Mbi 1 000 të burgosur me të drejtë vote në zgjedhjet lokale
Mbi 1 000 të burgosur me të drejtë vote në zgjedhjet lokale
19.10.2017 | 11:46
Në zgjedhjet lokale të së dielës votën e tyre do ta hedhin edhe mbi 1 000 të burgosur në burgjet e Kosovës.
Drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka thënë për “Arbresh.info” se Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) me kërkesë të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ) ka bërë gati regjistrat e të gjithë personave të privuar nga liria që kanë të drejtë vote. “Bazuar në kërkesën e Enis Halimit, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së të datës 21.09.2017, Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka përpiluar regjistrat e të gjithë personave të privuar nga liria e që janë në vuajtje të dënimit në Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Paraburgimit. Sipas listave të dërguara nga SHKK-ja dhe të verifikuara nga KQZ-ja persona me të drejtë vote për zgjedhjet lokale janë njëmijë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë (1 259). Me kohë në KQZ i kemi dërguar të dhënat: emrin, mbiemrin, datën e lindjes, numrin personal, vendin e lindjes/komunën”, ka deklaruar Gashi. Sipas tij, të burgosurit do të votojnë më 22 tetor në Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Paraburgimit, duke shtuar se vendvotimet do të jenë të hapura prej orës 7:00.
Gashi ka treguar se të gjithë të burgosurit do të votojnë një nga një në vendet e veçanta për zgjedhje në prezencë të ekipeve mobile/lëvizëse të formuara nga KQZ-ja.