin pas 16 janarit, atëherë kur kuvendi nisë punën në sesionin e ri. (kallxo.com)