Majlinda, e artë, Nora, e bronztë në Kampionatin Evropian
Majlinda, e artë, Nora, e bronztë në Kampionatin Evropian
20.04.2017 | 19:54
Xhudoja e Kosovës, e udhëhequr nga trajneri kampion Driton Kuka, edhe një herë ka lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare. Në Kampionatin Evropian “Warsawa 2017”, i cili po mbahet në Poloni, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë, kurse Nora Gjakova të bronztën.
Xhudistja shqiptare nga Kosova, Majlinda Kelmendi, po i vazhdon me radhë sukseset e njëpasnjëshme në sportin e xhudos. Kampionia olimpike e ka arritur edhe një sukses tjetër të enjten në Varshavë ku po mbahet Kampionati Evropian, duke e mbrojtur titullin e fituar një vit më parë.
Kelmendi në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë e ka mposhtur me ippon xhudisten nga Rusia, Alesya Kuznetsova. Krenaria e sportit dhe shtetit të Kosovës rrethin e parë e kishte kaluar pa luftë, në të dytin e kishte mundur britaniken Chelsie Giles, e në të tretën zviceranen Evelyne Tschopp. Në gjysmëfinale Majlinda e mposhti portugezen Joana Ramos, kurse në finale pa ndonjë problem e mposhti rusen Kuznetsova. Kelmendi këtë sukses e arriti edhe në vitin 2016 e 2014, ndërsa në vitin 2013 fitoi medalje të bronztë. Ajo është shpallur dy herë kampione e Botës dhe kampione Olimpike.
Suksesi i Majlindës nuk ishte i vetmi në Poloni, pasi edhe Nora Gjakova doli fitimtare, pasi e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos. Nora për të arritur deri te medalja e bronztë e mposhti bullgaren Ivelina Ilieva, kurse paraprakisht rrethin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mposhti polaken Anna Borowska, kurse në rrethin e tretë e mposhti Liveseyn. Ndërkohë, në gjysmëfinale u mposht nga francezja Priscilla Gneto.
Xhudistja tjetër e Kosovës, Distria Krasniqi, këtë herë ka mbetur pa medalje të fituar, pasi ajo nuk arriti të tregojë më të mirën e saj në Kampionatin Evropian në Poloni. Distria kishte synim ta fitojë medaljen e bronztë, por nuk e arriti një gjë të tillë për faktin se u mposht nga Gili Cohen.
 
(Veton ZYMBERI)