Mustafa: Të gjithë krenohemi me historinë e komunitetit turk
Mustafa: Të gjithë krenohemi me historinë e komunitetit turk
21.04.2017 | 13:07
Në Kosovë është shënuar “Dita e komunitetit turk”, në të cilën është vlerësuar lart kontributi i popullit turk në Kosovë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Në konferencën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka thënë të premten, se këtë ditë e konsideron ditë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pasi sipas tij, ne ndajmë të kaluarën e përbashkët, të tanishmen e përbashkët dhe fatin e përbashkët për të ardhmen. “Historia e komunitetit turk është histori me shumë tradita të mira, është histori me të cilën të gjithë krenohemi, po ashtu është një histori e begatshme. Kjo është vlerë e jona e përbashkët, është pasuri e vendit tonë dhe këtë pasuri jemi të përkushtuar ta ruajmë dhe ta shtojmë edhe më tutje, të vazhdojmë që mbi këto pasuri tona të përbashkëta ta ndërtojmë Kosovën demokratike, të fortë të integruar në BE, NATO dhe në bashkëpunim të përhershëm me SHBA-të”, ka thënë Mustafa. Ndërsa ministri i Administratës Publike, njëherësh kryetar i partisë turke KDTP-së, Mahir Yagcilar, ka theksuar se ndihet krenar dhe i lumtur që po shënojnë Ditën e komunitetit turk, meqë sipas tij, kjo ditë është pjesë e pavarësisë së Kosovës dhe pjesë e historisë me të re të vendit. Në anën tejtër deputetja e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës Mufera Shinik ka paraqitur disa nga problemet në të cilat hasin, si në aspektin e punësimit, arsimimit, zhvillimit të aktiviteteve kulturore në mungesë të kushteve e tjera. Sipas saj, edhe pse në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjin për komunitete janë të garantuara të drejtat e tyre, zbatimi në praktikë po hasë në probleme. Pas shpalljes së Pavarësisë, 23 prilli është caktuar si Dita e Komunitetit Turk dhe në Ligjin për festat zyrtare është si ditë e shënuar.